Bota

Gjyle, shpërfillje, bojkote. Nuk ka paqe mes Putinit dhe Erdoganit

put

Të dielën një gjyle paralajmëruese kundër një peshkarexhe turke që lundronte në detin Egje. Dje, një tjetër ndërhyrje kundër një anije tregtare turke, fajtore se po pengonte lundrimin e një skuadre detare ruse në Detin e Zi. Dhe në fund, në rrafshin politik diplomatik, “stërkëmbëshi” i Moskës, që e arriti kulmn me anulimin e samitit mes presidentëve të Turqisë dhe Rusisë, i cili ishte parashikuar për sot.

Vladimir Putini po bën gjithçka që ka në dorë, vetëm e vetëm për të mbajtur premtimin, që siç ka thënë, ta bëjë të pendohet homologun e tij, Rexhep Taip Erdogan. Presidenti rus ishte betuar që në 24 nëntor, kur presidenti turk refuzoi të kërkojë falje për rrëzimin e avionit bombardues rus “Sukhoi”, i akuzuar se kishte shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, gjatë sulmeve mbi qiejt sirianë. (Lexoni edhe: PERSPEKTIVE / Historia shekullore e konfliktit, mes Rusisë dhe Turqisë në bota.al)Por Erdogani ndoshta nuk imagjinonte një kundërpërgjigje kaq konstante dhe të përpiktë. Pas premtimit për të ndërprerë të gjithë importet e frutave dhe perimeve nga Turqia, prej një janarit, si dhe dëbimin e menjëhershëm të disa kompanive turke nga territori rus, Moska duket se është e angazhuar tashmë në një luftë të vërtetë nervash kundër “armikut” turk. Një luftë që shtrihet në të gjithë frontet, nga ai politik, deri në atë detar. Gjylja e parë, dhe jo në kuptimin metaforik, u lëshua të dielën, kur një peshkarexhë turke që lundronte në Detin Egje bëri gabimin, që t’i afrohej shumë fregatës ruse “Smetlivy”, e cila ishte e angazhuar, mes të tjerave, në operacionet në frontin sirian.

Sipas versionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Moskës, peshkarexha kishte ndryshuar krejt papritur drejtim gjatë kalimit të fregatës, duke iu afruar deri 600 metra dhe duke vazhduar lundrimin, pavarësisht alarmeve në radio, për një përplasje të mundshme. Kështu, gjithmonë sipas versionit rus, ekuipazhi i anijes ushtarake vendosi të godasë një herë, për të bindur peshkarexhën që të ndërrojë drejtim. Ndërsa dje, “skërmitja” e rusëve ka patur si teatër Detin e Zi. Aty, njëanije tregtare turke, u detyrua të ndryshojë drejtim nga dy luftanije me flamurin e Moskës, sepse, gjithmonë sipas versionit të rusëve, pengonte kalimin e një karvani detar, i cili po transportonte nga Odessa, “në ujërat territoriale ruse”, dy platforma nafte, që do të përdoren për shpime nga ana e kompanisë “Cernomorneftegaz”.

“Hakmarrja” më e fortë ndaj Erdoganit, megjithatë, është ajo diplomatike. Nuk mjaftoi që i përplasi derën në fytyrë në Paris, gjatë samitit për klimën, ku Erdogani kishte tentuar një pajtim. Presidenti rus u dha urdhër të tijëve që të anulonin edhe samitin presidencial, për të cilin ishte rënë dakord në 16 nëntor, gjatë takimit të G20-ës në Ankara. “Niet”-i i Putinit është edhe më nënçmues, për arsye se vjen në një kohë kur Erdogani duket i angazhuar në shtrimin e rrugës së vështirë të ripajtimit.

“Për sa na takon, nuk dëshirojmë të mbajmë asnjë konflikt të hapur. Duam të vazhdojmë të zhvillojmë të njëjtën marrëdhënie strategjike me Rusinë, siç kemi bërë gjatë viteve të fundit”, ka deklaruar dje Erdogani në televizion.

Por jo më larg se të premten, presidenti rus, duke iu drejtuar Ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoighu dhe gjeneralëve të tij, ka urdhëruar që të jenë në gatishmëri për të shkatërruar menjëherë “çdo objektiv që është në gjendje të kërcënojë forcat ruse dhe infrastrukturat tona”. Një urdhër i dhënë për gjeneralët, por që tignëllon si një paralajmërim për Turqinë e Erdoganit./IlGiornale – Bota.al

Lexoni edhe: PERSPEKTIVE / Historia shekullore e konfliktit, mes Rusisë dhe Turqisë

Si mund ta kuptojmë veprimin e turqve, hera e parë që nga viti 1952, që një vend i NATO-s ka rrëzuar një avion rus? Dhe si mund ta kuptojmë reagimin e fortë të Rusisë, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve, ndaj një Turqie deri më sot mike? Duhet të kuptojmë armiqësinë historike mes Rusisë dhe Turqisë, si dhe çështjet më kyçe që vazhdojnë t’i ndajnë

Leave a Reply

Back to top button