Speciale

FRIKA / Zot, na shpëto!

“A fame, peste et bello libera nos, Domine!” “Na shpëto o zot nga uria, murtaja dhe lufta”. Por mbi të gjitha nga e dyta, e cila në krahasim me dy të tjerat ishte shpesh pasoja nga e cila trembeshin më shumë. Se ç’do të thotë të kesh frikë nga një sëmun dje, këtë e provuam vitin që kaloi me panikun e epidemisë së gripit të derrave. Lajmet katastrofistë, radhët përpara spitaleve dhe gjuetia e vaksinave: anthi dhe makthi që u transformuan në psikozë…

fear 1

Burrat dhe gratë e Mesjetës e kërkonin kështu ndihmën e Perëndisë: “A fame, peste et bello libera nos, Domine!” “Na shpëto o zot nga uria, murtaja dhe lufta”. Por mbi të gjitha nga e dyta, e cila në krahasim me dy të tjerat ishte shpesh pasoja nga e cila trembeshin më shumë. Se ç’do të thotë të kesh frikë nga një sëmun dje, këtë e provuam vitin që kaloi me panikun e epidemisë së gripit të derrave. Lajmet katastrofistë, radhët përpara spitaleve dhe gjuetia e vaksinave: anthi dhe makthi që u transformuan në psikozë të masës ishin po të njëjtat që kanë provuar europianët mijëra vjet më parë.

Tre të tmerrshmet

“Tre janë sëmundjet që në të kaluarën kanë prodhuar frikëra të mëdha kolektive: lebroza në Mesjetën e hershme, murtaja në mesjetën e vonë dhe sifilizi gjatë Rilindjes”, shpjegon historiani i mjekësisë Giorgio Cosmacini, autor i një vëllimi të bollshëm kushtuar frikërave të lidhura me sëmundjet nëpër shekuj (“Shpatat e Demokleut”).

Po si i përballonin në të kaluarën njerëzit këto lloje frikërash? Në thelb, me të njëjtin instikt që vazhdon të na udhëheqë edhe ne sot e kësaj dite. Në autobus, përshembull, tipi që ndodhet pranë nesh fillon të teshtijë, ndërkohë që i treëgon mikut të tij se fëmijët ka një javë që i ka me grip? Tundimi për të ndërruar sediljen është i fortë: është frika e sëmundjes ngjitëse. Por, sikur shoku ynë i udhëtimit të kishte edhe lëkurën gjithë të çjerra dhe plagë të tmerrshme në fytyrë, nuk do të mendoheshim dy herë: jashtë autobusit, o ne, o ai. Pikërisht këtë bënin (duke hequr autobusin) burrat dhe gratë mesjetarë kur lebroza (nga greqishtja lepros) shpërtheu dhunshëm në të gjithë Europën, gjatë viteve Dyqind.

Vdekje sociale

Duke parë që terapitë shtëpiake si lëngu i gjarpërit të zi, rrjedhja e gjakut apo banja në gjak njeriu nuk jepnin rezultatet e shpresuar, mbizotëronte ndjenja e neverisë dhe kolektiviteti vendosi që kura më e mirë për “atë ndyrësi të mbetur nga koha e Kryqëzatave dhe mijëra vjet të palarë”, siç e përcaktonte në vitet teteqind historiani francez Jules Michelet, ishte izolimi i të prekurve dhe largimi i tyre nga jeta civile. Përpara një komisioni të përbërë nga gjykatës popullorë, mjekë dhe magjistratë futej një majë gjilpëre në zonat e prekura të të sëmurit: nëse demonstrohej mungesë ndjeshmërie, tipike e lebrozës, atëherë prifti denonconte të pafatin përballë të gjithë komunitetit gjatë predikimit, kryente një meshë funebre dhe e shoqëronte në varrezë. Këtu i hidhte tre grushte dhe mbi kokë, shoqëruar me fjalë shumë pak inkurajuese: “Mik i dashur, për botën ti je i vdekur!”

Tashmë i njohshëm falë “aksesorëve” tipikë të lebrozit (tunikë, kapuç i errët, këmborë me të cilën sinjalizonte praninë) “i vdekuri i pakallur” mbërrinte më në fund në etapën e fundit të ekzistencës së tij: vendi i lebrozëve, një hapësirë e mbyllur, e izoluar, e ngritur jashtë mureve të qytetit apo në fshatra.

Lebrozët ekzistonin në Angli dhe në Francë që nga shekulli VII, por u shumëfishuan sa hap e mbyll sytë në të gjithë Europën teksa sëmundja e Hansen (është ky emri i vërtetë i lebrozës) përhapej. Shpesh herë, burrat dhe gratë ndaheshin, nuk mund të kshin kontakte me të shëndoshët. Pra, pasojat për të sëmurët nuk ishin që humbisnin copë pas cope hundën, gishtat e duarve dhe ata të këmbëve: lebra, që sillte segregimin nga bota e të gjallëve, mishëronte frikën e marxhinalizimit dhe të vdekjes sociale. Jo vetëm. “Lebrozi pësonte në jetë dekompozimin e mishit që zakonisht ndodh gjatë vdekjes: përvec infektimit, trupi i tij i deformuar shkaktonte frikën që i përkiste “familjes së Djallit” dhe që për këtë meritonte të shkonte në turrën e druve”, thotë Cosmacini. Diçka që nuk është se s’ndodhte. Mjaft të mendosh për mijëra të vdekurit e persekutimit francez në vitin 1321, autorizuar nga Mbreti Filipi V. Vetëm diku rreth shekullit XV në klasifikimin e horrorit, lebrozët u kaluan në klasifikim nga të sëmurët me murtajë: në fakt pikërisht pas përhapjes së murtajës së zezë, lebra filloi të rrallohet mbi të gjitha për shkak të mungesës së viktimave, që kishin rënë tashmë nën goditjet e bacilit tjetër më agresiv.

Ndëshkim hyjnor

Sëmundja, mes viteve 1347 e 1350 solli vdekjen e një të tretës së të gjithë popullsisë europiane. “Murtaja, e dyta frikë e madhe mishëronte frikën nga vdekja fizike. Për të vlente ligji: gjithcka ose asgjë, nëse nuk e shmangie, do të vdisje. Por edhe ata që favorizoheshin prej fatit mund të vdisnin: nga ankthi”, shpjegon historiani. Në fakt vuajtja fizike ishte një prej shkaqeve dytësorë të vdekjes. “Trauma psikike që shkaktohej nga frika e murtajës ishte e fortë: në ndjeshmërinë kolektive, vdekja e dhunshme zëvendësohej me “vdekjen e mirë”, e vetmja që të çonte në një hyrje të lumtur në botën e përtejme”.

E vetmja mënyrë shpëtimi ishte arratia: edhe mjekët. Të çorientuar përballë sëmundjes, largoheshin apo bënin sikur kishin një tjetër zanat.

Pendohuni!

Nga ana tjetër, edhe priftërinjtë vdisnin dhe përballë këtij fakti shumë shqetësues, grupe besimtarësh të indinjuar të bashkuar në lëvbizje të cilat Kisha i quajti si heretike preferonin që të largonin në mënyrën e tyre atë që e konsideronin pa asnjë dyshim si ndëshkim hyjnor. “Agresiviteti dhe arratia ishin sjellje instiktive, reagime ndaj frikës dhe ankthit”, vëren Cosmacini. Për të larë mëkatet e fajeve të botës dhe për të shpëtuar shpirtin ata sfilonin duke u qëlluar me kamzhikë, si dhe një shkop me tre nyja të përshkuara nga maja prej hekuri. Dhe në fakt dhuna nuk karakterizonte vetëm ata që vetëqëlloheshin me kamzhikë, por edhe të apasionuarit pas një tjetër “sporti” shumë popullor: gjuetia e individëve që mendohej se përhapnin sëmundjen. Në vitin 1348 u përhap fjala se ishin hebrenjtë që kishin përhapur murtajën përmes helmimit të puseve dhe një vit më vonë, ndërkohë që Papa Klementi VI dënonte persekutimet në Avignone, besimtarët në bazile mblidhnin të gjithë hebrenjtë në një ishull të Renit dhe i conin në turrën e druve. “Në Strasburg, autoritetet civile mbrojtën komunitetin e hebrenjve sepse nuk kishte prova kundër tyre, por njerëzit, që ishin dakord me Kishën, protestuan e protestuan deri sa qeveria lëshoi pe dhe ata u dogjën të gjallë”, thotë Cosmacini. Të njëjtin fund pësuan hebrenjtë e Worms, Magonza, Anversa dhe Frankfurt.

Por rrezikonin edhe murgjit, jnerëz që i kishin shpëtuar sëmundjes të cilët gjatë epidemisë rekrutoheshin për të mbledhur kufomat: paga e tyre varej nga numri i kufomave që mblidhnin dhe për këtë arsye gojët e këqia i akuzonin se përhapnin bacilin për të vazhduar pasurimin e tyre.

Vdekje morale

Një shekull e gjysmë më vonë, në 1495, roli i shënjestrës u takoi francezëve. Gjatë pushtimit të Mbretërisë së Napolit nga ana e trupave franceze të Karlit VIII u shfaq një tjetër sëmundje e tmerrshme, sifilizi, që në vijim të zhvendosjes së ushtarëve dhe aventurave të tyre seksuale u përhap në gjithë Italinë dhe në pjesën tjetër të Europës.

E keqja prekte në fillim organet seksualë, më pas pjesën tjetër të trupit me puçrra në fytyrë, deformim të kockave, verbim, paralizë: italianët dhe spanjollët e quanin “sëmundja franceze” të bindur se e kishin sjellë ushtarët e Karlit VIII, për francezët ishte sëmundja napoletane, për portugezët ishte “el mal de los castillanos”, për polakët ishte sëmundja gjermane, për rusët sëmundja polake, në një cirk akuzash që megjithatë shumë pak shërbeu kundër treponema pallidum.

“Sifilizi konsiderohej një sëmundje mëkatare dhe e turpshme, shprehje e zemërimit hyjnor kundër korruptimit të shpirtit: të sëmurët shkonin pikësëpari drejt një vdekjeje mbi të gjitha morale”, shpjegon Cosmacini. Për këtë mikrob të pakontrolueshëm pasi ua kishin vënë fajin aragonezëve që kishin hedhur gjak lebrozësh në verë për të infektuar trupat franceze që i sulmonin, mjekët akuzuan prostitutat: pasojë e frikës për këtë Aids ante litteram ishte kontrolli brutal i seksualitetit të grave.

Represion

Në vitet 800, mjeku francez Alexandre parent-Duchatelet shkruante se ishte e domosdoshme të kontrollohej prostitucioni për të shmangur përhapjen, duke përdorur edhe mjete ekstremë si “sekuestrimi” dhe “izolimi” në burg apo në spital kundër frikës së kontaminimit moral. Cdo grua e akuzuar mund ti nënshtrohej një vizite gjinekologjike. Dhe jo rrallë ishin vetë mjekët që e përhapnin infeksionin, duke përdorur instrumenta jo të sterilizuar. Një dhunë ndaj së cilës nuk shërbente asnjë lloj lutje.

Storica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button