Analiza

Geert Wilders përballë Spinozës

Spinoza mendonte se nuk kishte asnjë paragjykim më të dëmshëm, se sa besimi në pavdekësinë e shpirtit dhe një parajsë e një ferr të pas vdekjes, ku të virtytshmit shpërbleheshin dhe të pabesët ndëshkoheshin. Qytetarët që udhëhiqen nga frika janë “skllevër” të pasioneve iracionale, dhe kështu, të gatshëm për t’iu dorëzuar atyre që pretendojnë se e dinë mirë, se si arrihet shpëtimi personal (dhe kombëtar!). Qëllimi Spinozës – projekti i tij i përgjithshëm filozofik, moral dhe politik – ishte që të shihte zëvendësimin e politikës së frikës, nga një politikë jo thjeshtë e shpresës (e cila është jo më pak pasion se sa frika), por e arsyes

nga Steven Nadler

MADISON – Një demagog holandez nxit ndjekësit e tij në një fushatë kundër emigrantëve. Duke u bërë apel frikërave të publikut dhe pasioneve nativist, ai e shpall kulturën e emigrantëve, armiqësore ndaj vlerave holandeze dhe denoncon fenë e tyre, e cila “skandalizon të krishterët,” si një lloj sëmundjeje ngjitëse.

Në fjalime dhe ese, ai pretendon se besimi i këtyre emigrantëve, ndërkohë që ndoshta është i sinqertë, “nuk ka Perëndinë si burimin e vet”. Nëse ata nuk mund të konvertohen, atëherë duhet të dëbohen nga vendi dhe të kthehen andej nga kanë ardhur.

Ju tingëllon e njohur? Sigurisht, na kujton Geert Wildersin, Partia e Lirisë e të cilit vendosi tonin në zgjedhjet e sapopërfunduara në Holandë, të cilat u fituan prej partive të tjera, që përvetësuan pjesë të mesazhit të tij ksenofob.

Në të vërtetë, ky është një përshkrim i një prej paraardhësve shpirtërorë të Wildersit, teologut kalvinist Gijsbert Voet (Gisbertus Voetius), mbrojtës i vetëshpallur i kombit holandez, i cili më vonë u bë rektor i Universitetit të Utrechtit. Të huajt kundër të cilëve ai shfrynte në vitet 1630 ishin hebrenj Sefardikë që, në kapërcyell të atij shekulli, filluan t’i ikin inkuizicionit të Spanjës dhe Portugalisë, dhe kishin gjetur strehim (dhe begati) në Amsterdam, si edhe Judejtë Ashkenazë, të ardhur kohët e fundit për t’u shpëtuar masakrave në lindje.

Fatmirësisht fituan mendjet e ftohta, dhe fushata anti hebrenjve e Voet pati shumë pak ndikim jetëgjatë mbi politikat publike në Holandë. Hebrenjtë u lejuan të praktikojnë hapur fenë e tyre, të jetonin ku të dëshironin dhe të gëzonin – si dhe të kontribuonin për – lulëzimin ekonomik dhe kulturor të Epokës së Artë të Holandës.

Wildersi, të cilit i mungojnë kredencialet akademike të Voetit, përfaqëson gjithësesi një rrezik jo më të vogël ndaj traditës holandeze të hapjes, lirisë dhe tolerimit. Fjalimet e tij të fortë kundër myslimanëve dhe vetëshpallja e tij si mbrojtës i “Holandës e holandezëve”, janë të gjitha të përllogaritura për të tendencat më bazike etnike të qytetarëve.

Partia e Lirisë ka bërë thirrje për mbylljen e të gjitha shkollave islame, “asimilimin” e kërkuar të të gjithë imigrantëve (cilado qoftë domethënia e kësaj), dhe madje edhe ndalimin e therjes së mishit hallall. Këto dhe masa të tjera kanë për qëllim që ta bëjnë Holandën, një vend armiqësor për myslimanët.

Disa shekuj para se Wildersi të shfaqej në skenë, dhe vetëm disa dekada pas Voet “bubullinte” kundër pranisë hebraike në Republikën e Holandës, filozofi holandez Baruch Spinoza të – ai vetë një hebre i ardhur nga Portugalia – po hartonte një grup të jashtëzakonshëm argumentesh kundër politikës së frikës. Spinoza shqetësohej se federata liberale dhe laike, në të cilën protestantët, hebrenjtë, dhe madje edhe ateistët, dhe (në një farë mase), katolikët lejoheshin të vazhdonin të qetë biznesin e tyre, ishte nën kërcënim nga demagogë politikë dhe fetarë, që kërkonin ta mbanin Holandën larg nga politika e saj zyrtare e tolerancës. (Dokumenti themelues i republikës, Bashkimi i Utrechtit i vitit 1579, shpallte se “çdo individ duhet të mbetet i lirë në fenë e tij, dhe askush nuk duhet të ngacmohet apo vihet në dyshim, për temën e adhurimit hyjnor”).

Ajo që e shqetësonte më shumë Spinozën, ishte mënyra se si drejtuesit e paskrupullt mund të nxisnin pasionet fetare dhe manipulonin frikën e qytetarëve. Mbi të gjitha, ajo po inkurajonte frikën e ndëshkimit të përjetshëm, që u mundësoi kishtarëve dhe aleatëve të tyre politikë, që të kontrollonin zemrat dhe mendjet e njerëzve të zakonshëm.

Spinoza mendonte se nuk kishte asnjë paragjykim më të dëmshëm, se sa besimi në pavdekësinë e shpirtit dhe një parajsë e një ferr të pas vdekjes, ku të virtytshmit shpërbleheshin dhe të pabesët ndëshkoheshin. Qytetarët që udhëhiqen nga frika janë “skllevër” të pasioneve iracionale, dhe kështu, të gatshëm për t’iu dorëzuar atyre që pretendojnë se e dinë mirë, se si arrihet shpëtimi personal (dhe kombëtar!).

Qëllimi Spinozës – projekti i tij i përgjithshëm filozofik, moral dhe politik – ishte që të shihte zëvendësimin e politikës së frikës, nga një politikë jo thjeshtë e shpresës (e cila është jo më pak pasion se sa frika), por e arsyes. Një politikë e tillë, do të thotë se vendimet e shtetit merren mbi baza demokratike dhe me një vizion të qartë, për atë që do të ishte vërtetë më e mira për të gjithë anëtarët e sistemit shtetëror.

Wilders nuk i fitoi zgjedhjet në Holandë, si ishte trembur shumëkush; por kjo nuk do të thotë se idetë e tij kanë humbur. Teksa holandezët përballen tani me rezultatet e zgjedhjeve më të rëndësishme në disa dekada, ne vetëm mund të shpresojmë që, ata të marrin parasysh mësimet e filozofit të tyre më të famshëm dhe të mos lejojnë që të udhëhiqen nga frika dhe urrejtja. Të udhëhiqen nga vleret që përfaqësojnë Holandën dhe holandezët në më të mirën e tyre.

Sjellë në shqip dhe botuar ekskluzivisht nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Wilders vs. Spinoza

Leave a Reply

Back to top button