Kinema & TV

Game of Thrones / Tre teori pse dhomat e nëndheshme të Uinterfellit, do vendosin betejën e madhe

Me Mbretin e Natës dhe ushtrinë e tij në Uinterfell, tashmë ka mbërritur beteja për mbijetesën e njerëzimit në Game of Thrones. Megjithatë, të gjallët mund të kenë bërë një gabim të madh taktik. Përgjatë gjithë episodit 2 të Game of Thrones, në sezonin final, u përsërit vazhdimisht se cilido që nuk do të luftonte të vdekurit, duhej të rrinte i sigurt në dhomat e nëndheshme të Uinterfellit. Megjithatë shumë fansa u habitën nga ky vendim, duke ditur që Mbreti i Natës ka fuqinë që të ringrejë jo vetëm të porsavdekurit, por edhe skelete të kahershëm, sic e kemi parë në shpellën e Korbit me Tre Sy.

Në mënyrë të vecantë lexuesit e librave të Game of Thrones, u shastisën sapo dëgjuan që kaq shumë njerëz – madje edhe disa personazhe të preferuar si Tyrion – do të gjenden në dhomat e nëndheshme (crypts), kur të vijë ushtria e të vdekurve, për shkak të një ëndrre ndoshta paralajmëruese që Jon Snow kishte parë dhe që tregon se, Tyrion mbase do të kish qenë më i sigurt në fushëbetejë, ku të paktën do të ishte i armatosur si duhet.

“Një natë më parë, ai kishte ëndërruar sërish Uinterfellin. Po vinte vërdallë nëpër kështjellën e boshatisur, në kërkim të babait, duke zbritur në dhomat e nëndheshme. Vetëm se këtë herë, ëndrra kishte shkuar më larg. Në errësirë, kish dëgjuar kërcitjen e gurëve që përplaseshin mes tyre. Kur ktheu kokën, pa gurët e varreve që të hapeshin. Ndërsa mbretërit e vdekur dilnin nga varret e tyre të ftohtë, Jon ishte zgjuar në mes të errësirës, me zemrën që i rrihte plot tërbim”.

Ndonëse seriali ka devijuar jo pak nga materiali burimor i George R R Martin, shumë fansa tregojnë këtë pasazh si provë që Starkët e vdekur që prehen në dhomat e nëndheshme, do të ngrihen dhe do të vrasin ata që do strehohen aty. Duhet shënuar megjithatë, se librat përfshijnë edhe një detaj, që thotë se sipas zakoneve të lashta, një shpatë e gjatë e hekurt vendosej në prehërin e lordëve dhe zonjave të Uinterfellit, “për të mbajtur shpirtërat hakmarrës në dhomat e nëndheshme”. 

Ndërkohë që fantazmat janë shumë ndryshe nga nekromancia, është e mundur që hekuri të mjaftonte për të ndalur të vdekurit që të ngriheshin – por… sa keq që në libra thuhet gjithashtu se disa prej shpatave ishin ndryshkur dhe katandisur në hicgjë, për të mos përmendur faktin që disa shpata janë hequr, ndoshta duke lejuar që disa prej të varrosurve aty, t’i përgjigjen thirrjes së Mbretit të Natës për t’u ringritur. 

Ideja që disa Starkë të vdekur, sidomos ata që ne njohim, si Ned dhe Catelyn, ngrihen nga të vdekurit për të sulmuar njerëzit e tyre, është një histori e debatueshme. Por ka mundësi që të gjithë ata që janë fshehur në dhomat e nëndheshme, të jenë të rrezikuar nga të vdekurit, që mund të jenë jo domosdoshmërisht nga Starkët. Këto vende kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm gjatë gjithë Game of Thrones, por ne kemi parë vetëm një pjesë të vogël të tyre. Ato janë në fakt më të mëdha edhe se sa vetë Uinterfelli, kështu që ka gjasa që ushtria e të vdekurve të hyjë në tunele larg prej mureve. Në këtë rast, njerëzit brenda dhomave të nëndheshme të Uinterfellit do të ishin në rrezik shumë më të madh, se sa nëse Starkët do të ngriheshin, pasi ushtria e Mbretit të Natës është shumë më e madhe se sa numri i të varrosurve nën Uinterfell.

Tunelet e nëndheshme të Uinterfellit u ndërtuan nga Bran Ndërtuesi, themeluesi i Familjes së Starkëve dhe personi që ndërtoi Murin. Kur u ndërtua Muri, ai u mvesh me magji që mundësonte mbajtjen larg të Endacakëve të Bardhë, dhe është e mundur që Bran Ndërtuesi të ketë përdorur disa prej këtyre teknikave edhe në dhomat e nëndheshme. Nëse këto dhoma të nëndheshme të Uinterfellit janë të mbrojtura me magji, kjo mund të shpjegojë përse Bran nuk donte që të shkonte atje poshtë gjatë betejës dhe pse nuk e kemi parë të zbresë atje, që kur është rikthyer; mund të shpjegojë edhe në atë pjesën ogurzezë të shfaqur nga HBO, vetëm ai mungon nga fëmijët Stark, në dhomat e nëndheshme. Pak a shumë ashtu si shpella e Korbit me Tre Sy mbrohej prej Mbretit të Natës deri kur Bran u shndërrua, dhomat e nëndheshme mund të jenë njësoj të sigurta, dhe mund të jetë vetëm Brani që mund të zbresë poshtë, të prishë magjinë dhe të lejojë qasjen e të vdekurve. Kështu që, sa kohë që Brani i përmbahet planit për të qenë karemi në Godswood, të gjithë teorikisht mund të jenë të sigurtë nga ushtria e të vdekurve.

Dhe në fund, ekziston gjithmonë shansi që dhomat e nëndheshme të Uinterfellit të jenë thjesht… dhoma të nëndheshme. Por gjasat janë që ato të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në betejën që do të vijë. Mbetet të presim dhe gjashtë ditë për të mësuar, nëse ato do të ndihmojnë kauzën e të gjallëve, apo do u shkaktojnë atyre dëme të pariparueshme. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button