Kanë kaluar 75 vjet që kur Rick Blaine (Humphrey Bogart) do të ndahej nga Ilsa Lund (Ingrid Bergman) në një aeroport të mjegullt të Casablanca-s. Shfaqja e parë e saj u realizua në 26 nëntor të vitit 1942 në teatrin e Hollivudit në Nju Jork, por shfaqja zyrtare u realizua në 23 janar 1943. Pra këtë vit mbushen treçerek shekulli që nga i paharrueshmi film i Michael Curtiz: “Një ditë do ta kuptosh. Hajde, hajde, …shko me të Ilsa!” thotë Bogarti në lamtumirën e tij me Bergmanin që e detyron të hipë në një avion bashkë me bashkëshortin e saj, Victor Laszlon (Paul Henreid). Edhe pas 75 vitesh ka nga ata që se kuptojnë se pse Rick-u hoqi dorë nga dashuria e tij. Thuhet se xhirimet nisën pa e ditur fundin, pa e ditur nëse do të ishte Rick apo Victor Laszlo ai që do të mbetej me Ilsën.
Kronikat e kohës tregojnë që xhirimet e këtij filmi ishin shumë kaotike. Protagonisti ishte shumë i shkurtër për xhirimin e disa skenave, pianisti Sam i luajtur nga Dooley Wilson nuk dinte të luante në piano. Asnjë nga producentët dhe skenaristët, aktorët madje as edhe vetë regjisori që xhiruan Kazablankën në studiot e Warner Bros, nga të cilat vetëm skena e aeroportit u xhirua jashtë, mendonin se do të fitonin 3 çmime Oskar nga Akademia: filmi më i mirë, regjisori më i mirë dhe skenari më i mirë. Rick ishte persoanzhi romantik në kuptimin e ngushtë të fjalës për Humphrey Bogartin, zgjedhja e të cilit në këtë rol ishte polemizuese sepse thuhet në fillim e kishte refuzuar Ronald Reagani. Me kalimin e kohës Reagani do të shndrrohej në presidentin e Amerikës dhe Bogarti në legjendë.
Me rastin e 70 vjetorit u bë e ditur se Warner Bros kishte hapur dritën jeshile për xhirimin e një serie të dytë të shkruar nga Howard Koch, një nga tre skenaristët bashkë me Julius J. Epstein dhe Philip G. Epstein dhe që e kishte braktisur idenë prej dekadash. Sipas këtij skenari që mbante një titull “Kthim në Kazablanka” me largimin nga Kazablanka, Ilsa e kupton se është shtatzanë dhe lind një djalë që do të rritet në tokat amerikane.
Ilsa i rrëfen Laszlos që fëmija nuk është i tij, por i Rick-ut, diçka që i shoqi e pranon dhe vendos ta rrisë sikur të ishte i tij. Kur fëmija i quajtur Richard, rritet e bëhet një djalë i bukur dhe me zemër të madhe, mëson të vërtetën dhe kërkon të njohë të atin apo të dijë pak më shumë për të meqë pjesëmarrja në rezistencë e kishin shndrruar Rick-un në një legjendë në Kazablankë. Sipas Koch, i cili vdiq në vitin 1995, ngjarjet e filmit do të vendoseshin në vitin 1961 kur njëzet vjeçari Richard do të mbërrinte në Kazablankë pas vdekjes së të ëmës dhe të Laszlos për të ditur më shumë për babain e tij të vërtetë. Një histori që Cass Warner është përpjekur disa herë për ta realizuar, por pa sukses. Me rastin e 75 vjetorit të shfaqjes, të shohim pasi studioja e ka një projekt që ka vite që endet në ujëra të ndenjura, ndërkohë për ne… “Gjithmonë do të na mbetet Parisi!”