Goliati, gjiganti që u mposht nga mbreti izraelit David sipas historisë së rrëfyer në Biblën Hebraike, përshkruhet se ishte i gjatë sa gjerësia e mureve rrethuese të qytetit Gat. Por tani studiuesit mendojnë se ky përshkrim mund të mos i referohet ndonjë matje fizike, por ka qenë më tepër një metaforë, sugjeron studimi më i ri.
Ai nuk zbulon nëse aspektet e tjera të historisë janë të vërteta – për shembull nëse Goliati ishte një gjigant apo nëse u zhvillua vërtet beteja e tij e pabarabartë me Davidin. “Ne nuk po përpiqemi të shprehemi mbi vërtetësinë e kësaj historie”-thotë Xhefri Çeduik, profesor i Qendrës së Jeruzalemit për Arkeologjinë dhe Studimet e Lindjes së Afërt në Universitetin Brigham Young, në një punim që ai e paraqiti në Shkollat Amerikane të Kërkimeve Orientale (ASOR) në takimin virtual më 19 nëntor.
“E gjithë çështja qëndron tek metrika. Nga vjen ajo dhe nga mund të jetë marrë?”- thotë ai. Muri i poshtëm i veriut në qytetin antik të Gatit, kishte një gjerësi rreth 2.38 metra. Kjo është e barabartë me të njëjtën gjatësi që kishte Goliati sipas disa teksteve biblike. Pra 4 kubitë dhe një hapësirë.
Por tekste të tjera antike pretendojnë se ishte 3.46 metra i gjatë. Kjo e fundit do të kishte qenë një gjatësi mbresëlënëse, pasi personi më i gjatë i regjistruar në kohët moderne ishte Robert Uadlou 2.72 metra, sipas Rekordeve Botërore Gines.
Por sa janë këto “kubitë” dhe “hapësira” në matjet e sotme, ky është një burim debati midis studiuesve. Këto matje ndoshta ndryshonin në të gjithë botën antike. Çeduik ka studiuar sitet e lashta në të gjithë Izraelin antik, duke matur mbetjet e strukturave të shumta, dhe duke vërejtur matjet që duket se përdoreshin shpesh në atë kohë.
Hulumtimi i tij tregon se një “kubit” në rajon ishte i barabartë me 54 centimetra, dhe një hapësirë ishte e barabartë me 22 cm. Çeduik është pjesë e një ekipi që po kryen gërmime në qytetin e vjetër Gat (i njohur gjithashtu si Tell es-Safi), një qytet filistin ku u rrit Goliati sipas Biblës Hebraike.
Kohët e fundit, ekipi ka gërmuar një mur fortifikues të zbuluar në pjesën veriore të qytetit. Muri është ndërtuar në shekullin X-të para Krishtit, një periudhë kur “filistejtë kontrollonin qytetin që shërbente si kryeqyteti i tyre”, thotë Çeduik.
“Themelet e murit prej guri ishin saktësisht 2.38 m – 4 kubitë dhe 1 hapësirë. Ai supozon se muri mund të ketë qenë 7 metra i lartë. Studiuesi supozon se shkrimtarët biblikë mund të kenë marrësi referencë gjerësinë e mureve të qytetit Gat, për të përshkruar gjatësinë e Goliatit.
Ai vuri në dukje se Goliati është i vetmi person, gjatësia e të cilit është përmendur me saktësi nëBibël. Por meqë me shumë gjasa asnjë nga autorët e Biblës nuk e ka parë vetë kufomën e Goliatit, kjo ngre pyetjen se si arritën ata në përfundimin se gjatësia e tij ishte pikërisht ”4 kubitë dhe një hapësirë”.
Prandaj ka të ngjarë që shkrimtarët biblikë të kenë “përshkruar në mënyrë metaforike Goliatin si të krahasueshëm me madhësinë dhe forcën e murit të kryeqytetit filistin, një metrikë që do të ishte ruajtur gjatë shumë shekujve, mendon Çeduik.
“Live Science”, kontaktoi disa ekspertë që nuk kanë lidhje me studimin e fundit, për të marrë mendimet e tyre mbi teorinë e Çeduik. Por asnjë prej tyre nuk ka qenë në gjendje të jepte një përgjigje mbi këtë çështje. Gërmimet në Gat drejtohen nga Aren Meir, profesor i arkeologjisë në Universitetin Bar-Ilan në Izrael. / bota.al