Shumë herë kemi luajtur me kuptimin e termit kufi, por nuk e kemi kuptuar kurrë kufirin si term largësie. E megjithatë, ky duket termi më i përshtatshëm për idenë e ndërtimit të qendrave të të dhënave në hapësirë dhe në Hënë: me distancën mesatare nga Toka prej 384,400 km, është kufiri i vërtetë i të dhënave tona.
Kompani dhe agjenci te ndryshme me shkencëtarët e hapësirës po punojnë në projekte për të krijuar infrastruktura dixhitale të avancuara jashtë Tokës. Njëra është ajo e startup-it, Lonestar Data Holdings, e cila po planifikon të ndërtojë qendra të dhënash në Hënë. Hapi i parë i këtij projekti ishte nisja e një “qendre të dhënash në një kuti” të vogël nëpërmjet misionit IM-2 të Intuitive Machines.
Kompania synon të sjellë module në sipërfaqen hënore për të krijuar qendra autonome të dhënash deri në vitin 2026.
Qendrat e të dhënave hënore kanë disa avantazhe unike si siguria fizike e ofruar nga sateliti, në të cilin nuk ka tërmete apo fatkeqësi të tjera natyrore, efikasitet të padiskutueshëm të energjisë dhe mundësinë për të qenë një rikuperim i përsosur, larg problemeve për të dhënat kritike.
Është e qartë se sfidat teknologjike janë të mëdha dhe problemet që duhen përballuar variojnë nga rezistenca ndaj rrezatimit deri te sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike. Megjithatë, kufijtë janë gjithashtu vendet ku dallimet dhe tensionet bëhen të dukshme.
Ideja e kolonizimit të të dhënave të Hënës fsheh tre zonat më të mëdha të fërkimit dhe konfliktit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. E para ka të bëjë me energjinë. Kina ka ndërtuar një pozicion shumë të fortë në teknologjitë e energjisë së pastër, si panelet diellore dhe bateritë e automjeteve elektrike. Për më tepër, Vendi i Dragoit po shfaqet si një lider global në teknologjinë e avancuar bërthamore.
Pekini është përpara Shteteve të Bashkuara në zhvillimin dhe vendosjen e reaktorëve bërthamorë të gjeneratës së katërt (4G), të konsideruar si e ardhmja e energjisë bërthamore të teknologjisë së lartë. Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara kanë ngadalësuar në zhvillimin e centraleve të reja bërthamore. Aftësia e Kinës për të zhvilluar teknologji të përparuara të energjisë mund të forcojë pozicionin e saj si një furnizues global i energjisë së pastër dhe të rrisë ndikimin e saj ndërkombëtar, veçanërisht pasi shumë vende kërkojnë burime energjie për të fuqizuar qendrat e tyre të të dhënave.
Ky tension lidhet me “luftën e çipave”: gjysmëpërçuesit, ose mikroçipet, janë fokusi i dytë i rivalitetit teknologjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Këta komponentë janë thelbësorë për një gamë të gjerë teknologjish, nga inteligjenca artificiale tek pajisjet elektronike të përditshme e deri tek aplikimet ushtarake.
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një strategji kontrolli për të kufizuar aksesin e Kinës në teknologjitë e avancuara, veçanërisht ato që lidhen me prodhimin e çipave të avancuar. Këto masa synojnë të ngadalësojnë përparimin teknologjik të Kinës dhe të mbrojnë sigurinë kombëtare të SHBA.
Sipas disa instituteve amerikane, megjithatë, tensioni mbi mikroçipet shkaktohet pikërisht për t’i rezistuar fuqisë energjetike kineze dhe për të siguruar që ajo të mos prodhojë një avantazh shumë të dukshëm.
Dhe kjo na çon në tensionin e tretë, që është kthimi në Hënë. Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë shtrirë edhe në hapësirë, me një “garë të re për Hënë”, e cila ka implikime të thella gjeopolitike dhe teknologjike. Të dy vendet po zhvillojnë programe ambicioze hapësinore që synojnë jo vetëm kthimin në Hënë, por edhe vendosjen e një pranie të përhershme në satelit, me implikime të mundshme ekonomike dhe strategjike.
Kina ka demonstruar tashmë aftësi të dukshme hapësinore me misionet Chang’e-4 dhe Chang’e-6. Këto suksese kanë nxitur shqetësime në Shtetet e Bashkuara: në fakt, konkurrenca në hapësirë reflekton tensionet gjeopolitike në Tokë.
Në këtë nivel shfaqen një sërë sfidash komplekse që nisin nga etika – nëse, për shembull, kemi të drejtë apo jo të ndryshojmë dhe – ndoshta – të ndotim satelitin tonë me mbetje biologjike dhe artefakte njerëzore. Mundësia e vendosjes së përhershme në Hënë ngre pyetje në lidhje me të drejtat për burimet hapësinore dhe mënyrën e rregullimit të këtyre aktiviteteve.
Aktualisht, nuk ka marrëveshje të qarta ndërkombëtare dhe kjo garë për burime është një shtytës i fortë i konflikteve të mundshme. Ne mund të jemi jo vetëm e vetmja specie e njohur e aftë për të shtrirë habitatin e saj në hapësirat ekzoplanetare, por edhe e vetmja e aftë për të eksportuar konflikte. Shkurt, përpara se tensionet të kthehen në konflikte, duhet që të paktën të tentojmë një ndërmjetësim etik, mbi kufirin e ri. / bota.al