Your Life

Herbert Spencer: “Realizimi i vetvetes i bën të tjerët më të lirë”

Një intervistë e pamundur me filozofin Herbert Spencer

spencer

Në shkrimin e 1891, të titulluar “Nga liria në skllavëri” (i shfaqur si hyrje në një vëllim të kuruar nga Thomas Mackay), Herbert Spencer kundërvë logjikën e bashkëpunimit vullnetar, kryesore e ekonomisë së tregut, me atë të bashkëpunimit të detyruar, e bërë tipar në kohërat modern nga socializmi dhe nga forma të tjera të ndërhyrjes. Për filozofin anglez suksesi i këtij modeli të fundit mbështetet mbi faktin se përballë problemesh të shumta sociale (duke filluar nga vetë varfëria) shfaqet gjithnjë e më shumë e arsyeshme të sugjerohen zgjidhje që ravijëzojnë shtigje të shkurtëra pak efikase, por shumë tërheqëse për publikun. Spencer evidenton sesi njerëzit që premtojnë zgjidhje sempliciste mrekullie në fakt janë të destinuar që të promovojnë një zgjerim progresiv të pushtetit shtetëror dhe një militarizim të të gjithë shoqërisë.

Profesor Spencer…

Po e nisim keq. Nuk jam “profesor”, mos më quani kështu. Ajo e imja ishte një familje edukatorësh privatë dhe që është marrë për një kohë të gjatë në shkencën e edukimit. Por për standardet e kohëve tuaja, kam pasur një arsimin të çrregullt dhe, duke pasur parasysh të gjitha faktet, gjëja nuk më vjen keq aspak.

Atëhere zoti Spencer është më mirë?

Patjetër.

Zot Spencer, ju keni qenë një celebritet i vërtetë në jetë, por për veprat tuaja sot praktikisht nuk mund të flitet më. Ju ka mbetur mbi shpinë e ngjitur një etiketë jokomode: “darvinist social”.

Dhe nuk ka ku të shkojë një etiketë më e gabuar. Nuk jua fsheh se kam respekt të madh për kërkimet e Charles Darwin, por teoritë tona lidhur me evolucionin janë të ndryshme. Për më tepër, kush më quan “darvinist social” lë të nënkuptohet se unë kam qenë një admirues jokritik i njerëzve të biznesit dhe mbështetësi i një individualizmi më shumë brutal, i bindur se të varfrit duhet të hiqen qafe me hir apo me pahir…

Nuk është kështu?

Nuk më ka shpëtuar asnjëherë se pasuritë e mëdha nganjëherë janë ndërtuar mbi mashtrimin dhe mbi dredhinë. Mbi të gjitha, nuk më ka shpëtuar kurrë se – në Anglinë në të cilën kam jetuar, por më duket se gjërat në botën e sotme deri janë përkeqësuar – ekzistojnë raste afërsie të tepruar midis sipërmarrjes dhe politikës, me të dytën që fabrikon masa dhe rregulla në favor të së parës.

Por ju individualizoni dy polaritete në evolucionin historik e shoqërive njerëzore: nga njëra anë shoqëritë “ushtarake”, nga ana tjetër shoqëritë “industriale”. Kalimi nga njëra tek tjetra shoqërohet me një zvogëlim të kapjes së pushtetit publik mbi individët e veçantë dhe me një rritje të lirisë individuale…

Sistemi i bashkëpunimit vullnetar është ai që karakterizon shoqëritë e lira dhe që bëhet më i theksuar gjatë rrjedhës së evolucionit social. Vetë kuptimi i qytetërimit është evolucioni drejt një forme bashkëpunimi vullnetar në të cilin askush nuk mund t’u imponojë asgjë të tjerëve dhe aq më pak t’i detyrojë me forcë që t’u bindet dëshirave të tij. Përkundrazi, në shoqëritë primitive kam individualizuar një formë bashkëpunimi të detyruar, të natyrës që vërehet jo në një treg (ku njerëzit janë të lirë të shkëmbejnë ose jo mallra apo shërbime të caktuara), por në një ushtri, ku sfera e vullnetit individual mbetet e nënshtruar ndaj vullnetit të superiorit. Është një proces i madh historik. Edhe unë e kam përshkruar shpesh duke përdorur formulën fatlume e Henry Maine: si një kalim nga “statusi”, nga një shoqëri në të cilën secili prej besh kishte një “vend” të caktuar në lindje nga i cili ishte mjaft e vështirë të dilej, tek “kontrata”, domethënë në një shoqëri në të cilën jemi reciprokisht të varur njëri nga tjetri në funksion lidhjesh që kemi zgjedhur. Me kalimin e kohës, kam kuptuar se ishte një rrugëtim shumë më pak linear nga sa mendohej. Por kjo çfarë ka të bëjë me “darvinizmin social”?

Ma thoni ju…

Absolutisht aspak. Nuk kam besuar kurrë se morali i biznesmenit ishte “superior” ndaj të tjerave. Por, për hir të së vërtetës, as edhe inferior: nuk ka arsye për të menduar se kush bën biznes është moralisht “ndryshe” nga të tjerët. Përhapja e praktikave mashtruese, në të gjitha nivelet, është një fatkeqësi, shumë shpesh e ushqyer nga një admirim jokritik për pasurinë. Edhe kjo është atavizëm: në kohërat e mia adhurohej suksesi ekonomik i thjeshtë saktësisht siç tek të tjerët adhuroheshin vrasës serialë të deklaruar “heronj lufte”. Ka një sukses ekonomik që buron nga beneficet e sjellë në shoqëri në kompleksin e saj: ajo që i vjen një personi nga fakti se ka arritur të interpretojë preferencat e ngjashmëve të tij, duke u ofruar atyre “gjëra” që ata dëshirojnë. Kjo pasuri duhet admiruar, jo ajo që është fryt manovrash të errëta në dhomat e pushtetit. Por kam frikë se është një betejë e humbur. Unë do ta konsideroja të dëshirueshme që të gëzonin miratim social të gjerë dyqanxhinjtë e zot, por në të vërtetë njerëzit tentojnë të preferojnë dinakët e çdo lloji: bankierë që flirtojnë me politikën, bosë ndërmarrjesh publike apo parapublike që shpërndajnë benefice në favor të grupeve me interesa specifike (duke filluar nga shtypi), politikanë që zbulohen shumë bujarë me paratë e të tjerëve.

Shikoni se ndoshta kritikët tuaj nuk e kanë gabim. Ju keni simpati të pakët për bujarinë e politikës dhe, kështu, edhe për atë që më pas do të bëhet shteti social, domethënë për aranzhimet institucionale që janë zhvilluar pikërisht për të ndihmuar atë që nuk arrin të ruajë ritmin me hapin e ekonomisë së tregut.

Nuk kam bërë një jetë veçanërisht të lumtur dhe një gjë – shikoni, lidhur me këtë nuk ka kurrfarë dyshimi – më ka qenë gjithmonë e qartë. Domethënë, se ka njëmijë arsye për të cilat një njeri mund të “mbesë prapa”, siç e thoni ju, dhe të mos ia dalë në jetë. Filantropinë dhe bamirësinë private i kam pasur gjithmonë për zemër. Kam menduar edhe se ato do të kishin pasur një rol shumë më të madh aq më shumë që një shoqëri kishte evoluar. Mendoja edhe se në shoqëri më të lira, njerëzit me mjete do të kishin shkarkuar gjithnjë e më shumë energji në favor të mirëqenies materiale morale të masave. Ky është një parashikim që më duket se nuk e kam gabuar, apo jo?

Mund të shpjegoheni më mirë.

Merrni një shoqëri që bile nuk më pëlqen kushedi se çfarë, si puna asaj amerikane…

Lidhur me këtë, kujtoj një diskutimin tuaj, i cili shkaktoi skandal.

Ah, po. Në atë kohë kisha shumë admirues në Amerikë. Më duhet ta pranoj se ndoshta kam qenë një shkrimtar më pak i zoti nga sa më pëlqen të mendoj. Edhe ata, të mbledhur, Zoti qoftë me ta, për të më nderuar, prisnin që unë t’i thurja elozhe atij lloj “Ungjilli të punës” që e bënin të tyrin. Trashë – trashë, u ngrita dhe u thashë që të mësojnë të pushojnë, se jeta keqësohet kur pasioni ynë i vetëm është bërja e biznesit, se mungesa e përkushtimit ndaj kënaqësive të jetës, duke filluar nga arti dhe nga muzika, është një krim kundër gjeneratave të ardhshme…

Nuk e pritën mirë…

Formalisht qenë të patrazuar, duartrokitën, edhe pse me bindje të pakët, dhe është e vërtetë, nuk e pritën mirë, por mos doni që kjo të më interesojë? Ndjehesha shumë keq, gjithmonë kam reaguar keq ndaj udhëtimeve dhe mezi prisja orën që të kthehesha në shtëpi. Duke thënë këtë, më duket se filipika ime nuk ka shkuar dëm. Në Amerikën e ditëve të sotme gëlojnë kapitalistët që zbulohen filantropë. Tani kijeni mirë mendjen. Unë nuk besoj se askush nuk e ka detyrimin që t’i “kthejë” ndonjë gjë komunitetit, siç thonë disa me këtë shprehje paksa qesharake: give back to the community. Nëqoftëse një njeri është bërë i pasur me mënyrë të ndershme, duke u dhënë konsumatorëve atë që dëshirojnë, i gëzon me titull të plotë frytet e punës së tij. Tashmë komunitetit i ka dhënë shumë, nga momenti që nuk ka gjasa se është bërë aq i pasur pa u dhënë të tjerëve diçka për të cilën kishin nevojë. Nëqoftëse është ndonjë mashtrues apo trafikant, ky është diskutim tjetër. Megjithatë, po thoja, nuk është çështje e një “detyrimi” juridik të pretenduar (Detyrim për çfarë? Të plaçkitesh nga shteti me buzëqeshjen në buzë?): është thjesht një formë komportamenti koherent me jetën në një shoqëri të lirë. Njerëzit zhvillojnë një formë simpatie ndaj të ngjashmëve të tyre, dëshirojnë që të jenë të admiruar dhe të admirueshëm. Për këtë investon goxha para në sponsorizimin e iniciativave të bamirësisë apo sallat e mëdha të koncerteve. Amerika e sotme i është një shembull i mirë: të pasurit garojnë, bëjnë konkurrencë me njëri tjetrin, edhe në bërjen mirë.

Zbulohen tek ju ndjenja humanitare të padyshimta.

E pse të padushimta? Një lexues mjaft kritik i imi, por inteligjent, Robert Nisbet, më duket se e kishte kuptuar mirë. Shkroi se (po e citoj fjalë për fjalë) “pavarësisht opinionit të përgjithshëm, sipas të cilit pasioni i lirisë i Spencer konsistonte vetëm në dhënien liçencë pasanikëve dhe të fuqishmëve për të bërë atë që dëshironin, ekziston një dell i fortë dhe këmbëngulës humanitarizmi në veprat e tij”. Në kohërat tuaja qarkullon ideja e çuditshme se nëqoftëse një njeri kujdeset për fqinjin, ai dëshiron që shteti të ketë monopolin e solidaritetit. Do të ishte si të thoje se një i apasionuar pas futbollit dëshiron që shteti të jetë pronari i vetëm i të gjitha skuadrave. Është një zhgënjim tjetër…

Në çfarë kuptimi?

Shikoni, unë kur isha i ri mendoja se rruga drejt lirisë tashmë ishte e hapur. Mendoja se procesi i evolucionit shkonte nga e thjeshta tek e ndërlikuara dhe isha i bindur (jam i bindur) se liria është e nevojshme në një shoqëri komplekse. Planifikimi shtetëror funksionon në komunitete të vogla, ku vendimi i pak njerëzve mund ta orientojë në mënyrë efikase prodhimin e të gjitha të mirave të pakta sociale të disponueshme. Pak njerëz mund të koordinohen për të prodhuar pak gjëra, që i vë në rresht një shef absolut bën pak dëm. Por në një shoqëri të gjerë e komplekse, në të cilën presim të kemi në dispozicion mallra dhe shërbime në masë gjithnjë e në rritje, kjo formë centralizimi nuk mund të funksionojë. Atë që unë e quaja “liri e barabartë”, domethënë faktin që liria e individëve gjente një limit vetëm në lirinë e barabartë e individëve të tjerë, mundëson që individualitetet e çdo njeriu të shpjegohet në mënyrën më të plotë dhe të pajtueshme me individualitetin e të tjerëve. Është liria ajo që bën që secili, duke ndjekur qëllimet e veta, kontribuon për të realizuar ato të të tjerëve. Po ju thosha: mua më dukej se rruga ishte hapur. Por në të vërtetë…

Dhe në fakt mund të shkohet vetëm “nga skllavëria tek liria”, por edhe “nga liria tek skllavëria”, për të cituar titullin e esesë që na ofron shtysën për këtë bashkëbisedim…

Tamam. Unë mendoja qysh në gjysmën e dytë e jetës time qenë bërë në këtë drejtim shumë hapa. Kam vdekur në vitin 1903, nuk e qaja kushedi sesa rininë time në ndryshim nga shumë pleq, por mendoja se në planin politik kishte pasur një tërheqje të madhe. Duke rimenduar shekullin e mëpasëm, vërtet nuk kisha parë asgjë…

Mua më dukej e natyrshme se seleksionimi i nevojave më urgjente midis një numri të pafundëm dëshirash fizike, intelektuale dhe morale, të ndjera në shkallë të ndryshme nga secili, dhe gjithsesi në ndryshim të vazhdueshëm, ishte një detyrë që asnjë legjislator nuk mund ta realizojë. Nuk ka një ose më shumë njerëz që duke inspektuar shoqërinë të jetë në gjendje të sqarojë se cilat janë nevojat më urgjente të saj. Do të nevojitej një inteligjencë mbinjerëzore, që nuk është në dispozicion të asnjë autoriteti publik.

Kisha frikë se nga ky qëndrim do të dilte tirania më çnjerëzore dhe më e tmerrshme që bota ka njohur ndonjëherë. Dhe kujtoja kështu në mënyrë të respektuar, në esenë e cituar prej jush, se duke abroguar konkurrencën nuk do të ekzistonte më shkëmbim vullnetar, por rroga dhe mallra në dispozicion të njerëzve që do të përcaktoheshin nga funksionarë. Me problemin shumë të vogël se, ashtu si biznesmenët nuk janë më të mirë se të tjerët, nuk janë as burokratët: në mënyrë të pashmangshmërisht egoistë dhe të interesuar për veten si të gjithë. Shkëmbimi i lirë nuk është i përsosur, por alternativa është shumë më e keqe. Ky është një parashikim tjetër që më duket se e kam goditur.

Por tashmë epokën e totalitarizmave e kemi lënë prapa krahëve. Do të thuhej se preokupimet e tua janë anakronike.

Ah, sikur vetëm të kishit të drejtë. Mund të pushoja së rrotulluari në varr dhe të bëja më së fundi një gjumë të qetë. Bota në të cilën jetoni ju është akoma viktimë e një sëmundjeje që e kisha identifikuar qysh në vitin 1853…

Tani mos e ekzagjeroni me vetëcitimet. Do t’ia keni qëlluar me ndonjë parashikim, por lidhur me idenë themelore, progresin nga statusi tek kontrata, nga shoqëritë ushtarake tek ato industriale, ju vetë e keni pranuar se keni ecur shumë me fantazinë…

Do të ishte një ngushëllim i dobët, por besoj se kam individualizuar me një farë urtësie pengesat ndaj këtij proces evolues. Dhe përderisa ju jeni njerëz që lexoni pak dhe kujtoni akoma më pak, aq ia vlen që meritat e mia t’i përmend unë.

Po ju thosha: në vitin 1853 kam shkruar një ese që titullohet “Over-legislation”. Aty kërkoja të shpjegoja se efektet e legjislacionit nuk janë kurrë ato që legjislatori arrin të parashikojë dhe se legjislacioni – që në mënyrë të pashmangshme është pjellë e një kohe të caktuar dhe e një njohjeje, jo të përsosur, të caktuar të botës – ka një ngurtësi që është e papajtueshme me një shoqëri komplekse dhe pikërisht për këtë arsye vazhdimisht në ndryshim. Legjislatorët dhe politikanët premtojnë, zgjedhësit u besojnë, pastaj kuptohet se normat kanë efekte nganjëherë me shenjë të kundërt respektivisht synimeve të atyre që i kanë shkruar.

Ndonjë shpirt i bukur mendon se për të zgjidhur problemin mjafton të kihen legjislatorë dhe politikanë më inteligjentë.

Ju do të na donit më shumë budallenj?

Mos bëni të zgjuarin. Është një budallallëk me okë të mendosh se një Parlament personash më inteligjentë mund të ketë në dispozicion të gjitha dijet e nevojshme, të cilat i mungojnë një Parlamenti me njerëz më pak inteligjentë. Inteligjenca nuk e ka shpëtuar asnjëherë askënd nga bërja e gabimeve: më shikoni mua, kam bërë gabime dhe gjatë gjithë jetës nuk kam bërë gjë tjetër veç kam menduar! Problemi është serioz: legjislatorët tuaj prodhojnë rregulla aq të zgjeruara sa që përfundojnë për ta bërë të pamundur progresin social. Kompleksiteti ka nevojë për rregulla të thjeshta. Më lejoni që t’u them një gjë fundit?

Të lutem.

Më vjen keq për statistët. Edhe sot, që institucionet publike thithin një kuotë të pasurisë kombëtare të paimagjinueshme në kohërat e mia, ekziston gjithmonë dikush që dëshiron që shteti të bëjë më shumë. Tani, them unë, le të tregojmë pak bonsens. E keni parasysh parabolën e talenteve? “Mirë, shërbëtor i mirë dhe besnik”, i thotë padroni shërbëtorit që ka dyfishuar paratë që i qenë dorëzuar, “ke qenë besnik në pak, do të jap autoritet në shumë; merr pjesë në gëzimin e padronit tënd”. Në parabolë, padroni vlerëson shërbëtorin që e ka bërë të fitojë paratë e tij dhe ndëshkon atë që nuk ka qenë i aftë. Është ajo që secili prej nesh bën në privatësinë e tij. Le të supozojmë se keni një konsulent financiar që ju ka bërë të humbisni para: çfarë bëni ju me të? E vlerësoni duke i dhënë më shumë?

Sikur institucionet publike të qenë demonstruar të afta në bërjen e asaj që tashmë sot do të duhej ta bënin, do të kishte kuptim që t’u besoheshin atyre detyra të tjera. Por në fakt janë tmerrësisht joefikase dhe i zhgënjejnë në mënyrë konstante shpresat që qenë vendosur mbi ta.

Ju jeni njerëz të çuditshëm: nuk kalon ditë që të mos ankoheni për shtetin tuaj dhe nuk kalon ditë që të mos i kërkoni të bëjë më shumë gjëra. Kësaj radhe nuk po citoj veten, por po përfitoj nga një aktor dhe regjisor kinemaje i famshëm. Le të ecim përpara kështu, do të thyejmë qafën.

Kush është Herbet Spencer

Herbert Spencer (1820 – 1903) ka qenë një prej mendimtarëve më të njohur të epokës viktoriane. Mbrojtës i zjarrtë i lirisë individuale, projektoi një “Synthetic Philosophy” madhështore, sistem i gjerë shkencor e filozofik i përqëndruar mbi ato ide evolucioniste me të cilat akoma sot lidhet emri i tij. autor traktatesh filozofie, sociologjie dhe biologjie, si mendimtar politik veprat e tij më të mëdha janë “Social Statics” (1851), “Political Institutions” (1876) dhe përmbledhja e eseve “The Man versus the State” (1884).

/Linkiesta/

Përgatiti: ARMIN TIRANA/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button