BotaMAIN

Fillimi i ekspansionizmit

Donald Trump pretendon se goditja përmes tarifave ndaj tre partnerëve të tij më të mëdhenj tregtarë është thjesht një çështje e logjikës së thjeshtë.

Ata, nga ana e tyre, po e nxisin të reflektojë, me Meksikën dhe Kinën që bëjnë thirrje për dialog dhe bashkëpunim. Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha të shtunën në mbrëmje – ndërsa shpalli një tarifë reciproke prej 25% mbi mallra amerikane me vlerë 106 miliardë dollarë – se hera e fundit që kishte folur drejtpërdrejt me presidentin amerikan ishte në Mar-a-Lago, përpara inaugurimit.

Nuk duket se ajo vizitë i ka shërbyer për ndonjë gjë të mirë.

Presidenti Trump po sfidon urtësinë e disa dekadave që mbësht idenë se tregtia e lirë inkurajon rritjen dhe prosperitetin në një ekonomi globale të ndërlidhur. Ai është i vendosur të rivendosë ekuilibrin e defiçiteve tregtare, të rikthejë prodhimin në vend dhe të inkurajojë investitorët e huaj të hapin biznese në SHBA.

Justifikimi i tij për tarifat është se ato do të detyrojnë Meksikën, Kinën dhe Kanadanë të ndalojnë fluksin e fentanilit, kimikateve paraprake për prodhimin e tij dhe emigrantëve të paligjshëm në SHBA. Meksika tashmë po punon shumë në të dyja drejtimet. Një nga fushat e pakta të angazhimit diplomatik me Kinën vitet e fundit ka qenë rifillimi i bashkëpunimit për luftën kundër narkotikëve.

Dhe, siç tha kryeministri kanadez dje, vetëm 1% e fentanilit të paligjshëm ose emigracionit të paligjshëm kalon në SHBA përmes kufirit verior, dhe Kanadaja po merr masa shtesë për ta ulur edhe më tej këtë shifër.

Kjo duket më shumë si një pretekst.

Ndoshta më alarmuesja për këdo që beson në sovranitetin e kombeve është ideja se Presidenti Trump e ka me të vërtetë kur pohon se “Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i 51-të”. Ai nuk duket se po zbutet në kërcënimet e tij kundër Groenlandës, pas një bisede të tensionuar me kryeministrin e Danimarkës, ku refuzoi të tërhiqej nga pretendimet e tij mbi këtë territor.

Sekretari i tij i Shtetit, Marco Rubio, ndodhet aktualisht në Panama – ku Trump ka kërcënuar se do të rimarrë Kanalin e Panamasë me forcë.

Nëse e shkatërron ekonominë e Kanadasë, presidenti ekspansionist i SHBA-ve mund të besojë se mund ta detyrojë atë të nënshtrohet.

Kanadaja ka më shumë sesa një luftë tregtare përpara. / bota.al

Back to top button