Pëgjatë gjithë historisë, shumë prej mbretërive, perandorive dhe sundimtarëve vareshin nga një lloj ndihme e fshehtë. Mbretëritë e fuqishme janë si makineritë e ndërlikuara, të mbushura me sekrete. Për të zbuluar ato sekrete, sundimtarët u mbështetën tek spiunët, policia sekrete, vrasësit dhe të gjithë llojet e xhelatëve.
Perandoria Romake nuk përbënte ndonjë përjashtim. Perandorët e Romës përdorën Frumentarii, agjencinë romake të inteligjencës. Pa ta nuk do të ishin të mundura shumë nga lëvizjet mendjemprehta të bëra nga perandorët. Gati në të gjitha format e qeverisjes, nevoja për shërbime speciale dhe agjentë sekretë është shumë e madhe.
Mbretëritë dhe perandoritë e lashta nuk ishin përjashtim, pasi ato gjithashtu ishin një rrjet kompleks intrigash dhe grindjesh, dhe sundimtarët kishin shumë armiq, si brenda ashtu edhe jashtë. “Muret kanë veshë”- thotë një thënie e lashtë, dhe ndonjëherë ishte pikërisht kështu.
Në Perandorinë Romake, perandori duhej të njihte kush ishin armiqtë dhe aleatët e tij.
Dhe si t’i zbulonin ata? Përmes spiunimit dhe maskimit. Frumentarii kanë origjinë shumë të largët. Për shekuj me radhë, ishte një praktikë ushtarake e Romës që të përdorte shërbimet e informatorëve, spiunëve dhe vrasësve. Megjithatë, ata nuk ishin një njësi e organizuar.
Ka të ngjarë që kjo gjë të ketë ndryshuar gjatë mbretërimit të perandorit Domician, i cili ishte në fron nga viti 81 deri në vitin 96 Pas Krishtit. Emri “Frumentarii” filloi të shfaqej në regjistrime menjëherë pas mbretërimit të tij. Në fillim ata u përshkruan si “lajmëtarë” dhe mbledhës të taksave.
Ky rol fshihte natyrën e tyre të vërtetë. Ndëkohë pas përfundimit të sundimit të dinastisë Flaviane, sundimtari i fundit i së cilës ishte Domiciani, Frumentarii morën identitetin e tyre të vërtetë, duke u shndërruar në një forcë policore të rreptë dhe të fshehtë.
Që në fillim, ata ishin pjesë e ushtrisë romake, dhe praktikisht të gjithë anëtarët kishin qenë dikur legjionarë. Frumentarii u vendos në Castra Peregrina, në “Kampin e të Huajve”, në Kodrën Caelian në periferi të Romës. Frumentarii fitoi shumë shpejt një reputacion të keq.
Fillimisht të ngarkuar me ruajtjen e rendit midis popullsisë, shumë shpejt ata nisën të kenë një rol më të fshehtë. Duke qenë në kontakt me kaq shumë banorë të të gjitha klasave, Frumentarii mund të mësonte shumë sekrete dhe të dëgjonte shumë zëra.
Ky potencial u njoh nga perandori Hadrian (që mbretëroi në vitet 117-138), që nisi të përdorë Frumentarii si një shërbim sekret të mirëfilltë. Detyra e tij specifike ishte të spiunonte të gjithë qytetarët me ndikim në të gjithë Perandorinë Romake, gjë që e ndihmoi atë të forconte sundimin e tij.
Rolet e Frumentarit ishin të ndryshëm, dhe të gjithë ishin të neveritshme për popullatën. Nëpërmjet tyre, qeveria spiunonte miqtë e tyre, armiqtë, qytetarët e thjeshtë dhe fisnikët me ndikim. Po ashtu u spiunuan edhe zyrtarët dhe ushtarët, duke zbuluar tradhtarët dhe disfatistët.
Dhe askush nuk e dinte se ata po vëzhgoheshin dhe dëgjoheshin. Frumentarii ishin mjeshtër të spiunazhit, shpeshherë të fshehur ose të maskuar. Në jo pak raste ata ishin të punësuar edhe si vrasës, pasi spiunimi dhe atentatet shkojnë shpesh dorë për dore. Në rast se perandori do të kishte një armik të veçantë që duhej të zhdukej, Frumentarii do ta zgjidhte çështjen me një kamë.
Ata përgjonin edhe letrat dhe sekretet e tyre i zbuloheshin perandorit. Pra asnjë sekret nuk ishte i sigurt në Romë, qytet që ishte i mbushur plot me intriga dhe gënjeshtra. Frumentarii kishte një reputacion veçanërisht të keq dhe urreheshin nga të gjithë romakët.
Shtresat më të varfra kishin një antipati edhe më të madhe për shkak të arrestimeve dhe akuzave të rreme që iu bëheshin vazhdimisht nga kjo lloj policie sekrete e kohës së lashtë. Frumentarii ishin të ashpër dhe të pamëshirshëm kur dyshonin tek njerëzit e thjeshtë. Kjo i dha atyre epitetin e keq të të qenit “murtaja tiranike” e perandorisë.
Aq të papëlqyer ishin ata, saqë vetëm pas disa shekujsh, organizata e tyre u shpërbë plotësisht. Gjatë sundimit të Dioklecianit, dhe në kushtet e zemërimit të madh popullor ndaj kësaj organizate, Frumentarii u shpërbë zyrtarisht në vitin 312 Pas Krishtit, si pjesë e reformave të perandorit.
Ajo ishte bërë aq shumë e urryer saqë duhej një organizim krejtësisht i ri, me rregulla të reja. Organizata e re u emërua Agentes in Rebus – “Agjentët aktivë në një çështje misterioze” – dhe funksionoi në një mënyrë krejtësisht të ndryshme nga policia sekrete e mëparshme.
Sigurisht të jetoje në fillimet e Perandorisë Romake nuk ishte një gjë shumë e mrekullueshme, sidomos nëse kishe mendimet e tua ta pavarura. Nuk ju pëlqente sundimtari i ri? Do të ishte më mirë ta mbyllnit gojën, përndryshe do ta gjenit veten të zhytur në shumë telashe.
Dhe një person në dukje i dehur në një tavernë mund të ishte fare mirë një spiun, një Frumentarius i maskuar që po dëgjonte çdo fjalë. Ne vetëm mund të hamendësojmë se sa qytetarë jo besnikë dhe armiq të perandorit u arrestuan dhe ndëshkuar vetëm për shkak të fjalëve që thanë në një moment kur mendonin se askush nuk po i dëgjonte. Por e kishin gabim, sepse Frumentarii ishin gjithmonë aty vërdallë dhe dëgjonin çdo gjë.