Magazine

GERARD DEPARDIEU / Francezi më i famshëm në botë, kundër të gjithëve

  • “Hollande është një karikaturë e Makiavelit. Une petite merde”.
  • “Marine Le Pen nuk është një kërcënim; Eshtë thjeshtë një seri dënglash. Por ajo është një kafshë politike.”
  • “Macron është si e bardha e vezës: nuk di asgjë. Edhe i caktuar nga Attali dhe Hollande, e bardha e vezës vazhdon të mos ketë shije”
  • “Liria nuk ekziston më. Barazia është një ëndërr. Mbetet pak vëllazëri. Sepse njeriu në origjinë dhe në thelb është i mirë. Megjithatë, unë s’kam as mitin e Revolucionit”
  • Unë dhe Putini? Ne nuk kemi një marrëdhënie politike, por shpirtërore. I shkruajmë njëri-tjetrit. “Ashtu si unë, ai ka lindur nga një mrekulli: shtëpia e tij u shkatërrua nga bombat naziste në rrethimin e Leningradit, nëna e tij u konsiderua e vdekur; babai i tij e mori zvarrë për në spital dhe e shpëtoi. Ashtu si unë, Vladimir u rrit në rrugë. Një bandit që u bë një polic”

Gérard Depardieu, ju, francezi më i njohur në botë, nuk keni komentuar ende mbi zgjedhjen historike që duhet të bëjë Franca.

“Fama nuk më intereson: është palestra e egoistëve. Dhe unë nuk jam i interesuar për politikën”.

Kjo nuk është e vërtetë: keni mbështetur Sarkozynë.

“Por, unë kurrë nuk kam votuar. Kam qenë në një nga takimet e tij, jam ngjitur në skenë, kam improvizuar disa fjalë”.

Keni thënë: “Flitet vetëm keq për këtë njeri, por ai bën vetëm mirë”.

“Ai u përpoq që të bënte mirë. Tani Fillon dhe të tjerët e kanë shkatërruar punën e tij: e djathta republikane është bërë copë. E vlerësoj ende Nicolas Sarkozynë. Në mos për gjë tjetër, të paktën se tregoi që për të bërë politikë, duhet të bësh duart pis. Unë kurrë nuk kam njohur një njeri të pushtetshëm, që të ketë qenë me të vërtetë i sinqertë. Kurrë”.

Kë votoni, mes Marine Le Pen dhe Macron?

“Unë nuk votoj. Kam votuar një herë në jetën time, në vitin 1981: Mitterrand. Një njeri jashtëzakonisht shumë i ditur. Ishte ai që Hollande do të donte të ishte: Një student i Makiavelit”.

Hollande nuk është?

“Hollande është një karikaturë e Makiavelit. Une petite merde”.

Dhe Marine?

“Marine Le Pen nuk është një kërcënim; Eshtë thjeshtë një seri dënglash. Globalizimi nuk mund të ndalet duke shkuar prapa, duke u kapur pas nacionalizmit, duke u hedhur në krahët e injorancës”.

Më mirë Macron?

“Jo. Macron është si e bardha e vezës: nuk di asgjë. Edhe i caktuar nga Attali dhe Hollande, e bardha e vezës vazhdon të mos ketë shije. Zëri i Macron nuk më mbërrin tek unë, nuk më hyn brenda meje. Unë nuk e njoh, nuk e kuptoj: Unë shoh vetëm sipërfaqen, asgjë tjetër. Eshtë i ngurtë. Dueli i vërtetë është Monaco-Juventus, dhe jo debati televiziv:. Një shfaqje e padobishme”. (marrë nga bota.al)

Kush reciton më mirë?

“Marine. Zëri i saj vjen tek unë. Ajo është një folëse e shkëlqyer”.

Duhet të jetë një aktore e mirë?

“Jo, por ajo është një kafshë politike. Ajo nuk është ndërtuar në laborator; është një tribunë e talentit. E nxitur nga një ambicie e pakufishme. E ka civilizuar pak Frontin Nacional: partia e saj nuk është më ajo e babait. Megjithatë, ka ende një fund të keq. Një zebër nuk mund të ndryshojë vijat e saj. Për këtë arsye, Marine Le Pen mbetet një rrezik”.

Por ju nuk pranoni të zgjidhni.

“Sepse unë nuk besoj në politikë. Unë besoj tek njeriu. Nga kriza dilet duke hyrë në lojë, duke u përballur me jetën, duke filluar të buzëqeshësh, duke u hapur me të tjerët. Unë jam rritur në mesin e keqbërësve, por nuk e gjej veten në romanticizmin alla Gomorrra; besoj tek shpengimi. Franca sot është një vend i trembur. Ajo është e heshtur, e shurdhër. Ka frikë nga çdo gjë. Eshtë si Franca e vitit 1941, e cila iu ofrua Hitlerit. Ka nisur ta shohë sërish botën, nga prapa grilave të mbyllura”.

Ju besoni tek Evropa?

“Evropa është një utopi e mrekullueshme që mund të bëhet realitet nesër. Por ne kemi nevojë për një president të zgjedhur nga njerëzit e Evropës”.

Marine Le Pen do ta shkatërrojë atë.

“Nuk mendoj kështu. Gjatë fushatës zgjedhore ajo ka ndryshuar qitje. Nuk dëshiron të largohet nga euro”.

Dhe pretendon trashëgiminë e de Gaulle.

“Nuk kam mitin e Gjeneralit. Kush e ka nuk ka jetuar në Francën goliste. Borgjezia konservatore ishte e padurueshme. Familja ime u dëbua nga lagja me shkelma”.

Ju tani keni pasaportë ruse. A ju kanë falur francezët?

“Nuk jam unë që kam braktisur Francën, për më tepër pasi kam paguar 150 milionë në taksa; janë francezët që kanë braktisur vetveten. Kanë humbur shijen e aventurës. Ndjenjën e lirisë”.

Motoja kombëtare mbetet liri, barazi, vëllazëri.

Liria nuk ekziston më. Barazia është një ëndërr. Mbetet pak vëllazëri. Sepse njeriu në origjinë dhe në thelb është i mirë. Megjithatë, unë s’kam as mitin e Revolucionit”. (marrë nga bota.al)

Pse?

“Eshtë shtruar me kufoma. Ekzekutimi i Luigjit XVI ishte një tragjedi. Robespierre dhe Saint-Just ishin dy kriminelë. Ne francezët duhet të jemi më pak arrogant. U sollëm si kriminelë edhe në Algjeri”.

Atëherë ka të drejtë Macron, i cili flet për “krim kundër njerëzimit”.

“Nuk do të arrini të më bëni të flas mirë për Macron”.

Çfarë mendoni për historinë e tij me Brigitte?

“Është normale të duam një person më të moshuar. Dashuria ndjek shtigje misterioze. Mendoni që nëna e babait tim kishte një histori me gjyshin nga nëna ime”.

Në Francë ka shumë emigrantë?

“Nga emigrantët mund të mësojmë shumë”.

Ju keni qenë Cyrano, Danton, dhe madje edhe Strauss-Kahn. Çfarë mendoni për të?

“Do të kish qenë një president më i mirë se Hollande. Ai “e hëngri” prej puritanizmit të amerikanëve”.

Ju nuk i doni amerikanët?

“Nuk dua puritanizmin; për shembull e urrej Tintinin, një informator. Që në fakt u pëlqen amerikanëve. Ata mbajnë me të madhe virtytin, e pastaj zgjedhin Trumpin. I cili në 100 ditë nuk ka bërë asgjë.

Juppe do të bëhej një president i mirë?

“Mua nuk më pëlqen. Ai është një njeri i dorës së dytë”.

Chirac?

“Simpatik. Një njeri i popullit. Detyruar drejt vrasjes, si të gjithë politikanët. Por duart e tij nuk ishin të ndotura me gjak. “

Mélenchon?

“Një tjetër tribun, i cili mbështet ide jo të mundshme në botën e sotme”.

Houellebecq?

“Më pëlqen që është dandy, më pëlqen guximi i tij”.

“Soumission”, a nuk është një roman provokues?

“Epo atëherë të dënojmë edhe De Saden. Houellebecq nuk është provokues; Ai është i sinqertë. E vetmja gjë e rreme që ka janë dhëmbët e tij”.

Në librin e fundit, “I pafajshëm”, ju Depardieu sulmoni “filozofët me këmishë të bardhë”. E keni fjalën për Bernard-Henri Levy?

“Sigurisht. Nuk e duroj dot. Ai bëri thirrje për veprim kundër Sadamit, pastaj kundër Gadafit, tani kundër Putinit”.

Mikut tuaj të madh.

“Ne nuk kemi një marrëdhënie politike, por shpirtërore. I shkruajmë njëri-tjetrit. Ashtu si unë, ai ka lindur nga një mrekulli: shtëpia e tij u shkatërrua nga bombat naziste në rrethimin e Leningradit, nëna e tij u konsiderua e vdekur; babai i tij e mori zvarrë për në spital dhe e shpëtoi. Ashtu si unë, Vladimir u rrit në rrugë. Një bandit që u bë një polic”.

Pse ju keni lindur nga një mrekulli?

“Nëna ime nuk më donte. U trondit kur zbuloi që babai i saj shkonte në shtrat me vjehrrën. Ajo u përpoq të ndërpriste shtatzëninë me mjete rrethanore. Nuk kam mësuar asgjë, kam përjetuar gjithçka. I vetmi institucion që ka mësuar ndonjë gjë nuk ishte shkolla, por xhandarmëria”.

Si vallë?

“Vidhja. Jam arrestuar, edhe për vjedhje makinash. Xhandarët ishin në thelb dashamirës. Unë i urrej rebelët e majit ’68, të cilët i krahasoja me SS-ët”

Në ’68, ku ishit ju?

“Në Paris, por jo për të kontestuar; për të “lehtësuar” protestuesit nga orët dhe varëset. Ata ishin të gjithë fëmijë të të pasurve. Babai im shiste “L’Humanité”, gazetën komuniste, por nuk dinte ta lexonte: ai ishte analfabet”.

Ju keni xhiruar dhjetë filma me Catherine Deneuve dhe keni pasur një histori dashurie me Carole Bouquet. Si i shihni gratë?

“Ato janë shumë më të mira se ne. Unë jam një i egër por jo grabitqar: duhet të respektohet gruaja. Ka më shumë rëndësi miqësia, se sa seksi. Unë jam një mik i ngushtë i Fanny Ardant. Unë kam qenë një mik i ngushtë i Barbaras”.

Në botë keni sjellë Hygonë, Balzakun, Dymanë. Dhe Napoleonin, xhiruar në Hungari, falë Orbanit…

“…Atëherë ishte një i majtë. Nuk kish nisur ende të ngrinte mure idiote”.

Pra ka edhe një globalizim pozitiv.

“Sigurisht. Por kultura është tani në duart e amerikane. Në Cannes gjeje Jean Gabin, një francez si francezët që na pëlqejnë. Sot ftojnë Rocco Siffredin. Franca rrezikon të bëhet një Disneyland, ku vjen për të bërë një selfie dhe për të blerë djathë. Vendi është duke u bërë një shkretëtirë. Po zhduken fermerët e vegjël. Ndërsa ju dhe unë jemi duke folur këtu në Montparnasse, ka fermerë që djersisin energjitë e tyre të fundit në fusha që, pas vdekjes së tyre, do të bëhen parkim i një supermerkate”.

Kush do të fitojë të dielën?

“Nuk e di. Loja është ende e hapur”. / Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera – Përgatitur nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button