Ajo që pritet tani, pa gijotina dhe sulme ndaj Bastijës, më shumë se një slogan popullor ngjan me tepër me një rrymë puritanizmi. Kushdo ka mendimin e tij mbi profesionin më të vjetër në botë, por fakt është që tek raportet seksuale mes të rriturve të ndërgjegjshëm, shteti nuk ka të drejtë që të ndërhyjë. Sigurisht, që nëse ka krime si abuzimet apo përfshirja e të miturve, ato duhen ndëshkuar. Por që Franca, atdheu i Gi Dë Mopasanit dhe Gustav Floberit, mendon të gjykojë moralin, kjo na duket pak e tepruar
Nuk ka nevojë që të trazojmë gjithë historinë, për të rikujtuar se Franca është atdheu i revolucioneve. Por ajo që pritet tani, pa gijotina apo sulme ndaj Bastijës, më shumë se një slogan popullor, ngjan me tepër me një rrymë puritanizmi. Po flasim për procesin gjyqësor, që sapo ka filluar kundër Dominik Shtraus-Kanit, ish-kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili përfundoi në burg me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.
Sikurse shumëkush mund të kujtojë, Shtrauss-Kan ndodhej në kulmin e popullaritetit të tij, kur në maj të vitit 2011 u arrestua në Nju Jork pas denoncimit të një kamariereje të “Sofitel” për dhunë seksuale. Skandali e detyroi që të japë dorëheqjen nga drejtimi i FMN-së dhe njëherazi edhe nga gara presidenciale në Francë, pikërisht në momentin kur konsiderohej një nga kandidatët më prestigjozë të Partisë Socialiste franceze.
Më pak se 4 muaj më vonë, prokuroria amerikane mbylli hetimet ndaj kësaj çështjeje. Në fakt, hetuesit kishin vërejtur kontradikta të mëdha në dëshminë e denoncueses, që rezultoi se kishte gënjyer hapur para Jurisë së Madhe. Shtraus-Kan doli i pafajshëm nga kjo çështje, megjithatë imazhi i tij nuk u rikthye ai që kishte qenë më parë, pasi u bë i njohur në botë për orekset e tij seksuale.
Orekse, që nuk arriti kurrë t’i largonte prej vetes, dhe që e risollën sërish para gjykatës.
Tashmë rrezikon deri në 10 vjet burg, me akuzën e të qënit organizator i dyshuar i mbrëmjeve plot harbime, ose thënë në mënyrë vulgare orgji me pagesë. Megjithatë aventurat e tij seksuale dhe dështimet e tij politike pak na interesojnë. Ajo që nuk shkon në këtë proces, është një farë vullneti i ripërtërirë për të ndëshkuar cilindo që konsuomon seks me pagesë.
Kushdo ka mendimin e tij mbi profesionin më të vjetër në botë, por fakt është që tek raportet seksuale mes të rriturve të ndërgjegjshëm, shteti nuk ka të drejtë që të ndërhyjë.
Sigurisht, që nëse ka krime si abuzimet apo përfshirja e të miturve, ato duhen ndëshkuar. Por që Franca, atdheu i Gi Dë Mopasanit dhe Gustav Floberit, mendon të gjykojë moralin, kjo na duket pak e tepruar.
Megjithatë kjo rrymë “puritane” nuk është diçka e re. Vetëm pak muaj më parë, në Asamblenë Kombëtare u rrëzua në momentet e fundit një ligj, që ndëshkonte klientët e prostitutave me gjoba të kripura (deri në 1500 euro). Nismëtare e këtij ligji, ishte Ministrja për të Drejtat e Grave (aktulisht Ministre e Arsimit) Naxhat Belkaçem, që në kryqëzatën e saj për të ndaluar një “skllavëri të vjetër”, kishte harruar që në Francë prostitucioni është i ligjshëm, pra ishte e pakuptimtë të ndëshkoje “konsumin” e asaj që nuk është e paligjshme.
“Besoj se përcaktimi i shfrytëzimit të prostitucionit është i papërshtatshëm, kur ndëshkon thjesht klientët” – deklaroi për “La Repubblica”, Elisabet Levi, drejtore e gazetës “Causeur” dhe protagoniste vitin e shkuar e kundërshtimit të ligjit. “Nga një inkuizicion i vazhdueshëm femininist, kërcënohet vetë ideja e jetës private” – shton ajo. Nuk mundesh mos t’i japësh të drejtë.
Sot Franca ka probleme shumë me urgjente për të zgjidhur, në vend se të shkojë dhe të futet në shtratet e qytetarëve.Tradita e saj e gjatë laike duhet të pengojë këto sjellje prej “një policie të moralit”, që më tepër ngjasojnë me ato të një regjimi islamik. Edhe sepse nuk eshte e sigurtë, që klientët e prostitutave përbëjnë një alarm për sigurinë publike. Nëse sot duhet të kishte ndonjë normë shtërnguese, ajo duhet t’i takojë terrorizmit xhihadist qe vazhdon të mbjellë viktima në truallin evropian, duke na gjetur çdo herë të papërgatitur. Sikurse ndodhi pikërisht në Paris. /La Croix/
a.g./www.bota.al