Speciale

Genghis Khan: Legjenda e papërsëritshme e një pushtuesi të madh

Screen Shot 2015-08-27 at 10.10.44 PM

Një luftëtar i pamëshirshëm dhe një ushtarak gjeni, Genghis Khani, hodhi themelet e perandorisë më të madhe në botë – një fat që i ishte përcaktuar që nga dita e lindjes

Jonny Wilkes

Ishte viti 1162, dhe diku në territoret e shkreta të stepës së Euroazisë, një grua ndodhej në grahmat e lindjes. Ajo e dinte se jeta do të ishte tepër e vështirë për fëmijën e saj. Ushqimi që nevojitej për rritjen e tij, ishte një sipërmarrje jo e vogël në truallin e ashpër të stepës – e cila shtrihet nga Oqeani Paqësor në Evropë – dhe luftërat midis fiseve nomade që mbijetuan atje, siç ishin edhe njerëzit e saj, mongolët, ishin të zakonshme.
Prandaj, nëse nuk donin të luftonin njëri-tjetrin, fiset duhet që të ishin të kujdesshëm ndaj dy perandorive të fuqishme në të dyja anët – në perëndim ishte zemra e qytetërimit në shekullin e XX-të, Persia, ndërsa në lindje dinastia Jin (siç njihet në Kinën e sotme).

Megjithatë, mongolët ishin trima, dhe gruaja e dinte se burri i saj, një shef fisnor, do t’i mësonte fëmijës së tyre aftësitë jetike për një jetë blegtorale, hipur mbi kuaj. Gjithësesi, dukej se qiejt prisnin më shumë nga djali ende foshnje. Sapo ai lindi, të gjithë nën çadër vunë re se kishte një shenjë në dorën e tij të vogël, çka u pa si një shenjë hyjnore, se fëmija ishte i përcaktur të bëhej një udhëheqës i fuqishëm.

Ai mori emrin Temujin, por ne e njohim atë sot si Genghis Khan, ndoshta lideri më i fuqishëm dhe pushtuesi më i madh i të gjitha kohërave. Edhe ata që e shohin si mishërim të së keqes – që vrau miliona njerëz, ndërtoi piramida me kafkat e armiqve të tij të mundur dhe rrafshoi me tokën qytete të tëra – nuk mund ta mohojnë se Khani jetoi me premisën e asaj shenje të përgjakshme qiellore. Ai bashkoi fiset shumë të ndryshme të Mongolisë, ndërtoi një ushtri moderne, shumë të disiplinuar dhe themeloi Perandorinë e fuqishme Mongole. Historia sekrete

Para se perandoria të sfidonte fëmijërinë e tij, sikurse kishte paralajmëruar e ëma Hoelun, ishte në fakt më keq sesa ajo e kishte imagjinuar. Sipas tregimit të vetëm të viteve të hershme të Khanit, “Historia sekrete e Mongolëve” (e shkruar në prag të vdekjes së tij), Temujini nuk kishte mbushur ende 10-vjeç, kur babai i tij vdiq, i helmuar nga një grup rival i fisit tatar.


Ai së bashku me nënën dhe 6 vëllezërit e motrat, ishin pa mbrojtjen e një shefi, dhe të braktisur nga klani i tyre për t’ia dalë vetë. Të poshtëruar e të dëshpëruar, ata jetonin në varfëri, duke ngrënë rrënjë, fruta dhe çdo gjë që mund të gjenin. Adoleshenti Temujin u ashpërsua nga këto përvoja, dhe me vullnet në plotë filloi të bëhej i dhunshëm, duke përfshirë një incident të supozuar, kur ai qëlloi gjysmë-vëllain e tij me një hark, pasi e mësoi sesi vihet mënjanë mishi pas një gjuetie.

Gjatë gjithë viteve ‘70 të shekullit XII-të, Temujini mësoi se cilit fis mund t’i besonte, si dhe rëndësinë e aleancave. Në një rast, ai u kap dhe u poshtërua nga ish aleatët – arriti të arratiset me ndihmën e një anëtari simpatizant të fisit – por në një tjetër rast, formoi një aleancë, duke u martuar me një vajzë të quajtur Börte. Martesa e tyre ishte e stisur nga babai i tij, dhe sipas “Historisë Sekrete”, Temujini ishte dashuruar çmendurisht pas saj.

Kur Börte u rrëmbye nga Merkitsët, ai kërkoi ndihmën e “vëllait të tij gjakut”, Jamuka dhe një princi mongol, që e furnizoi atë me një ushtri prej 20 mijë burrash. Me bandën e tij të luftëtarëve, Temujini ishte më në fund në pozitën për të marrë hak kundër atyre që e dëmtuan, duke filluar me shpartallimin e përgjakshëm të Merkitsëve, si dhe duke shpëtuar Börten.

Teksa edhe fise të tjera u mundën, fuqia e Temujinit u rrit, ndërsa ai zbatoi me zgjuarsi qasjen e karrotës dhe shkopit. Metoda e karrotës, pa të asimiloheshin popujt e pushtuar – në atë masë saqë jetimët adoptoheshin në familjen e tij – kështu që ata ishin të sigurtë në bazë të ligjeve të tij të krijuara rishtas, Yassa. Si një udhëheqës shumë karizmatik, ai frymëzoi besnikëri në mesin atyre që mposhti.

Por më e rëndësishmja është se ai inkurajoi një shoqëri meritokratike, duke ngritur në detyrë njerëzit sipas aftësive të tyre, çka do të thoshte, që edhe barinjtë mund të bëheshin gjeneralë. Një shembull i tillë ishte Zurgadai, i cili në betejën e vitit 1201, e plagosi Temujinin në qafë me një shigjetë. Kur beteja u fitua, Temujini kërkoi të dijë se kush qëlloi mbi të, dhe Zurgadai e pranoi autorësinë.

I impresionuar nga ndershmëria e tij, Temujini ia fali jetën, i dha emrin ‘Jebe’ (ose ‘Shigjeta’) dhe një pozitë drejtuese në ushtrinë e tij. Por ky rast nuk do të thotë se Temujini ishte kundër përdorimit të shpeshtë të shkopit.
Ai ishte një kryekomandant brutal, që vuri shumë njerëz nën tehun e shpatës. Pasi asgjësoi tatarët, të cilët ishin përgjegjës për vdekjen e babait të tij, Temujini urdhëroi vrasjen e të gjithëve atyre që ishin më shtatlartë sesa boshti i karrocës, që në fakt ishte cilido, me përjashtim të fëmijëve.

Duke u bërë Genghis

Kërcënimi më i madh për Temujinin, tashmë Khan (ose sundimtar sovran) i Mongolëve, në fakt erdhi nga Jamuka, i cili u rrit i prekur nga praktika e meritokracisë, që zbatoi miku i tij i vjetër. Në vitin 1187, Jamuka kishte mposhtur forcat e Temujinit, para se të ziente të gjallë dhjetëra gjeneralë të mundur.

Më vonë, Temujini e përshkruan kështu reagimin e tij, për këtë akt të tmerrshëm: “Në emër të fuqisë së qiellit, unë betohem se do të marr hak. S’do të mposhtem më asnjëherë, as luftëtarët e mi besnikë, nuk do të çnderohen në këtë mënyrë”. Kjo përçarje u ndje nga e gjithë bota mongole, teksa shefat e fiseve u mblodhën për të mbështetur njërin apo tjetrin, në një konflikt që zgjati për vite më rradhë. Në verën e vitit 1204, Temujini korri fitoren vendimtare ushtarake, duke e detyruar Jamukan të fshihet. Mesa duket njerëzit e tij e tradhtuan dhe e çuan tek Temujini (që e ekzekutoi për tradhti). Edhe pse Temujini kishte urdhëruar një ripajtim, Jamuka kërkoi një vdekje me nder. Me ekzekutimin e Jamukas, të gjithë kundërshtarët e pushtetit suprem të Temujinit, u zhdukën.

Në të njëjtin vit, një këshill i shefave fisnorë u takua në lumin Onon dhe e shpalli Temujinin sundimtar të të gjitha fiseve të bashkuara, që kolektivisht u quajtën Mongolë. Duke qenë se asgjë e ngjashme nuk ishte parë e dëgjuar më herët, një titull i ri duhej t’i jepej: Genghis Khan (që mendohet se do të thotë ‘sundimtar universal’).

Ndërsa Khani është më tepër i mirënjohur për lumenjtë e gjakut dhe malet me kafkat e atyre që kishte pushtuar, vetë Mongolia ndryshoi në mënyrë dramatike gjatë sundimit të tij, në sajë të disa ligjeve mjaft progresive, si ndalimi i skllavërimit të mongolëve dhe shitjes së grave, si dhe promovimi i lirisë fetare.

Edhe pse analfabet, Khani e njihte ndërkaq rëndësinë e fjalës së shkruar, ndaj urdhëroi marrjen në punë të një skribi për të regjistruar të dhënat e ndryshme. Për të lehtësuar komunikimin me të gjitha territoret që kishte nën zotërim, ai zgjeroi sistemin e ‘Yam’-it, një rrjet lajmëtarësh që shtrihej në të gjithë perandorinë e tij. Duke vepruar si një zinxhir stacionesh (ku kuajt e lodhur mund të zëvendësoheshin me të tjerë më të freskët), mesazhet mund të udhëtonin qindra milje në ditë. Kjo përbënte qartazi një përfitim të madh për ushtrinë, e cila ishte përherë prioritare për Khanin. Ushtria mongole përbëhej thuajse e gjitha nga kalorësia. Popujt e stepës ishin kalorës natyralë, por të paorganizuar. Kështu Khani krijoi një program trajnimi dhe i shndërroi luftëtarët e tij në një njësi të disiplinuar dhe të mirëpajisur. Ai ishte një mjeshtër i taktikave, (duke përdorur sprasjen e trilluar me mjaft efektshmëri), në një kohë që përdorte luftën psikologjike, duke e urdhëruar secilin prej njerëzve të tij të ndizte nga 5 zjarre secili, në mënyrë që ushtria e tij të dukej më e madhe sesa ajo e armikut.
Deri atëherë, arma më e rëndësishme në arsenalin mongol ishte harku. Jashtëzakonisht i fuqishëm dhe me një saktësi vdekjeprurëse, shigjeta e lëshuar nga një hark mongol mund të çante armaturën e çdo kalorësi hipur mbi kalë. Stërvitja e rreptë, do të thoshte se ushtarët mund të qëllonin në momentin e saktë, kur kuajt ishin me këmbë në tokë, për të siguruar kësisoj goditjen më të saktë të mundshme.

Tmerr dhe tronditje

Khani marshoi me ushtrinë e tij moderne nëpër shkretëtirën e Gobit – jo diçka e vogël në vetvete – për të pushtuar mbretërinë veri-perëndimore kineze të Xixia-s. Ai e dinte se shtetet kineze ishin të lumtura të injoronin fiset e stepës, ndërsa këta të fundit e luftonin njëri-tjetrin. Por ata gjithësesi, nuk do të toleronin dot një forcë kaq të fuqishme në kufirin e tyre.

Kështu që filloi luftën ndaj tyre. Ndërsa luftëtarët e tij zhvendoseshin pa rezerva të shumta dhe të rënda, ata lëvizinin në të gjithë vendin me një ritëm shumë të shpejtë, bastisnin dhe plaçkisnin kudo ku ata shkonin. Kjo ishte një formë efektive e shokut dhe frikës, që shkaktoi dorëzimin e shpejtë të sundimtarit të Xixia-s, pavarësisht se mongolët ishin më të të paktë në numër, në çdo betejë. Ndërkohë, Khani iu kthye perandorit të dinastisë Jin, pasi ai kishte provokuar mongolët me një mesazh: “Perandoria jonë është aq e madhe, sa edhe deti. E juaja është sa një grusht rëre. Si mund të kemi frikë nga ju?” Duke filluar nga viti 1211, vendi u shkatërrua pa mëshirë, ndërsa qindra- mijëra ushtarë kinezë vdiqën.
Muri i Madh i Kinës nuk shërbeu aspak si një mjet mbrojtës, teksa Khani marshoi me ushtrinë e tij. Khani ishte me të vërtetë një gjeni ushtarak, kur bëhej fjalë për aftësinë e tij për të përshtatur strategji të reja, si p.sh rrethimi në luftë. Duke përdorur ekspertizën e inxhinierëve kinezë, u ndërtuan katapulta për rrethimin e kryeqytetit Jin, Zhongdu (Pekini i sotëm) në vitin 1214. Ndërsa mongolët sulmuan, duke përdorur të burgosurit e armikut si mburoja njerëzore, mijëra vdiqën brenda në qytet nga uria, sëmundjet ose duke kryer vetëvrasje. Është e lehtë të kuptohet frika e përballjes me një hordhi mongole – plaçkitja e Zhongdu-së ishte aq intensive, sa thuhet se toka u bë e shkëlqyeshme nga dhjami i njerëzve dhe një mal me kocka qëndronte jashtë mureve. Skena të ngjashme, në shkallë edhe më të mëdha, ndodhën mijëra milje në perëndim disa vjet më vonë, kur Mongolët pushtuan Perandorinë Khwarezm (që shtrihej në Turkmenistanin, Uzbekistanin, Afganistanin dhe Iranin e sotëm).

Fillimisht, Khani kërkoi të lidhë marrëdhënie tregtie me këtë rajon, por ai nisi luftën, kur njëri prej karvanëve të tij u sulmua dhe ambasadorit mongol i prenë kokën. Duke filluar nga viti 1219, ajo u shndërrua në një luftë të barbarizmit absolut dhe egërsisë, madje edhe sipas standardeve mongole. Sërish, mongolët ishin më të paktë në numër, por asgjë s’mund t’i ndalonte ata nga shkatërrimi i plotë i qytet pas qyteti, duke shfarosur miliona jetë njerëzore (ka pasur kaq shumë piramida me kafka, saqë është e pamundur të dihet me saktësi numri i viktimave. Nga viti 1221, dinastia Khwarezm pushoi së ekzistuari.

Profecia e papëmbushur

Perandoria Mongole shtrihej nga Deti i Japonisë në Detin Kaspik, por kur Khani u rikthye në Mongoli në vitin 1225, ishte i pakënaqur. Ai besonte se kishte lindur për të pushtuar gjithë botën, dhe se shenja e mpiksjes së gjakut, që ai mbante në krah që prej lindjes, ishte një sinjal se ishte i favorizuar nga qiejt.

Megjithatë, pas dy dekadave fushatash ushtarake të vazhdueshme, Khani ishte në të gjashtëdhjetat e tij, dhe gradualisht po e linin forcat. Ai kishte frikë se do të vdiste pa e përmbushur atë profeci. Prandaj, pushtimet vazhduan pandërprerje deri në vdekjen e tij. Ai dërgoi gjeneralët përtej në Evropë dhe Rusi, dhe luftoi edhe njëherë kundër Xixia-s, për të ndëshkuar ata që kishin refuzuar të jepnin ushtarë për pushtimin e Khwarezm-it.
Vetëm pak pas asaj fitoreje në 18 gusht 1227, Khani i madh vdiq. Rrethanat e vdekjes së tij janë të paqarta, edhe pse një legjendë thotë se shëndeti i tij u përkeqësua, pasi u rrëzua nga kali i tij – një fund ky ironik, për udhëheqësin që farkëtoi kombin dhe perandorinë më të madhe në botë, pikërisht në krye të një armate kalorësish.

I përbuzur si një nga tiranët më të këqij gjenocidalë që kanë jetuar ndonjëherë; i admiruar për ndërtimin e një perandorie që lidhte lindjen dhe perëndimin; dhe i adhuruar ende sot nga disa në Mongoli si një zot, Genghis Khani ka lënë shenjën e tij në gati çdo qytetërim.

Ashtu si plagët e luftërave të tij, që ende ekzistojnë nga Evropa në Kinë, thuhet se një në 200 njerëz të gjallë sot mund të gjejë tek vetja, gjurmët e trashëgimisë së tij. Perandoria e tij mund të jetë zhdukur prej kohësh, por, në një farë mënyre, ai arriti atë që kishte frikë se nuk do të mundte dot kurrë – pushtimin e botës.

H Revealed – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button