Motivuese

Fëmijët duhet të shkollohen, jo të shfrytëzohen

Kur u pyetën për punën e ëndrrave të tyre, shumë fëmijë u shprehën se donin të bëheshin avokatë, mësues, mjekë, stilistë etj. Por thuajse 80 milionë fëmijë në botë janë duke bërë punë të rënda fizike aktualisht. 1.2 milionë fëmijë trafikohen çdo vit. Përreth 140 milionë fëmijë abuzohen seksualisht çdo vit.

Fëmijët janë potenciali më i madh i botës, dhe e vetmja shpresë që kemi për të ardhmen. Ne jemi të shqetësuar për nivelet e larta të papunësisë, kur pothuajse i njëjti numër të papunësh është zëvendësuar me punonjës minorenë. Imagjinojeni pak një fëmijë që përgatit një lojë, por nuk i jepet mundësia të luajë në të. Imagjinoni një fëmijë që punon në një fabrikë të prodhimit të bluzave origjinale, por që kurrë nuk ka veshur vetë një bluzë të tillë. Thjesht imagjinojeni një fëmijë që ngre arra kokosi, por kurrë nuk i jepet mundësia të shijojë një çokollatë me arrë kokosi.

Puna e bërë nga fëmijët duhet të ndalet. Fëmijët duhet të edukohen, jo të detyrohen të punojnë. Fëmijët duhet të jenë të lirë të luajnë, të ushqehen mirë, të argëtohen, ta shijojnë fëmijërinë e tyre, pasi përpara do t’i presë gjithë jeta e tyre për të punuar. Fëmijët duhet të jenë të lirë të edukohen sa më mirë, në mënyrë që në të ardhmen të jenë ata që ta çojnë vendin përpara.

Ka ardhur koha që puna e fëmijëve të ndalet. Është detyra e çdo prindi që të kujdeset për fëmijën e vet, në mënyrë që t’i sigurojë kushtet e duhura. Ajo që kam vënë re kohët e fundit, është se shumë prindër dërgojnë fëmijët minorenë në punë “në të zezë” dhe nuk punojnë vetë. Kjo është anormale. Një prind duhet të punojë dhe t’i sigurojë çdo mundësi fëmijës, në mënyrë që ai/ajo të përparojë dhe të ketë mundësi për sukses.

Prindërit duhet të kuptojnë se puna e rëndë u takon atyre. Është e pakonceptueshme se si u shijon paraja nga fëmijët e tyre të mitur disa prindërve të papërgjegjshëm që nuk bëjnë asgjë për familjen e tyre. Kjo gjë duhet të ndalet. Fëmijët duhet të shkollohen, jo të shfrytëzohen.

Leave a Reply

Back to top button