AnalizaMAIN

Franca, vera e ankthit të madh

Ky 14 korrik ishte më i hidhur se kurrë për Francën. Festa kombëtare, në vend që të festohej në klimën e zakonshme të krenarisë në mos të madhështisë, kaloi pa u vënë re, ndërsa vendi është i përçarë nga një përplasje e brendshme dhe i kapluar nga një zbrazëti e paprecedentë, në verën e një ankthi të madh shoqëror.

Një vit më parë, Emmanuel Macron dukej se e kishte shpëtuar situatën. Në raundin e dytë të zgjedhjeve legjislative ishte krijuar de facto një aleancë qendër-e-majtë që kishte bllokuar rrugën për Rassemblement National të Marine Le Pen dhe Jordan Bardella.

Një lajm i shkëlqyer për Europën: fitorja e lepenistëve, në fakt, do të shënonte fundin e Bashkimit Evropian, në të cilin Franca është e vetmja fuqi bërthamore dhe e vetmja që ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Duke kryesuar në sondazhe, blloku i Le Pen doli i treti, pas së majtës dhe të djathtës që janë më pak ose më shumë besnike ndaj Macronit. Presidenti nuk arriti të formojë një qeveri që të pasqyrojë shumicën që doli nga zgjedhjet. Dhe siç shpërbëhen shpejt të gjitha blloqet e tjera, edhe partia e Marine nuk ka shumicën në Asamblenë Kombëtare. Nuk mund të formojë një qeveri, por mund të rrëzojë çdo qeveri. E ka bërë këtë me një kryeministër me përvojë të madhe si Michel Barnier. Ka njoftuar se do ta bëjë edhe në vjeshtë, duke fundosur kryeministrin e ri François Bayrou, nëse nuk do të ndryshojë planin e shkurtimeve të shpenzimeve publike, prej 48 miliardë eurosh.

Shkurtimet, sigurisht, janë të nevojshme. Në një klimë të paqëndrueshmërisë së përgjithshme, Franca është sot i sëmuri i Europës. Më keq se Spanja, ku qeveria mbahet në këmbë me një shumicë të brishtë, më keq se Gjermania që ka krijuar një koalicion për të frenuar rritjen e ekstremit të djathtë, më keq se Mbretëria e Bashkuar, ku Nigel Farage është sot partia e parë. Borxhi publik francez në vlerë absolute e ka kaluar atë italian. Ai është më shumë se dyfishi i kufirit maksimal prej 3% të përcaktuar në Maastricht. Franca ka ngecur në atë grackë që e njohim mirë: borxhi rritet, zhvillimi ndalet, rriten interesat për titujt e borxhit, dhe si rrjedhojë financimi i borxhit bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm.

Shkurtimet përqendrohen pashmangshmërisht në sektorin publik. Dhe bie një tabu: shërbimi civil i nëpunësve, dikur i konsideruar si kosto e nevojshme për shkak të përsosmërisë së tij.

Macron ishte presidenti i vetëm i zgjedhur në emër të një ndryshimi që francezët nuk ishin gati ta pranonin.

Koha kur figura e kreut të Shtetit kishte një aureolë madhështie dhe paprekshmërie ka ikur. Charles De Gaulle kishte ndërtuar rreth vetes një mit të paprekshmërisë, që e stabilizonte si figurën e vetme të shtetit mbi popullin, në zemër të kombit. Kurrë më pas nuk ka ndodhur diçka e ngjashme. Të fundit që i janë afruar asaj presidence absolute, ata e quanin “Dieu”, Zot. Presidenti i fundit me prestigj ka qenë Jacques Chirac, i cili pas një rinie si komunist, ishte ministër i De Gaulle në vitin fatal 1968, dhe dinte të mbante të bashkuar komponentët e shoqërisë, industrialistët dhe sindikalistët, provincën e thellë dhe kryeqytetin, ku kishte qenë kryetar bashkie për tetëmbëdhjetë vjet.

Pas tij, erdhi “përmbytja”. Nicolas Sarkozy u zgjodh me premtimin e një “rupture” (shkëputjeje), por në realitet askush nuk ishte gati. Të shkurtonte shpenzimet për mirëqenien dhe taksat, tolerancë zero ndaj delinkuentëve dhe emigrantëve të paligjshëm, liberalizim të ekonomisë, në mënyrë që, «ai që punon më shumë të fitojë më shumë». E djathta italiane u dashurua me të me një lehtësi të habitshme, për t’u zhgënjyer më pas, kur ai bashkë me Merkelin vunë në lojë Berlusconin.

Në realitet, ai nuk ishte në lartësinë e ideve të veta, as nuk kishte staturën politike e morale për t’i realizuar ato. Kriza e importuar nga Amerika bëri pjesën tjetër. Por as sot Sarkozy nuk po përmirësohet: në balotazh mori 48,4%, gati 7 milionë vota më pak. Pasardhësi i tij, François Hollande, pesë vjet më vonë nuk u përpoq as të rikandidonte: nuk do të kishte kaluar as raundin e parë.

Macron sapo hyri për herë të parë në Elize, hoqi taksën mbi pasurinë (por jo taksën e trashëgimisë, e cila mund të arrijë deri në 45%). Pas fitores së dytë realizoi reformën shumë të kontestuar të pensioneve. Nga e majta konsiderohet si një president i djathtë, dhe nga e djathta si një president i majtë, ose në çdo rast, një globalist. Tani po përpiqet që në politikën e jashtme të gjejë një “ubi consistam” (një pikë qëndrueshmërie), ose të paktën një formë mbijetese.

Deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale kanë mbetur pak më pak se dy vjet. Disa thonë se do të ishte më mirë të qeverisnin lepenistët, për të imunizuar kombin, me të njëjtën logjikë me të cilën Mitterrand emëroi si kryeministër rivalin e tij të brendshëm politik, Michel Rocard: «francezët e duan, dhe do ta kenë. Kështu do të kuptojnë kush është vërtet». Qeveria Rocard zgjati dy vjet, pastaj ai u tërhoq nga skena.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në vitin 2027 (nëse Macron nuk jep dorëheqjen më herët, gjë që deri më tani e ka përjashtuar) me siguri do të ketë një kandidat nga Rassemblement National. Për momentin, Marine Le Pen nuk është kandidate, për shkak të një vendimi të gjykatës. Në vend të saj mund të jetë Jordan Bardella, gjashtëmbëdhjetë vite më i ri, realisht ende i papërgatitur. Por nëse do të përballej në balotazh me Jean-Luc Mélenchon, do të fitonte. Mbetet për t’u parë nëse ndërkohë do të shfaqet një reformist, si Gabriel Attal, një i moderuar, si Édouard Philippe, apo ndonjë tjetër që të jetë më pak i njohur, por edhe më pak me peshë.

Por nuk është nga politika që do të vijë ndryshimi. Shoqëria franceze shfaqet e shpërbërë si kurrë më parë. Një shenjë spikat mbi të gjitha: Franca nuk është më përjashtimi europian: edhe atje ka rënë kurba demografike; edhe francezët, si europianët e tjerë, bëjnë gjithnjë e më pak fëmijë, kanë gjithnjë e më pak besim në të ardhmen, më pak entuziazëm për jetën. Edhe rastet e gëzimit, si fitorja e parë e Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, shndërrohen në momente dhune. Suksesi i Lojërave Olimpike të një viti më parë duket shumë larg.

Në ato ditë, parisienët ikën në fshat, dhe Franca provinciale mori kontrollin e kryeqytetit, duke ndezur një zjarr nacionalist më të dukshëm, më të pastër. Por as ky nuk është realiteti. Dhe statistikat flasin për më shumë se dhjetë milionë francezë nën pragun e varfërisë. Në fshatin me kambanore dhe me një shesh qendror, mbyllet një bistrot dhe hapet një dyqan “blej flori”. Pasuria më shumë nxirret, se sa krijohet. Teksa grupet e luksit bëjnë pazar në marka të lavdishme, kryesisht italiane, të rinjtë më të mirë të Francës largohen nga vendi dhe shkojnë atje ku pagat janë më të larta dhe taksat më të ulëta. Një vend i mrekullueshëm, me një pasuri të pallogaritshme historike dhe kulturore, rrezikon që jo vetëm të mos gjejë në udhëheqës që ta mishërojë, por edhe të mos njohë veten. Të mos dijë më se kush është.

Aldo Cazzullo (Corriere della Sera – Bota.al)

Back to top button