BotaMAIN

Gulbahar Haitiwaji: Ditari im si e burgosur në një gulag kinez

Për 3 vite, Gulbahar Haitiwaji u burgos, iu nënshtrua dhunës dhe qindra pyetjeve, përjetoi urinë, të ftohtit, torturat, sterilizimin e detyruar dhe 12 orë në ditë propagandë kineze. Libri i saj rrëfen në detaje fushatën represive të Pekinit kundër pakicës ujgure, të kryer me pretekstin e luftës kundër terrorizmit

U dënova pa e ditur arsyen. Një mëngjes në qeli hyri roja, i cili më lidhi me zinxhirë tek hekurat e krevatit, pa më thënë asnjë fjalë. Kjo ndodhi 2 javë më parë. Që atëherë kam jetuar ulur përballë kokës së krevatit, e ulur përtokë në pluhur. Lejohem të shtrihem në dyshek vetëm gjatë natës.

Rreth meje, jeta në qelinë“202”nis sërish nën dritën e neonit,që na detyron ta humbin  konceptin se kur është ditë dhe kur natë. Pra, ky është burgu. Na sjellin herë pas here disa ushqime lëtyrë, të sjella nga kuzhinierë shurdhmemecë të zgjedhur enkas për aftësinë e tyre të kufizuar, në mënyrë që ata të mos zbulojnë se çfarë po ndodh këtu.

Supë me oriz ose miell misri, supë me lakër, bukë të thatë, dhe 1 vezë në javë. Kam rënë shumë në peshë, aq sa kur unë shtrëngoj belin bashkohen majat e gishtave. Burgimi është gjithashtu një paradë e zombive me fytyra të zgavruara, të cilat enden sa andej-këtej me kostumet e tyre portokalli të të burgosurve.

Dhoma zbrazet dhe mbushet ashtu si lavamani i vjetër që ndajmë bashkë. Gjatë gjithë ditës, nuk rresh zëri i propagandës kineze në altoparlant. Ai urdhëron secilën nga lëvizjet tona, të pasuara gjithmonë nga koka rrotulluese e kamerës së sigurisë.

Ajo më përndjek edhe natën, në ato 2-3 orë gjumë që arrij të flej. Kur mbërrita këtu 2 muaj më parë, në qeli ishim 9 vetë. Sot jemi pak a shumë 30, gati të gjithë ujgurë. Emrat nuk i mbaj mend. Njëra prej tyre ka qenë në Mekë, një tjetër akuzohet për shitjen e CD-ve fetare të ndaluara, të tjerat se kanë marrë pjesë në një dasmë ku nuk është konsumuar alkool,apo në ditëlindjen e një shoqeje që është e mbuluar në kokë.

Çdo ditë Ajshem më ndihmon të lahem dhe të shkoj në tualet. Më sjell kovën. Më than flokët me një copë sfungjer. Ka disa kohë që ka nisur të më thërrasë “mami”.Çdo ditë ka vetëm marrje në pyetje, të imponuara sipas një rregullsie që ne nuk e mbajmë dot mend, por që shërben për të thyer monotoninë vdekjeprurëse të jetës sonë të përditshme.

Marrjet në pyetje janë shpresa ime e vetme. Janë garancia se diku në një stacion policie në Xinjiang ka policë që po e shqyrtojnë dosjen time, dhe që janë duke vlerësuar akuzat që rëndojnë mbi mua. Siguria se në Francë, Kerim, Gulhumar dhe Gulnigar po bëjnë gjithçka për të mësuar se ku ndodhem.

Sa më shumë që më pyesin, aq më pak jam e rrezikuar që të harrohem këtu. Në qelinë “202”, çdo njoftim është një ngjarje. Zëri në mikrofon thërret numrin e të burgosurës. “Numri 7, marrje në pyetje!”.Numri 7 largohet nga grupi dhe i afrohet derës,bulonat e së cilës tashmë mund të dëgjohen duke kërcitur.

Të gjithë sytë e të tjerave drejtohen mbi të, mes ankthit dhe zilisë. Ndonjëherë ndodh që dikush të mos kthehet më. Ato zhduken po aq papritur sa mbërritën, në një mbrëmje dimri, nën dritën verbuese të neonit. Ne nuk do ta dimë kurrë se çfarë u bë me to. A do të lirohen vallë?

Disa duan të besojnë se është kështu. Unë nuk shpreh asnjë mendim. Kur më thërrasin në numrin tim personal, frika se mos dënohem me vdekje më mblidhet çdo herësi lëmsh në fyt. Por dyshoj. Ajo që di është se dosja ime po ua vështirëson shumë punën atyre.

Ata më thirrën 3 herë për të më marrë në pyetje. “Shumë herë”- më thanë vajzat në qeli. “Kjo është një shenjë e mirë!-guxoi të më thoshte Ajshem. Kerim do të ishte krenar për mua. Unë nuk e ul kurrë kokën para policëve. Nuk dorëzohem. Është ndoshta kjo arsyeja pse ata më lidhën me zinxhirë në shtrat.

Herën e fundit shkova shumë larg. Ndodhi disa ditë më parë. Për të shkuar në dhomën e marrjes në pyetje, duhet të ecësh përgjatë një korridori pa dritare. Policët më vunë prangat pas shpine dhe ma mbuluan fytyrën me një beze të errët.

Përmes saj unë arrita të shoh qelitë e rreshtuara përgjatë korridorit. 204, 206, 208. Dhe ne që mendonim se ato ishin bosh. Jo, ato ishin plot me të burgosura, ashtu si qelia jonë. Kush janë të gjithë këta njerëz të rrasur si sardelet njëri-pas tjetrit në çdo qeli? Në të majtë pashë një korridor tjetër:ishte dhoma e marrjes në pyetje.

Dëgjoj hapjen e dyerve. Një dorë e padukshme më heq mbulesën. Jam përballë Ablajanit, një prej policëve që më mori në pyetje që në fillim të burgosjes sime. Ai është një ujgur, një burrë imcak, i shkurtër dhe me një fytyrë të zbehtë. Nuk ka veshur uniformë.

Mund të më kishte pëlqyer buzëqeshja e tij,po të mos ishte xhelati im për dy muaj e gjysmë tani. Si çdo herë, ai urdhëron rojet të më ulin para tij. Ata më lidhin në karrige dhe pastaj largohen nga dhoma. Në të majtë të tij ndodhet një dosje e kuqe e mbushur me fotografi, dokumente dhe me një vulë në pjesën e poshtme. Është dosja ime.

Ai më merr në pyetje për orë të tëra,duke përsëritur të njëjtën akuzë:”Vajza juaj është terroriste!”. Për orë të tëra, unë i përgjigjem me vendosmëri të njëjtën përgjigje:”Jo, vajza ime nuk është terroriste. Nuk e di pse ishte në atë demonstratë”.

Pastaj, për të dobësuar rezistencën time, tenton të më futë në kurth. Biseda fokusohet tek disa detaje të jetës sonë si refugjatë në Francë:”A është jeta e bukur në Francë? Çfarë punë bën atje?”. Befas më përplas në fytyrë foton e njënjë ujguri të mërguar jashtë vendit.

“E njeh këtë?”. “Nuk e  kam parë kurrë”. “Po këtë? Atë?”.“Ju thashë që nuk e njoh!”. Ndonjëherë më shfaqet ndonjë fytyrë e njohur apo miqësore në morinë e fotografive të marra gjatë protestave në kryeqytetet evropiane. Por unë gjithmonë e mohoj që e njoh. Nëse e pohoj, atëherë marr fund. Ablajanit do t’u thoshte eprorëve të tij se unë shoqërohem me “terroristë”. Do të shkoja direkt në burg. Apo më keq, do të ekzekutohesha.

Kështu vazhdoj të shtrëngoj dhëmbët dhe rezistoj. Nuk e  lejoj veten të befasohem nga truket. Unë i di të gjitha truket e tyre. Ablajan ngulmon:

”Pse Franca ju dha një leje qëndrimi 10-vjeçare?”.

“Nuk e di, është një procedurë standarde kur je i huaj”.

“Pasaporta juaj vlente vetëm për 5 vite”.

“Unë kisha kërkuar që ambasada ta rinovonte atë”.

“A i mbron Franca terroristët si ju?”

“Unë nuk e di, ju duhet t’i pyesni vetë ata!”

Është e qartë se ata nuk kanë shumë prova kundër meje. Dëshmi është fakti se kërcënimet shpejt bëhen ‘provat’ e vetme që kanë në dosjen time. Në ato momente, kur ndjej se lodhja është gati të më mposhtë, mendoj për guximin e Rebiya Kadeer.

Imazhi i ujgures së internuar jashtë vendit, që u mbajt e burgosur në Urumqi gjatë viteve 1999-2005 për “zbulimin e sekreteve shtetërore”,pasi i dha dokumente “të ndjeshme” burrit të saj, një refugjat politik në Shtetet e Bashkuara.

Për ne të burgosurit e qelisë “202”, ajo është një simbol i guximit. Nga 6 vite burg, ajo i kaloi 2 vite në izolim në një qeli prej 4 metrash katrorë, gjithmonë në errësirë. Mendimi mbi forcën e tij më frymëzon vazhdimisht.

Shënim: Pjesë nga libri “E mbijetuar nga një gulag kinez” nga Gulbahar Haitiwaji.

Marrë me shkurtime nga “Linkiesta” – Bota.al

Back to top button