Nga Alessandra Venice
“Io Donna”
Një damë me të gjitha karakteristikat personale, dhe më pas perandoreshë, mbretëreshë, princeshë, një agjente 007 etj. Pas një karriere 55-vjeçare dhe më shumë se 140 filmave, çfarë i ka mbetur Helen Mirren për të përjetuar? Pas sukseseve në teatër, kinema, televizion, së fundmi është kthyer në një ikonë (një term tashmë i abuzuar, por i përsosur për të) e modës së nivelit të lartë dhe e grave të bukura mbi të 50-at.
L’Oréal e ka zgjedhur atë si ambasadoren e saj për fushatën e tij “Ti vlen” në moshën 69-vjeçare. Disa muaj më parë, e përjavshmja amerikane “People” e vendosi atë në kopertinën vjetore kushtuar bukurisë. Dhe aty ajo të mahnit me flokët e saj të bardhë, thonjtë indigo dhe fustanet e mbrëmjes ngjyrë rozë. Nëse e sheh por edhe flet me të, vëren se i shkon për shtat roli i zonjës së madhe. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ajo shpërthen me energjinë e një adoleshenteje të papërmbajtur.
Zgjedhjet e roleve të fundit konfirmojnë një talent eklektik. Muajt e ardhshëm do ta shohim në ekranin e madh në vazhdimin e serisë “Shazam! Fury of the Gods”, një film me super-heronj ku ajo shndërrohet në një figurë mitologjike (Hespera), tek “Golda”, ku ajo Luan rolin e kryeministres karizmatike izraelite Golda Meir gjatë Luftës Jom Kipurit.
E intervistojmë në Los Angeles ku po promovon “Shazam!”. Biseda kalon shpejt nga e tashmja në të kaluarën, nga gjendja e grave dje dhe sot tek dashuria e saj për Italinë dhe Salenton ku banon për pjesën më të madhe të kohës. Mirren është e ngrohtë, miqësore dhe e buzëqeshur. E mençur sepse di ta përballojë jetën me gëzim, energji dhe guxim.
Ju luani në 2 filma të rinj që pritet të dalin tani së shpejti, në serialin televiziv “1923”, 3 filma të tjerë janë në fazën e post-produksionit, keni realizuar një dokumentar mbi çrregullimet neurologjike dhe dëmtimet e shtyllës kurrizore… Ku e gjen entuziazmin, energjinë dhe kuriozitetin për të vazhduar punën me këtë lloj ritmi të furishëm?
Jo Alesandra, nuk jam aq e sigurt se mund t’ia dal gjithmonë. Thellë në zemrën time, dua vetëm të qëndroj në shtëpinë time në Salento, me miqtë e mi dhe të kujdesem për pemët e ullirit. Kjo është vetëm ajo që do të doja të bëja. Kur më ofrohet një rol, reagimi i parë instiktiv që më vjen është refuzimi.
Por më pas filloj të mendoj se mund të më argëtojë, ose ndoshta të më çojë në një pjesë interesante të botës… Kështu që them po, dhe në të njëjtin moment mendja ime ndryshon sërish drejtim. Largohem nga Italia dhe kur mbërrij në sheshin e xhirimit jam e lumtur. Jam 100 për qind e vetes sepse e dua shumë punën time.
Ju jeni një shembull frymëzues sesi mosha 70 vjeç mund të shënojnë fazën triumfale të jetës së një gruaje. Pra që ne mund të punojmë, të ekspozojmë veten, të përfshihemi në betejat tona dhe të besojmë…
Është një moment i bukur dhe interesant. Megjithatë, do të doja të kthehesha në moshën 30-vjeçare dhe jo të isha e re. Sot mundësitë qu ofrohen aktoreve të reja nuk ekzistonin kur unë isha 30 vjeçe. Ndoshta, i them vetes se kam humbur shumë mundësi. Nga ana tjetër, këto ndryshime në qëndrim dhe kulturë kanë sjellë rezultate pozitive për secilin prej nesh.
Sot pamja e grave më me përvojë dhe më të pjekura është jo vetëm e pranuar, por një pjesë e pandashme e botës së krijimtarisë. Pra pamja jonë nuk është më në një cep, gati si e ndëshkuar, e harruar për shkak të viteve. Sot gratë e moshës 50, 60, 70 vjeç nuk mendojnë se jeta e tyre ka mbaruar. Për sa kohë që janë në gjendje të mirë shëndetësore, ato vazhdojnë karrierën e tyre. Sot nuk ka të bëjë me të qenit me fat apo jo, ne të gjithë kemi adoptuar mënyrën e duhur të të jetuarit.
Si i kujtoni 30-at tuaja?
Ajo fazë nuk ishte e lehtë për ne. Nuk kishte një fushatë #MeToo, dhe betejat i bënim individualisht. Ishte shumë e vështirë të luftoje kundër kulturës dominuese, kur burrat na thoshin vazhdimisht se çështja themelore ishte “natyra e gjërave” ose të kesh fëmijë dhe të jesh nënë. Por cila natyrë? Budallallëqe! Është gjithmonë dhe vetëm një çështje kulture.
Sot ka ndryshuar edhe koncepti mbi bukurinë…
Absolutisht. Ne ishim mësuar gjithmonë të shihnim në ekran burra të një moshe të caktuar me rrudha dhe flokë të thinjur. Kjo për një grua kjo ishte e paimagjinueshme. Sot është e pranueshme, dhe ky përbën një ndryshim kulturor të rëndësishëm. Le të shpresojmë që të mos kthehemi mbrapa, sepse regresi është bërë i zakonshëm këto kohë.
Pas Shazam, Golda dhe dokumentarit, cili është projekti juaj i radhës?
Po mësoj italisht. Jam duke marrë mësime çdo ditë, sepse dua të jem në gjendje të bisedoj rrjedhshëm me njerëzit! Pastaj dua të mësoj si të gatuaj bukë, pasta dhe ëmbëlsira.
Bashkëshorti juaj është në Los Angeles këto ditë, por një pjesë të vitit jeton në Pulja dhe imagjinoj që kthehet shpesh edhe në Angli, vendlindjen e tij. Ku është shtëpia për të?
Për arsye profesionale, bashkëshorti im (regjisori Tejlor Hekkford, me të cilin është martuar në vitin 1997) dhe unë kemi një shtëpi në SHBA. Atje kemi edhe familjen tonë, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por gjithnjë e më shumë në zemrën dhe mendimet e mia koncepti i “shtëpisë” më çon në Itali.
Pse ndiheni si në shtëpinë tuaj në Itali?
Së pari për shkak të shtëpisë që ndërtuam në Salento. Por më shumë se sa kjo, do të thoja për shkak të njerëzve dhe kulturës së këtij vendi. Unë do të jem gjithmonë e huaj, e kuptoj këtë dhe nuk do të mund ta kuptoj plotësisht jugun tuaj. Por në Salento më pritën menjëherë shumë ngrohtë. Jo si një yll kinemaje, edhe pse të gjithë më quajnë “aktorja”. Banorët më përqafuan plot ngrohtësi. Të nesërmen i thashë bashkëshortit: “Jetojmë këtu në Los Anxhelos për rreth 15 vjet, kemi parë djalin e fqinjit të rritet nga fëmijë në adoleshent dhe të shkojë në universitet, por ne nuk kemi asnjë lloj marrëdhënie miqësore.”
Në Itali pas vetëm disa muajsh – duket e pabesueshme – kisha ta paktën 5 persona të cilëve mund t’u telefonoja menjëherë dhe ata do të vinin me vrap për të më ndihmuar nëse do të kisha ndonjë problem. Nuk mendoj se këtu në SHBA pas vetëm 6 muajsh dikush do të hapë krahët dhe do të vrapojë të të ndihmojë për diçka. Është një çështje e mirësisë së zemrës, e bujarisë së banorëve të Salentos. Dhe për një person që “qëndron kalimthi” është e mrekullueshme të mirëpritet në këtë mënyrë.
Marrë me shkurtime nga Io Donna – Bota.al