Magazine

Fuqia magjike e puthjes

Nga Chris de Vinck

Çdo natë para se të flija gjumë kur isha një djalë i vogël, gjyshja ime hynte në dhomën time, përkulej mbi mua, bënte një kryq të padukshëm në ballin tim dhe më thoshte në gjuhën flamandeEen kruis en een slaap lekker” (Një kryq dhe një gjumë i mirë). Më pas më puthte në faqe dhe mua më zinte gjumi.

Një puthje bart një fuqi magjike. Kur jemi të rinj ndihemi sikur një puthje nga njeriu i zemrës na jep pavdekësinë. Nëse puthni “Blarney Stone” në Irlandë, thuhet se do të keni elokuencë dhe do të jeni shumë oratorë në të folurën tuaj. Një puthje në mesnatën e Vitit të Ri, mund të sjellë fat për gjithë vitin sa po nis.

Po ashtu një puthje mund ta ndihmojë një fëmijë të vogël të flejë më shpejt. Por një puthje është gjithashtu një mënyrë për të treguar respekt. Në pranverën e vitit 1983, për shkak se kisha shkruar një libër mbi vëllanë tim invalid dhe të verbër, Oliverin, Vatikani më ftoi të mbaja fjalën përmbyllëse në Këshillin Papnor mbi invalidët dhe kishën.

Unë fola për Oliverin dhe tregova se në momentin kur ai dha shpirt në krahët e nënës sime në moshën 33-vjeçare, ajo e puthi në ballë dhe i tha:”Lamtumirë engjëlli im!”.Pas konferencës më çuan për një takim personal me Papa Gjon Pali II. Kur mbërrita në dhomën e madhe të pritjes, përpara meje ishin në radhë 3 njerëz të tjerë.

Papa ishte në këmbë dhe e përshëndeti secilin një e nga një. I pari ishte një i ri që shkoi tek Papa, u përkul dhe ia puthi dorën e Gjon Palit II. Unë thashë me vete:“Jam amerikan. Ne nuk u puthim duart Papëve dhe mbretërve”. Personi i dytë, një grua e moshuar, veshur me një vello të zezë prej dantelle, qëndroi para Papës.

Ata shkëmbyen disa fjalë, dhe më pas ajo puthi dorën e shtrirë të papës. “Nuk do t’ia puth dorën!”- po vazhdoja t’i thoja vetes. “Ne patëm një revolucion në vitin 1776, duke deklaruar se ne njerëzit jemi të barabartë në sytë e Zotit”. Pasi personi i tretë puthi dorën e Shenjtërisë së Tij, vendosmëria ime u forcua akoma më shumë.

Pak sekonda më vonë erdhi radha ime. Papa Gjon Pali II më zgjati dorën. Unë u përkula dhe i putha dorën dhe ai tha:”Zoti të bekoftë!”. Unë i thashë:”Faleminderit!”. Realiteti më habiti. Çfarë mund të bëja? Ai ishte Papa. Thomas Xheferson shkroi dikur:”Asgjë nuk i jep një personi aq shumë përparësi ndaj një tjetri, sa të mbetet gjithnjë i qetë dhe i patrazuar në çdo lloj rrethane”.

Xheferson do të ishte i zhgënjyer me mua. Në fundin e viteve 1880, skulptorit të famshëm francez August Rodin iu desh gati 1 vit për të gdhendur veprën e tij të famshme “The Kiss” (Puthja) nga një bllok mermeri i bardhë. Edhe mua m’u desh gati 1 vit për të pasur guximin e mjaftueshëm për të puthur një vajzë për herë të parë në klasën e 8-të.

Si një maturant i shkollës së mesme, unë u habita kur Suzana më tha “Po”, kur e pyeta nëse do të donte të isha unë shoqëruesi i saj në mbrëmjen e maturës. Ndërsa po ngjiteshim me këmbë në një kodër, isha shumë i ndrojtur. Nuk guxova të kapja dorën e Suzanës.

Kur po i ecja pranë ndjeja aromën e flokëve të saj. Dhe kur arritëm në fund të kodrës, e pyeta nëse donte të ecnim edhe pak, por filloi të bjerë shi dhe ajo më pa me habi. Ngrita supet dhe sugjerova të shkonim të hanim nga një akullore. Por ajo tha se ishte më mirë të kthehej në shtëpi. Duhej ta kisha puthur. / Wall Street Journal” – Bota.al

Back to top button