Bota

“Godit, përpara se të të godasin”. Ja politika e jashtme e Putinit

Screen Shot 2015-12-03 at 21.16.17

Shumëkush është habitur, me vendosmërinë me të cilën presidenti rus, Vladimir Putin lufton terroristët e Shtetit Islamik në Siri. Në të vërtetë, që në vitin 1999, kur Rusia luftonte kundër separatistëve çeçenë (të lidhur dyfish me xhihadistët), Putini përdori fjalë të zjarrta, të cilat u pasuan me veprime të fortë: “Kudo që të jenë, do i shkatërrojmë. Edhe sikur të jenë në banjë, do i zhysim në tualet”. Presidenti rus ka kujtuar disa herë se si, që fëmijë, kish qenë i detyruar të rrihej me grushta në rrugët e Leningradit: “Nëse grindja është e pashmangshme, atëherë godit i pari”. Dhe këtë po përpiqet të bëjë Putini, në politikën e jashtme.

Kryqi dhe Gjysmëhëna

Në vitin 1941, kur gjermanët tashmë të sigurtë për fitoren përparonin drejt Moskës, Stalini urdhëroi që ikona e Madonës së Vladimirit të ngarkohej me shpejtësi në një avion, për të qëndruar mbi kryet e qytetit, për ta bekuar atë dhe për ta mbrojtur nga përparimi i nazistëve. Vermahti, disa ditë më vonë, u tërhoq. Kjo anektodë, edhe pse konsiderohet apokrife nga Kisha ortodokse, shërben për të rrëfyer se si, pavarësisht nismave sovjetike për të vënë përfund kristianizmin në Rusi, besimi mbeti gjallë, në mos në formë, të paktën në zemrën e popullit rus. Putini këtë e dinte që në fillim të aktivitetit të tij politik, dhe kështu u përpoq të realiznte një afrim mes Rusisë dhe Kishës Katolike.

Putini e riafroi regjimin me Kishën Ortodokse dhe ka kërkuar mbështetjen e botës islamike, i vetëdijshëm se në Rusi jetojnë njëzetë milionë myslimanë dhe që, siç ka pohuar Eduard Limonov, “nuk janë imigrantë, janë këtu ngahera”. Kështu Putini, nëse nga njëra anë lufton terroristët e Shtetit Islamik, nga ana tjetër inauguron xhaminë më të madhe në Europë. Në fjalimin e inaugurimit, Putini ka nënvizuar dallimin mes islamit të moderuar dhe terroristëve, dhe ka kujtuar se xhihadistët e ISIS-it “kompromentojnë” fenë islamike me një ideologji të bazuar në “gënjeshtrën”.

Për të mos u nënvlerësuar është edhe “aleanca e shenjtë” mes Putinit dhe Papa Françeskut: të dy janë takuar disa herë, duke e shqetësuar jo pak Obamën.

Assadi po, apo Assadi jo?

Prej dy muajsh, avionët rusë bombardojnë pozicionet e Shtetit Islamik dhe luftëtarët kaedistë në Siri. Një aksion i bashkërenduar me qeverinë Siriane, e si pasojë i ligjshëm në planin e të drejtës ndërkombëtare. Në këtë hapësirë të shkurtër kohe, aviacioni rus ka bërë më mirë se sa koalicioni i udhëhequr nga SHBA (jo rastësisht tani xhihadistët janë transferuar në masë në Libi). Putini ka ndërhyrë mbi të gjitha për t’u mbrojtur nga terroristët rusë, por edhe për të qetësuar, të paktën për momentin, një situatë jo pak me rrezik për të gjithë Lindjen e Mesme.

Edhe në këtë rast, Putini ka luajtur i pari: “Nëse sherri është i pashmangshëm, atëherë godit i pari”. Mbështet Assadin, e konsideron një aleat të besueshëm dhe po e shtyn që të dialogojë me forcat e opozitës. Objektivi është që, pasi të jetë asgjësuar ISIS, të zhvillohen zgjedhje të reja në Siri, dhe të jetë populli që vendos për qeverinë e re.

Loja e madhe

Me futjen në tabelën e shahut siriane, Putini ka zëvendësuar Perëndimin, duke rikthyer Rusinë mes ndërmjetësve themelorë të SHBA dhe Europës. Në rast se ia del, bashkë me ushtrinë siriane dhe me forcat shiite të Hezbollahut dhe Pasdaranëve, që të mposhtë ISIS-in, udhëheqësi rus mund të kërkojë një “ndeshje kthimi” në Ukrainë, ose fundin e sanksioneve të Perëndimit. Duke goditur i pari Putini ia ka dalë, duam apo jo, që të rikthejë Rusinë si nëj perandori e madhe./IlGiornale

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button