Bota

Google, Facebook, Twitter i shpallin luftë Infodemisë

Marrëveshja parashikon që Twitter do të vendosë një mesazh, i cili të përcjell në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë, kur kërkimi ka të bëjë me tema mbi koronavirusin. Nisma është përdorur tashmë edhe në vende të tjera të botës

Javët e fundit, për shkak të efektit koronavirus, është krijuar një term i ri, infodemia. Një fjalë që tregon epideminë e lajmeve të rreme dhe dezinformimin, për sëmundjen që po shqetëson botën. OBSH ka thënë që ende nuk jemi në një gjendje të pandemisë, edhe pse alarmi mbetet i lartë dhe shumë vende, përfshirë Italinë, kanë bllokuar fluturimet drejt Kinës dhe nga Kina. Për të ndalur përhapjen e lajmeve të rremë dhe të njëanshëm me origjinë të dyshimtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Twitter kanë hyrë në një marrëveshje, që pason atë të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Google disa orë më herët.

Infodemia

Walter Ricciardi, Profesor i Higjienës në Universitetin Katolik të Zemrës së Shenjtë në Romë, foli pak ditë më parë për tre epidemi: “koronavirusi, lajmet e rreme dhe ksenofobia që është shkaktuar pas këtyre lajmeve të rreme. Kjo është epemia e parë e epokës së mediave sociale, kështu që pritej të ndodhte një infodemi”. Thjesht hidhini një sy shifrave. Në vetëm një muaj, mbi 15 milion postime mbi këtë temë u postuan në Twitter.

Problemi është cilësia e informacionit që udhëton në mediat sociale dhe në fakt marrëveshja me ministrinë e Shëndetësisë të Italisë, parashikon që Twitter të futë një mesazh që i referohet faqes në internet të ministrisë, kur kërkimi përqendrohet në tema të lidhura me koronavirusin. Nisma tashmë ka filluar në vendet e tjera të botës. Shtetet e tjera të përfshira janë Australia, Brazili, Tajlanda, Kanada, Japonia, Zelanda e Re, Singapori, Koreja e Jugut, Tajvani, SH.B.A., Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Filipinet, Gjermania, Franca, Hong Kong, Spanja dhe Vietnami.

Një element tjetër që duhet marrë në konsideratë, është qëllimi i Twitter-it për të bllokuar çdo sugjerim automatik që mund të çojë në përmbajtje që konsiderohet jo e besueshme. Tani ministria dëshiron të hyjë në marrëveshje me Google, ndërsa Facebook është vënë në lëvizje edhe së brendshmi, për të shqyrtuar përmbajtjen në platformën e vet falë një ekipi të kontrolluesve të fakteve. Edhe pse është i ardhuri më i fundit, TikTok gjithashtu do t’u tregojë përdoruesve një mesazh që i fton ata të mësojnë vetëm nga burime të konsideruara të besueshme.

Raporti

Sipas OBSH-së, epidemia e koronavirusit 2019-nCoV u shoqërua me një infodemi masive, domethënë një tepri informacioni, disa të saktë dhe disa jo, të cilët e bëjnë të vështirë për njerëzit që të gjejnë burime të besueshme kur të kenë nevojë. “Ndër lajmet kryesore të rreme, ato sipas të cilave ekzistojnë antibiotikë dhe ushqime të tilla si hudhra, të dobishme për trajtimin e virusit, ose që infeksioni gjithashtu mund të transmetohet përmes letrave dhe pakove postare nga Kina. Organizata Botërore e Shëndetit, e angazhuar për të zbuluar mitet e rreme dhe thashethemet në lidhje me virusin e Vuhanit, do të transmetojë “informacion të bazuar në prova” në kanalet e veta të mediave sociale (përfshirë Weibo, Twitter, Facebook, Instagram, LinkedIn, Pinterest) dhe në faqen e internetit të OBSH.

Nga epidemia, tek infodemia

Fjala infodemi është në të gjitha aspektet një neologjizëm i krijuar nga OBSH për të treguar teprinë e informacionit, disa të saktë dhe të tjerët jo, të cilët e bëjnë të vështirë për njerëzit të gjejnë burime të besueshme kur kanë nevojë.

Ndërsa për sa i përket “epidemisë”, fjalë me origjinë nga greqishtja ἐπί + δήμος, “mbi popullin, mbi njerëzit”, ky neologjizëm zëvendëson parashtesën “epi”, me “info” për të treguar sasinë e madhe të informacioneve, shumë prej të cilave janë “mashtrime dhe lajme të rreme”.

Në praktikë, ky neologjizëm tregon “përmbytjen e lajmeve” tendencioze që prekin frikën tonë dhe i flasin anës sonë emocionale, e që në këtë moment janë më efektive sesa lajmet e mbështetura prej rrethanave objektive racionale. Kjo përhapje e të ashtuquajturave “lajme të rreme”, e favorizuar edhe nga shpejtësia e teknologjisë, mund të ketë një ndikim të fortë në sjelljen e njeriut, duke vepruar në pjesën limbike të trurit tonë, të shoqëruar me emocionalitetin. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button