Personazhe

Viva la revolucion! Che Guevara i pakohë

Eshtë kudo, edhe aty ku nuk e pret. Konsumizmi është “fati” paradoksal i një njeriu, që e kaloi gjithë jetën e tij duke e luftuar

Mendon për Che Guevarën dhe në mënyrë të pashmangshme të vjen në mendje ajo foto. Një shkrepje që është shndërruar në një mit dhe, me kalimin e kohës, një portret i kudondodhur. Ky imazh është kudo, në libra, në gazeta, në postera, në mure, në bluza.

Ajo foto është bërë, për miliona e miliona njerëz, vetë Che Guevara. Eshtë realizuar nga Alberto Diaz Gutierrez, i njohur si Korda, më 5 mars 1960 në Havana, në një kontekst të veçantë.

Një foto me të vërtetë mund të ketë një histori të rëndësishme dhe tërheqëse po aq sa ajo e një njeriu dhe kjo foto e Che GUevarës, mbart shenjat e zemërimit dhe vuajtjes. Ato të një Guevare i cili merr pjesë në funeralin e 75 burrave, që kishin vdekur një ditë më parë në shpërthimin e anijes tregtare Franceze La Coubre. Anija, e ngarkuar me armë të blera në Belgjikë pas embargos së imponuar nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta është hedhur në erë nga shërbimet sekrete amerikane. Eshtë vetëm i pari i një serie veprimesh sabotuese dhe jokonvencionale, të organizuara nga amerikanët kundër qeverisë kubane. Alberto Granado, duke menduar përsëri për varrimin, do të thoshte: “Atë ditë, nëse Guevara do të kishte takuar një Yankee, do ta kishte ngrënë të gjallë”.

Dhe ndërkohë, si për ironi, shikimi i Che takon Alberto Kordën dhe aparatin e tij. Zemërimi dhe dhimbja kombinohen me dy sy të zjarrtë, flokë që i merr era dhe xhaketa e mbyllur deri në fund, për t’u mbrojtur nga një i ftohtë i pazakontë. Korda ia ofron fotografinë revistës “Revolucion” por pa rezultat. Dhe kështu, sado e pabesueshme që mund të duket, fotografia mbetet e mbyllur në një sirtar në tryezën e fotografit për 7 vjet. Në 1967, Giangiacomo Feltrinelli ndodhej në Havana. Takohet me Kordën dhe rastësisht gjendet me fotografinë në duar. Bie menjëherë në dashuri me të dhe fotografi nuk ngurron t’ia dhurojë. Feltrinelli e merr me vete në Itali: studentët në revoltë e bëjnë një simbol të lëvizjes së tyre, ajo fillon të shfaqet kudo (nga librat deri tek posterat) dhe brenda disa muajsh bën xhiron e botës.

Nuk është më thjesht një foto: është simboli i një miti të shfaqur në muret e dhomave të gjumit të një brezi të tërë. Ajo bëhet simboli i një ikone të vërtetë pop, një lloj ylli të shkëlqyer të rrokut të varur së bashku me posterat e Beatles dhe Rolling Stones. Dhe Che, që nga ai moment, për shumë do të jetë pikërisht ajo foto … e përdorur për çdo lloj malli, në një biznes të jashtëzakonshëm. Por jo vetëm …

Një fe e re

Ernesto Che Guevara përfaqëson shumë më tepër sesa një figurë historike komplekse, por interesante. I njohur në të gjithë botën, pas vdekjes ai u vesh me një lloj misticizmi, gati shenjtërimi, i nxitur nga një jetë ëndrrash, shpresash dhe luftimesh përkrah më të dobtëve. Në fakt, që nga dita e vdekjes së tij ka filluar një lloj nderimi i vërtetë (më i ngjashëm me atë të një shenjtori sesa të një revolucionari), që ka brenda të pabesueshmen.

Në zonat e Bolivisë ku u vra, thjesht sa për të dhënë një ide për fenomenin, banorët e konsiderojnë atë një figurë të shenjtë, aq sa e kujtojnë si San Ernesto de la Higuera dhe e thërrasin për të kërkuar mbrojtje dhe mbështetje. Nga ana tjetër, menjëherë pas vdekjes së tij, infermierja që pastroi trupin e pajetë të Che-së, tha se tek ai, gjeti të gjitha tiparet karakteristike të Krishtit. Në të njëjtën gjatësi vale ishte Peter Veiss, një shkrimtar dhe artist gjerman, i cili e krahasoi Guevarën me një Krisht në kryq. Edhe më tej shkonte filozofi Jean Paul Sartre, që duke e njohur mirë Che, arriti ta quante “qenia njerëzore më e plotë e kohërave tona, një njeri i përsosur”.

Një studim i kryer në Bolivi nga Guardian, bazuar në intervistat me një numër të madh njerëzish, ka hequr çdo lloj dyshimi në lidhje me këtë: ai nderohet si një shenjt. Disa thoshin se luteshin çdo ditë për të, të tjerët që mbanin imazhin e Guevarës të varur në shtëpi së bashku me atë të Jezusit, Marisë dhe Gjon Palit II, të tjerët ndiznin qirinj rregullisht në kujtesë të tij, për të marrë ndihmë.

Nga ana tjetër, në një kuptim, edhe në shoqëritë më të zhvilluara, nderimi ka arritur pothuajse në nivele fetare. Nga ky këndvështrim, arti bashkëkohor ka kontribuar jashtëzakonisht shumë: duke u bërë një subjekt preferencial, një simbol bashkëkohor, madje edhe pamja e jashtme e Che (fytyra dhe shikimi i tij për të qenë më i saktë) ka favorizuar një fenomen të pazakontë, një lloj ikonolatrie (nderimi i ekzagjeruar i ikonave të shenjta), në një dritë laike. Fotografia e famshme nga Alberto Korda, e marrë në mënyrë grafike nga artisti irlandez Jim Fitzpatrick dhe e montuar në një sekuencë të famshme me ngjyra të ndryshme nga Andy Uarhol, ka kapërcyer kontinentet, epokat dhe brezat deri në pikën e gjenerimit të një idhujtarie të vërtetë.

Në krahasim me fenomenin konsumistik që në rastin e Che Guevarës përbën në fakt një paradoks shumë të madh dhe të pabesueshëm, nderimi pothuaj fetar përbën diçka unike në historinë bashkëkohore. / History Today – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button