- Moraliteti i frikshëm bashkëkohor i Game of Thrones
- Sezoni shtatë do të jetë sërish shumë i dhunshëm. Do të ketë sërish shumë seks. Dhe sërish do të rrëfejë një histori fantastike dhe përfshirëse. Por do të na japë edhe një gjë tjetër – një mësim se kërkimi i asaj që të takon dhe zemërimi kanë një çmim, dhe se drejtësia humbet, kur i vetmi objektiv që ke është fitorja. Ndoshta, i vetmi rregull i vërtetë i Game of Thrones nuk është “fito ose vdis”, por “fito dhe vdis”. Kërkimi i pushtetit, i pashoqëruar prej virtytit, është fundi i të gjithëve ne
- Mendojeni atë si Kalvinizëm pa Krishtin – vërshimi i shthurjes natyrore të njeriut. Realitetet e natyrës njerëzore nënkuptojnë se e keqja është shumë, shumë e keqe, dhe e mira është gjithashtu e prekur nga pesha e mëkatit. Ju shikoni realitetin e Letrës së Palit drejtuar Romakëve, që shpaloset në ekran. Herë pas here, personazhet nuk bëjnë të mirën që duan të bëjnë. Në vend të kësaj, ata arrijnë pikërisht të keqen që kërkonin të shmangnin
Nga David French
Në vitin 2011, HBO vuri një bast. Ajo lançoi një ekskluzivitet gjigand, përreth një historie – libri i George R. R. Martin “Këngë Akulli dhe Zjarri” – e cila njihej gjerësisht në qarqet e të fiksuarve pas leximit të fantazive epike. Sigurisht, librat ishin shumë të shitur, por ato ishin gjithashtu të vështirë për t’u përshtatur për çdo ekran, të madh apo të vogël. Dhe në qoftë se HBO dëshironte të përfitonte nga suksesi i kohëve të fundit i përshtatjes në film të librave të J. R. R. Tolkien, “Zoti i Unazave”, mund të mendonte për një sërë librash, që mund të ishin më të përshtatshëm për televizionin.
Jo, seria televizive e HBO-së, e quajtur “Game of Thrones”, sipas librit të parë në serinë e Martin-it, ka pak ngjashmëri me tregimet fantastike të Tolkienit. Tolkien nisi një zhanër të tërë letrar të fantazisë botërore, dhe pas disa dekadash me kopjacë të maskuar keq, fansat ishin mësuar me zakonet e tij. Heronjtë e rrëmbyer në botët e mbushura me magji do t’u kundërviheshin forcave të errësirës – shpesh me ndihmën e domosdoshme të artefakteve dhe talismanëve plot fuqi. Librat dhe tregimet ishin të këndshme, por pas pothuajse 60 viteve me të njëjtat gjëra, dukej se të gjithë ishin pak të lodhur.
Këtu hyn në skenë Martin …