Analiza

Greqia, negociata pa fund

Screen Shot 2015-03-17 at 20.32.18Nga Cécile Ducourtieux

“Le Monde”

Shteti grek gjendet në buzë të humnerës. Këtë muaj do të duhet të paguajë 6 miliardë euro për shlyerjen e kredive, dhe më shumë se një miliard e gjysmë euro ndaj FMN-së, dhe do të marrë pjesën e fundit të planit të ndihmës (rreth 7 miliardë euro), vetëm në fund të misionit teknik të Komisionit Evropian, Bankës Qëndrore Evropiane dhe FMN-së

Në vend të trojkës janë “institucionet”. Por Athina duhet ende të bindë Evropën, të zhbllokojë ndihmat dhe pranojë një marrëveshje të re mbi borxhin

Kthimi i trojkës. Ky term nuk është më në përdorim. Në vend të tij flitet për “institucionet”. Megjithatë për Greqinë, rezultati është i njëjtë: në fund të takimit të shkurtër të eurogrupit në datën 9 mars, qeveria e Aleksis Ciprasit pa t’i imponohej, duke pranuar negociatat e reja me homologët e njëjtë: Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Evropian dhe Bankën Qëndrore Evropiane.

Për Athinën, vlera simbolike e kësaj risie është shumë e madhe. Deri dje, qeveria vazhdonte të përsëriste se nuk ishte e gatshme të shkonte pas rregullave të rrepta të trojkës, duke denoncuar metodat jodemokratike dhe rezultatin kundërproduktiv për ekonominë e vendit. Grekët nuk deshën t’ia dinë më për “vlerësimet” e trojkës, të perceptuara si mjete që u përdorën për të “mbajtur nën kujdestari” Athinën.

Me pak fjalë, qeveria greke mendonte se mund t’u shmangej kontrolleve të trojkës dhe të arrinte një marrëveshje politike. Por nuk pati asnjë alternativë tjetër, ndaj u detyrua të ulej sërish të bisedonte me FMN-në, Bankën Qëndrore Evropiane dhe Komisionin. Nga mënyra sesi këto institucione do të vlerësojë planet e saj për reforma, të prezantuara zyrtarisht në datën 6 Mars, varet edhe pagesa e këstit të ardhshëm të ndihmës financiare.

Shteti grek gjendet në buzë të humnerës. Këtë muaj do të duhet të paguajë 6 miliardë euro për shlyerjen e kredive, dhe më shumë se një miliard e gjysmë euro ndaj FMN-së, dhe do të marrë pjesën e fundit të planit të ndihmës (rreth 7 miliardë euro), vetëm në fund të misionit teknik të Komisionit Evropian, Bankës Qëndrore Evropiane dhe FMN-së, i cili filloi më 11 mars, si dhe përpunimin e marrëveshjes mbi reformat.

Presidenti i eurogrupit, holandezi Jeroen Diselblom, e ka bërë tashmë të qartë se para se të zhbllokohet kësti i ri i kredisë, pa të cilin Greqia nuk mund të ecë dot përpara, do të kërkohet që Athina të kryejë reformat thelbësore. “Jam i hapur për një rinegocim të pagesave. E kemi bërë këtë gjë edhe në të shkuarën, me disa programe. Megjithatë, më parë duhet të arrihet një marrëveshje mbi reformat e përgjithshme. Pagesa do të ndodhë në një moment të dytë” – nënvizoi Diselblom.

I akuzuar se po përpiqet të ngadalësojë bisedimet, ministri grek i financave, Janis Varufakis, mbrohet në këtë mënyrë: “Nuk jemi ne që po humbim kohë. S’ka dyshim se nuk është qeveria greke. Nga 24 shkurti jemi në krye të punëve, dhe kemi filluar jo vetëm të qeverisim, por edhe të planifikojmë reformat”.

Mbetet të shihet se çfarë do të pranohet si nga ana e eurogrupit, ashtu edhe nga qytetarët grekë. Sipas Eli Kucokosta, një gazetare greke që punon në Bruksel, siguria e vetme është se “me takimin e 11 marsit, mes grupeve teknike të 3 institucioneve dhe negociatorëve grekë, bisedimet po hyjnë në një faze të re. E sigurtë është se Athina do të vazhdojë të monitorohet, për të kuptuar sesi do të realizohen reformat, të cilat do të negociohet në javët e ardhshme”.

Diselblom ka deklaruar se ka marrë listën paraprake të reformave të dërguara nga Athina, por ishte i qartë: plani grek duhet më së pari të dakordësohet me përfaqësuesit e “institucioneve”. Në mbledhjen e eurogrupit në 9 mars, kjo gjë as nuk u diskutua. “Më në fund mund t’i hymë punës, deri tani kemi humbur dy javë” – deklaroi zyrtari holandez, pas takimit në Bruksel. “Ne kemi identifikuar një proces që nuk do të poshtërojë popullin grek” – u përgjigj Varufakis, duke u mbrojtur nga akuza se ka “humbur kohë” dy javët e fundit, dhe shpjeguar se “është punuar në mënyrë aktive, në planin e reformave”. Ndërkohë në samitin e 9 marsit, u arrit një marrëveshje, mbi procedurat që duhen ndjekur. Varufakis pranoi që përfaqësuesit e Bankës Qëndrore Evropiane, FMN-së dhe Komisionit Evropian të fillojnë në 11 mars një mision teknik. Për të mos ngacmuar ndjeshmërinë e grekëve, takimi i parë do të mbahet në Bruksel. Por do të ketë edhe takime të tjera që do të mbahen edhe në Athinë.

Misioni teknik

Me misionin e imponuar nga Brukseli për qeverinë e Aleksis Ciprasit, evropianët duan të kenë një pasqyrë më të saktë të financave greke. Qëllimi është sigurimi i një angazhimi, nën një njohje të plotë të terrenit, për një listë të reformave përfundimtare për të cilat duhet të bihet dakord me Athinën, siç është vendosur tashmë që në 24 shkurt. “Tani për tani” – thotë një burim në BE “ne s’kemi ende të dhëna konkrete”. “Nuk e dimë nëse Greqia aktualisht ka një tepricë primare, apo sa para ka administrata e saj publike” – shton ai.

Metoda të ndryshme

“Gjithkush e di se institucionet duhet të kenë një qasje më shumë politike, sesa kishte dikur trojka” – na siguroi mbrëmjen e 9 marsit i njëjti burim evropian. Një hetim i dokumentuar mirë dhe i kryer në fillim të vitit 2014 nga Parlamenti Europian, denonconte mungesën e çdo lloj kontrolli demokratik mbi trojkën. “Tani e tutje, diskutimet do të jenë ‘gjysmë-politike’, dhe do të zhvillohen në nivel krerësh të qeverive. Dhe herët a vonë ndonjë lider politik gjithashtu, do të shkojë të vizitojë Athinën, por jo menjëherë” – tha burimi.

Vetë Presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, gjatë vizitës në Athinë në datën 4 mars, bëri thirrje për një ndryshim gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet evropiane: “Në të ardhmen, do të jemi në gjendje të zëvendësojmë trojkën me një strukturë, me legjitimitet më të madh demokratik, dhe që mund të japë më lehtë llogari për veprimet e saj”. Mendime të ngjashme, ka shprehur edhe ministri francez i financave, Mishel Sapin: “Unë kërkoj që Greqia t’i futet me seriozitet punës. Gjithësesi jam i bindur për nevojën e braktisjes së metodat e vjetra, që grekët dhe qeveria e Athinës i cilësojnë të papranueshme”. Megjithatë jo të gjithë ministrat evropianë ndajnë një qëndrim të tillë pajtues. Duke u kthyer nga samiti i 9 marsit, ministri gjerman i financave, Volfgang Shojble, la t’i shpëtojë një gabim shumë elokuent: përdori sërish termin trojkë.

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button