Ende është e paqartë se në çfarë mase mund ta përhapin fëmijët koronavirusin, por një studim i ri sugjeron se është e mundur që ata mund ta transmetojnë atë po aq lehtë sa të rriturit e infektuar, raportuan studiuesit zviceranë të martën.
Fëmijë e kontraktojnë koronavirusin më pak sesa të rriturit dhe më pak zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes dhe nuk duket se janë “shtytësit kryesorë të transmetimit”, por fëmijët e të gjitha moshave janë infektuar, thanë studiuesit. “Përkundër përqindjes së lartë të infeksioneve të buta ose asimptomatike, ata duhet të konsiderohen si transmetues përveçse nëse provohet ndryshe,” thanë studiuesit nga Spitalet e Gjenevës dhe Universiteti i Gjenevës.
Në studimin që u zhvillua me 23 fëmijë duke filluar nga mosha 7 ditëshe deri në 16 vjeç të gjithë testuan pozitiv për Covid-19, por dy kishin të njëjtën sasi të virusit si të rriturit. “Të dhënat tona tregojnë se ngarkesa virale në diagnozë është e krahasueshme me atë të të rriturve,” shkruajnë autorët.
Sidoqoftë, fëmijët nuk duket se përhapin virusin në të njëjtën mënyrë si të rriturit. “Duke marrë parasysh frekuencën relativisht të ulët të fëmijëve të infektuar, madje edhe në zona të prekura rëndë, faktorët biologjikë ose faktorë të tjerë të panjohur mund të çojnë në transmetimin më të ulët në këtë popullatë,” menduan autorët.
Ata thanë se duhen më shumë hulumtime për të kuptuar plotësisht rolin e fëmijëve në përhapjen e virusit. Studimi kishte disa kufizime, përfshirë grupin e vogël të studimit dhe përdorimin e mostrave të virusit të mbetur nga testet rutinore diagnostikuese. Hulumtimi u botua në revistën Emerging Infectious Diseases. CNN / bota.al