Bota

Greqi / Syriza në prag të përçarjes së madhe

Screen Shot 2015-08-12 at 14.10.24Një përplasje e kryeministrit Cipras me rebelët në partinë e tij duket e pashmangshme në shtator

Nga Helen Popper

Athinë – Për kryeministrin grek Aleksis Cipras, perspektiva e përjashtimit të shokëve të krahut të majtë, mund të jetë edhe më e vështirë për t’u kapërdirë sesa nënshkrimi i marrëveshjës së tretë të shpëtimit, që është edhe më e rreptë se dy të parat.

Me votimin në parlament të paketës së shpëtimit prej 86 miliardë eurosh, që nxorri në pah ndarjet e brendshme, një përballje me rebelët në partinë e tij Syriza duket e pashmangshme në shtator, në mos më shpejt.

Ajo që e shton presionin, është fakti se Greqia duhet të arrijë një marrëveshje me kreditorët, para pagesës së këstit të rradhës së kredisë në datën 20 gusht. Rreth një e katërta e 149 ligjvënësve të Syriza-s, votuan kundër marrëveshjes paraprake të ndihmës financiare, dhe disa analistë mendojnë se është e mundur një kryengritje edhe më e madhe, kur teksti përfundimtar të dërgohet në parlament.

Më shumë se gjysma e Komitetit Qëndror 201-anëtarësh të Syriza-s, e hodhi poshtë marrëveshjen e 13 korrikut. Në bazën e partisë, nuk ka druajtje në refuzimin e linjës së Cipras për “masat e freskëta shtrënguese”. “Shumica e anëtarëve të Syriza-s, janë të tronditur dhe të zhgënjyer. Personalisht, kam qarë”- thotë Ollga Kleica, 31-vjeç, anëtare prej një kohë të gjatë e forumit rinor të partisë.

“Unë nuk e kisha menduar kurrë që Cipras  do të shkatërronte partinë, sepse kjo është ajo që ai po bën. Ai po e shkatërron të majtën”.  Posterat e fushatës, kanë filluar të zbehen në muret e selive lokale të partisë nëpër lagje. “Askush nuk vjen më”- tha ajo.

Ka pasur gjithnjë mendime të ndryshme brenda Syriza-s, një mozaik i grupeve majtiste që përfshin maoistë dhe ekologjistë, si dhe të moderuar të qendrës së majtë. Por paketa e re e shpëtimit i ka ndarë ata në pragmatistë që mbështesin Ciprasin dhe të vijës së ashpër, që mendojnë se vlerat thelbësore të partisë janë shitur.

“Ne nuk do të mbështesim marrëveshjet e ndihmës, sidomos nga një qeveri që u zgjodh për t’i ndaluar ato”- shprehet Panajotis Llafazanis, i cili drejton krahun e ekstremit të majtë në Syriza.

Gjatë detyrës të tij të shkurtër si ministër i Energjitikës, Llafazanis flirtoi me Moskën si një kundër-balancë e Bashkimit Evropian, ndërsa ka folur në favor të kthimit tek ish-monedha kombëtare e Greqisë, dhrahmia.

Cipras nuk e ka kritikuar direkt Llafazanis, i cili është një figurë e respektuar brenda Syriza-s, ndonëse ai e ka vënë në pikëpyetje qëndrimin “surreal” të ligjvënësve, që mendojnë se mund të mbajnë vendet e tyre në parlament, ndërsa votojnë kundër marrëveshjes së tretë me BE.

Nëse edhe më shumë ligjvënës të Syriza-s, votojnë në parlament kundër marrëveshjes së shpëtimit, përçarja mund të zyrtarizohet para kongresit të jashtëzakonshëm të thirrur në shtator nga Cipras.

“Ne thjesht po vrasim kohën”- mendon Eleni Panajotarea, studjuese në Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane. “Duket se ka një farë dobësie, kur është fjala për partinë, por kur grupi i tij parlamentar nuk po e mbështet, atëherë herët a vonë, ai do të duhet të bëjë diçka për këtë”-shton ajo.

Shumë prej votuesve për herë parë të Syriza-s, qenë ish-përkrahës të PASOK-ut, që e patën braktisur partinë e qendrës së majtë prej fillimit të krizës. PASOK e dominoi politikën greke për 3 dekada, por ajo u damkos nga masat shtrënguese dhe skandalet e korrupsionit, dhe aktualisht ka rreth 5 përqind mbështetje në sondazhe.

Sa më shpejt, aq më mirë

“Nëse do të isha këshilltar i Ciprasit, do t’i thoja se mënyra e vetme për të kapërcyer marrëveshjen e tretë dhe konsoliduar pushtetin e tij, është të lëvizë drejt qendrës së majtë, sepse kjo është një zonë që historikisht krijon shumicën e qeverive në Greqi”-mendon Aristides Hatzis, profesor i asociuar i ligjit dhe ekonomisë në Universitetin e Athinës.

Disa zyrtarë të qeverisë, mendojnë se zgjedhjet e reja duhet të mbahet sa më shpejt pasi paketa e shpëtimit të jetë miratuar, duke e lejuar Ciprasin të përjashtojë disidentët dhe konsolidojë mbështetjen e grupit të tij parlamentar.

“Sa më shpejt, aq më mirë”- thotë zëvendësministri i Mbrojtjes, Dimitris Vitsas, një veteran i Syriza-s, i cili mbështet Cipras mbi planin e shpëtimit. Zgjedhjet e shpejta parlamentare, do t’i linin më pak kohë rebelëve, për t’u ndarë nga Cipras dhe formuar një lëvizje të re opozitare.

Sondazhet e opinionit, sugjerojnë se Cipras do të rimerrte kontrollin e parlamentit, edhe pse popullariteti i tij mund të fillojë të zbehet, pasi masat e reja shtrënguese dhe një recesion i thellë të godasin sërish vendin. Vlerësimi i mbështetjes ndaj tij qëndron në rreth 60 përqind, sipas një sondazhi të fundit të opinionit.

Gjithësesi, struktura demokratike e Syriza-s, mund të provohet të jetë një pengesë e madhe që Cipras të reformojë partinë. Kandidatët që garojnë në zgjedhje, përzgjidhen mbi baza rajonesh nga anëtarët e Syriza-s, çka do të thotë që Ciprasit mund t’i duhet të shkelë statutin e partisë për të imponuar emrat e tij, thekson Hatzis.

Në fund, mund të mbizotërojë pragmatizmi. Disa kohë para se të zgjidhej kryeministër në janar të këtij viti, nën një valë optimizmi për dhënien fund të masave shtrënguese, Cipras e diferencoi veten nga ideologët e krahut të majtë. ”Ne nuk jemi utopistë”-tha ai gjatë një vizite në Londër në vitin 2013. “Ne e dimë se për të ndryshuar gjendjen duhet të jemi idealistë, ashtu dhe largpamës, por në të njëjtën kohë edhe pragmatistë brutalë”.

“Politico.eu” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button