Gjermanët dhe austriakët nuk bëjnë lehtë krahasime me Hitlerin, shkruan Gerfrid Shperl për të përditshmen “Der Standard”. Por, ne kemi vërejtur se të huajt gjejnë paralele midis presidentit Tramp dhe Hitlerit të fillimviteve 1930, para se lideri nazist të vinte në lëvizje makinerinë e vrasjeve masive.
Për shembull, historiani amerikan Timoti Shnajder, ka vënë në dukje se ashtu si Hitleri, edhe Tramp është jashtëzakonisht i talentuar në manipulimin e shtypit, dhe ashtu si lideri nazist “e cilëson të vërtetën si krejtësisht të parëndësishme”. Sigurisht, Tramp nuk është Hitleri i ri. Por ai veshi “këmishën e Nacional Socializmit” në fjalimin e tij inaugurues në 20 janar.
Ai fjalim qe një “lutje para betejës e ngarkuar fetarisht, në të cilën nuk kanë ekzistuar as demokracia dhe as të drejtat e njeriut”. Në vend të kësaj, Tramp i bëri homazhe patriotizmit, i cili duhet të mbrohet me gjak. Ndoshta ato pjesë të fjalimit qenë shkruar nga strategu kryesor i presidentit, Stefën Benon, i cili kohët e fundit tha për “The Hollyood Reporter” se presidenca e Trump do të jetë po aq “emocionuese sa në vitet 1930”, dhe e lidhi këtë me “një lëvizje nacionaliste ekonomike”. Kush mund t’i dëgjonte ato fjalë, dhe të mos mendonte për epokën naziste?”
Në fakt, fjalimi inaugurues i Tramp dukej “shumë i ngjashëm me fjalimin e parë të Hitlerit si kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, shprehet Boris Reitshyster në “HuffingtonPost.de”. Sociologu rus Igor Ajdman, i krahasoi të dyja fjalimet dhe zbuloi se Tramp prekte të njëjtat tema si Hitleri:së pari duke e përshkruar vendin si një arenë të varfërisë dhe dhunës, pastaj duke fajësuar për krizën liderët egoistë dhe trahdtarë, dhe në fund duke premtuar se tani e tutje “vetëm populli do të sundojë”.
Natyrisht, do të qe e “papërgjegjshme dhe idiote” që nga ky fjalim të mbërrihet në përfundimin se Tramp do të ndjekë rrugën e Hitlerit. Por kjo do të ishte “po aq e papërgjegjshme” të mos vërehen ngjashmëritë, dhe patur parasysh mësimet e të shkuarës. Edhe Papa Françesko duket i shqetësuar, tha Antonio Kano dhe Pablo Ordaz për gazetën spanjolle “El Pais”. Gjatë një interviste javën e kaluar, Papa tha se ishte tepër herët për të gjykuar presidentin e ri të SHBA-së.
Por, pasi u pyet nëse ishte i shqetësuar për rritjen e populizmit në SHBA dhe Evropë, ai menjëherë iu referua Gjermanisë së vitit 1933. Vendi ishte në kaos dhe kërkonte një udhëheqës “të aftë për rivendosjen e karakterit të saj, dhe ishte një i ri i quajtur Adolf Hitler i cili tha:”Unë mundem, unë mundem”- tha Françesko.
“Hitleri nuk e vodhi pushtetin. Ai u zgjodh nga populli i tij, dhe më pas e shkatërroi popullin e tij”. Le të mos ndalemi më tek këto krahasime pa kuptim, deklaroi Bernhard Shulz në “Der Tagesspiegel”. E vërteta është se qëllimet gjenocidale të Hitlerit ishin të qarta që në fillim Ai foli për to në shkrimet dhe fjalimet e tij, vetëm se njerëzit “refuzuan ta marrin atë seriozisht”.
Në të kundërt, planet e Tramp janë thellësisht të mjegullta- qëndrimet e tij mbi politikat ndryshojnë në varësi të publikut të cilit ai i drejtohet – dhe publiku amerikan është syçelët dhe i përgatitur për të protestuar ndaj çdo lloj teprimi. Presidenti është duke bërë pikërisht këtë gjë, dhe për sa kohë që “Evropa liberale i qëndron vlerave të saj të përbashkëta dhe flet për to” ne të gjithë do të jemi mirë. /www.bota.al