Bota

Golistët francezë dhe Lufta e Fundit

Ata besojnë në madhështinë kombëtare, por presidenti Holond dhe paraardhësit e tij, kanë një histori të gjatë të ndjekjes së strategjive të gabuara

Screen Shot 2015-11-26 at 09.37.23

Nga Robert Zaretsky

Në qoftë se është e vërtetë, që gjeneralët marrin pjesë përherë në luftën e fundit, ndoshta kjo nuk është askund më e vërtetë sesa në Francë. Të verbuar ndaj revolucioneve teknologjike dhe taktike në fillim të shekullit të XX, strategët francezë besonin se furia franceze- “élan” e identifikuar tek ushtari francez që në shekullin XV- do të dëshmohej si tepër e fuqishme.

Pas daljes nga llogoret e Luftës së Parë Botërore, të bindur se luftërat tashmë do të zhvilloheshin përgjatë linjave statike, francezët ndërtuan linjën e fortifikuar Mazhino, të cilën në vitin 1940, pancerat gjermanë thjesht e anashkaluan. A do të jenë sulmet terroriste të së “Premtes së Zezë” në listën e gabimeve strategjike?

Duhet pohuar, se çështja nëse Franca ishte e përgatitur për llojin e gabuar të sulmit, tashmë ishte trajtuar nga një pjesë e vogël specialistësh përpara sulmeve të 13 nëntorit. Përgjigjet që ata dhanë, jo vetëm parashikuan atë çfarë në fakt ndodhi në Paris, por tregonin edhe kontradiktat fatale në qasjen e Francës ndaj terrorizmit.

Pak më shumë se tre javë më parë, Mishel Goja, një kolonel në pension i ushtrisë, dhe profesor i historisë ushtarake në Universitet prestigjioz të Shkencave Po, postoi një hyrje të re në blogun e tij, La Voie de l’Epee. “Rruga e shpatës” (për veshët e amerikanëve ngjan me një video-lojë, por titulli i bën në fakt jehonë një libri të hershëm të Sharl De Golit mbi luftën, “Le Fil de l’Epee (Tehu i shpatës).

Ashtu siç e kishte parashikuar De Goli, përdorimi i luftës së tankeve, u injorua nga udhëheqësit ushtarakë të Francës, Goja parashihte një seri të premtesh, plot ankthe e tmerre.

Në 25 tetor, në një postim të titulluar “Ditën pas Sulmit të Madh”- Goja vinte në dukje se maskarat në “Charlie Hebdo” dhe supermarketin “Hyper Cacher” në fillim të këtij viti, edhe pse ishin traumatike, nuk mund të krahasoheshin me sulmet terroriste që kishin goditur vendet e tjera. Një sulm i ngjashëm në Mumbai apo si ai në Qendrën Botërore të Tregtisë është i pashmangshëm se do të ndodhë edhe në Francë, këmbëngulte ai.

Sigurisht, forcat franceze të rendit, në fund do te kenë sukses në frenimin e terroristëve, por jo para së “të jenë vrarë qindra vetë dhe pas një tronditjeve të madhe“, që do të shkundë gjithë vendin. Vendosja e ushtrisë në rrugët e Parisit, e rriti pak më shumë “dozën e anti-depresionit” për publikun francez, ndërsa ngadalësoi reduktimin e shpenzimeve ushtarake. Edhe çuarja e një skuadroni avionësh në Gjirin Persik, ishte një reagim i vrullshëm por jo strategjik ndaj sulmeve.

Pra me pak fjalë, pas “Charlie Hebdo”, mesazhi i qeverisë ishte se “ajo qe kapur në befasi, dhe se do të ndodhë po kështu edhe në rastin e një sulmi më serioz”. Shikoni përreth, shkruante Goja. Ka postblloqe ushtarësh, që patrullojnë stacionet e trenit dhe pikat turistike, ndërsa 3000 apo më shumë ushtarë ndodhen në Afrikë, në një përleshje të dëshpëruar për të përmbajtur terroristët islamikë, dhe disa avionë luftarakë gjenden në Lindjen e Mesme, si pjesë e sulmeve ajrore kundër ISIS.

“Tablloja që vjen nga Raka”-shprehet thatë Goja “është se në betejën kundër xhihadit Francës imungon qartazi grushti, ndonëse është duke vepruar me forcën maksimale”. Megjithatë, specialistët e tjerë patën lëshuar kohët e fundit paralajmërime të ngjashme, veçanërisht Vinsent Despo, ish-drejtor i Shkollës mbi Luftën. Në librin e tij më të fundit, ”La Dernière Bataille de France (Beteja e fundit e Francës), i publikuar në fillim të këtij muaji, Despo deklaronte se megjithëse “francezët mendojnë se janë të sigurtë, ata nuk janë më të tillë”.

Në një intervistë në radio, vetëm dy javë para sulmeve, ai e përforcoi paralajmërimin në librin e tij:Do të ketë sulme të mëdha terroriste në Francë – pohoi ai, duke i bërë thirrje qeverisë t’u ‘tregojë të vërtetën francezëve’. Për më tepër, jo të gjithë Kasandrat e Francës mbajnë kasketë në kokë. Shtatorin e kaluar, ‘Paris Match’ intervistoi Mark Trevidik. Mbi çështjen e terrorizmit, pak figura në Francë kanë më shumë veshë për të dëgjuar se Trevidik, i cili për disa vite ka drejtuar njësinë gjyqësore anti-terroriste në vend.

“Unë jam i bindur”- tha Trevidik- “që ISIS -i ka qëllimet dhe mjetet për të arritur në Francë, në një shkallë që i bën të duken të  vogla sulmet e mëhershme terroriste. Jam duke folur si një analist:ditët tona më të këqija i kemi ende para nesh. Lufta që Shteti Islamik ka në plan të zhvillojë në vendin tone, nuk ka filluar ende’ (Për amerikanët, ndoshta analogjia më e afërt e deklaratave të Trevidik në ‘Paris Match’, do të kishte qenë një intervistë në revistën ‘People’ e mbretit të kundër-terrorizmit, Riçard Klark në fillim të vitit 2001).

Kjo është trashëgimia e një francezi, njëlloj autoritar me dhe pa kasketë, e cila ndihmon në shpjegimin e situatës aktuale në Francë. Për Sharl De Golin, themeluesin e Republikës së Pestë, Franca duhet të mbetej gjithmonë “në rangun e parë’ të kombeve. Me një fjalë, sikurse shkroi në kujtimet e tij, “Franca s’mund të jetë Francë pa madhështinë e saj”. Kjo bindje – e cila hodhi themelet për fuqinë bërthamore të Francës dhe praninë e saj ushtarake tek ish-kolonitë e saj – e  udhëhoqi politikën e jashtme të De Golit nga viti 1958 deri në 1968.

Jo më pak e rëndësishme, ajo ka përcaktuar edhe politikën e jashtme të çdo presidentitfrancez që e pasoi, pavarësisht përkatësisë politike apo prirjeve ideologjike. Një nga ironitë e historisë, është se në këtë drejtim socialistët francezë e kanë dëshmuar veten, se janë më golistë se vetë Golistët. Gjatë 14 viteve të tij në Elize, ish-presidenti francez Fransua Miretan, e humbte rrallë mundësinë për t’i kujtuar botës, dhe veçanërisht Shtetet të Bashkuara, se vendi i tij do të këmbëngulte gjithnjë në të ashtuquajturën jashtëzakonshmërinë e tij në politikën e jashtme.

Ndërsa shfaqet shpesh në mëdyshje në frontin e brendshëm, edhe socialisti që tashmë banon në Elize, Fransua Hollond, ka zbuluar nuancat e tij goliste në politikën e jashtme. Nga ndërhyrjet e tij në Mali, dhe Republikën e Afrikës Qendrore, tek gatishmëria për të marrë flamurin në luftën kundër regjimit të Bashar Al-Asadit, aktivizmi i Hollond e ka mbajtur Francën para dhe në qendër në skenës botërore.

Pas sulmeve terroriste të së 13 nëntorit, Holond nuk mbajti mantelin e një golisti, por ai kërkoi ta qepë atë për rrethanat në të cilat e gjen tanimë veten Franca. Në fjalimin e tij para dy dhomave të parlamentit, të mbledhura në Versajë, Holond njoftoi synimin e tij, për të kërkuar ndryshime në kushtetutën Republikës së Pestë të De Golit.

Duke kërkuar më shumë pushtet, Holond dëshiron të rishikojë dispozitat, që zakonisht janë përdorur vetëm në rrethana të jashtëzakonshme. Neni 16, i lejon qeverisë të deklarojë gjendjen e “shtet-rrethimit”, ndërsa neni 36 i lejon presidenti të pretendojë “kompetenca të jashtëzakonshme”, në qoftë se Republika përballet me një rrezik të madh. Periudha e vetme kur është përmendur neni i fundit, ka qenë në vitin 1961, kur gjeneralët franceze në Algjer, kundërshtuan negociatat e paqes me De Golin, duke u përpjekur të organizonin një puç kundër Parisit.

Grushti i shtetit dështoi për disa arsye, por ndoshta më e rëndësishmja ishte personi dhe prania e De Golit. Megjithatë, si gjenerali ashtu edhe bota e tij janë zhdukur. Ndërsa gjenerali në kohën e presidencës së tij pati një ekonomi të begatë, dhe një botë të thjeshtë për të ‘lundruar’, e ndarë në mes të poleve të Uashingtonit dhe Moskës, pasardhësit e tij nuk kanë asnjë nga këto avantazhe.

Si Goja dhe Despo theksojnë, se një reduktim i shpenzimeve ushtarake – një proces që ka nisur që nga mesi i viteve ’90 – e ka paralizuar kapacitetin e Francës, për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme. Pas sulmit të ardhshëm, paralajmëron Goja, liderët politikë në të dyja kampet do të duhet t’u shpjegojnë francezëve pse ata s’mund të gjejnë mjetet për të garantuar “objektivat mbretërore të vendit”, duke shtuar qëllimisht se do të jetë e vështirë për të njëjtët udhëheqës, të cilët për 20 vjet kanë mbikëqyrur reduktimin e ushtrisë, të bindin francezët se janë të aftë “të mposhtim armikun tonë”.

Në të njëjtën kohë, Trevidik shqetësohet mbi një mungesë e ngjashme të burimeve njerëzore, edhe financiare në frontin e brendshëm. “Mjetet në dispozicion të gjykatës anti-terror, janë të pamjaftueshme. Ka shumë pak hetues për t’u marrë me kërcënimet, me të cilat po përballemi aktualisht”.

Goja habitet me dëshirën e klasa politike “për të paralajmëruar rreth kërcënimeve të pritshme, në një kohë që nuk arrin t’i shmangë dot ato”. Sigurisht, nuk do të jetë hera e parë në histori, që liderët politikë kanë vuajtur nga një lloj mosmarrëveshje njohëse, duke ditur dhe mosditur se diçka e pabesë po vjen në këtë mënyrë.

Ndërsa e shkuara jonë e kohëve të fundit, na kujton se Franca nuk është e jashtëzakonshme në këtë drejtim, historia franceze ofron megjithatë një paralele intriguese. Sikurse e ka vënë në dukje  një komentator politik, situata e sotme i ngjan luftës se rreme të viteve 1939-1940, kur francezët ishin zyrtarisht në luftë me Gjermaninë, por nuk arritën të përgatiten dot për të.

Që nga sulmet e Parisit, “Nous sommes en guerre” (Ky është një akt lufte), ka qenë refreni i gati çdo politikani kryesor francez, djathtas dhe majtas. Në rreshtin të fjalimit të tij në Versajë, Holond njoftoi gjithashtu se vendi i tij ishte në luftë. Mbetet për t’u parë sesi Franca dhe bota do ta përballojnë këtë situatë. A do jenë janë sulmet ajrore franceze mbi Raka, fillimi i një strategjie të mirëmenduar ushtarake, sipas fjalëve të presidentit Holond, për të shtypur Shtetin Islamik? Apo thjesht do të shënojnë fillimin e një tjetër lufte të rremë 2.0?

Shënim: Robert Zarecki është profesor i historisë franceze në “Honors College of the University of Houston”. / “The American Conservative

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button