Analiza

Hija e gjatë e pushtimit të Irakut

Nga Rosa Balfour

“Carnegie Europe”

Një shumicë e madhe evropianësh e dinin se pushtimi i Irakut në marsin e vitit 2003 ishte i gabuar. Arsyetimi i tij u ndërtua mbi atë që shpejt u vërtetua se ishte një gënjeshtër. Pra që Iraku zotëronte armë të shkatërrimit në masë.

Ndryshimi i regjimit nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake u pa në përgjithësi si i paqëndrueshëm në aspektin etik, sado i urryer ishte regjimi i Sadam Huseinit. Ndërsa përfitimet nga lufta kundër terrorizmit mbeten ende sot të paqarta.

Miliona evropianë dolën në rrugë për të ndaluar luftën, në ato që mund të kenë qenë protestat më të mëdha kundër luftës në histori. Ajo që ne, si Evropë dhe Perëndimi në përgjithësi, nuk e dinim në atë kohë ishte se dhe për sa kohë do të na përndiqet ai vendim i gabuar.

Analizimi i asaj ngjarje në retrospektivë, rrezikon në mënyrë të pashmangshme që të na nxisë ta lexojmë historinë përmes ngjarjeve të vetme. Rastësia e shënimit të 20-vjetorit të pushtimit të Irakut, ndërsa Rusia po vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë, mund të detyrojë bërjen e paralelizmave që nuk mund të mendoheshin në rrethana të tjera.

Duke e ditur këtë rrezik, është interesante të zbulohet se si lufta në Irak ndikoi në politikën e jashtme evropiane. Franca dhe Gjermania refuzuan t’i bashkohen koalicionit të udhëhequr nga SHBA. Por shumica e vendeve anëtare të BE-së e bënë këtë pavarësisht kundërshtimit të opinionit publik, me në krye Britaninë e Madhe të udhëhequr nga Tony Blair.

Duke kthyer kokën pas mund të thuhet se përçarja e thellë në atë kohë u mbyll relativisht shpejt. Në dhjetor të atij viti, Bashkimi Evropian miratoi strategjinë e tij të parë të sigurisë, e cila shkoi shumë larg në ndreqjen e ndarjeve të shkaktuara nga lufta në Irak.

Në vitin 2003, unioni nisi operacionet e tij të para jashtë vendit, në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me një mision ushtarak në Maqedoninë e Veriut dhe një mision policor në Bosnje Hercegovinë. Në mesin e vitit 2004, NATO dhe BE-ja i mirëpritën anëtarët e tyre të rinj nga Evropa Qendrore.

Në një transformim historik, BE-ja u zgjeruar nga 15 në 25 anëtarë, dhe pavarësisht ndarjeve mbi Irakun, nuk u vërtetuar frika se numri më i madh i anëtarëve do ta paralizonte vendimmarrjen. Gjithsesi ajo luftë hodhi një hije më të gjatë dhe më të dëmshme përtej funksionimit të Bashkimit Evropian.

Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme në përgjithësi pati në mënyrë të pashmangshme pasoja edhe në Evropë. Nëse Lufta në Irak shënoi fillimin e fundit të momentit unipolar të SHBA-së, Evropa ishte e ekspozuar ndaj pasojave.

Politika e BE-së ndaj Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme u ndërtua mbi stabilitetin rajonal që mund të projektonin atje Shtetet e Bashkuara. Gjatë viteve 2003-2004, BE-ja filloi me optimizëm dhe ambicie zbatimin e Politikës së saj të Fqinjësisë Evropiane për të “promovuar një rrjet vendesh të qeverisura mirë…me të cilët mund të kemi marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunuese”.

Ka shumë arsye pse kontrasti midis ambicieve të 20 viteve më parë dhe realiteteve të sotme është kaq shumë i madh. Por disa nga këto arsye u ndikuan nga vargu i ngjarjeve që dolën nga ajo luftë. Justifikimet e shtrembëruara dhe të ngatërruara për Luftën e Irakut, vazhdojnë të shkaktojnë reagime edhe sot e kësaj dite.

Mbështetja e marrëdhënieve të BE-së me pjesën tjetër të botës qëndronte prapa mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe reformave demokratike. Ngatërrimi i ndryshimit të regjimit me promovimin e demokracisë i vendosi nën një tendosje serioze politikat e BE-së. Edhe nëse dëmtimi i reputacionit të BE-së nuk ishte asnjëherë aq i rëndë sa ai i Shteteve të Bashkuara, pretendimet e Brukselit se universalizmi dhe parimet e sanksionuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) po orientonin mbështetjen e saj për demokracinë jashtë vendit, u njollosën nga lufta.

Në kohën e kryengritjeve të Pranverës Arabe, retorika e fortë e BE-së për mbështetjen e të drejtave dhe parimeve të njeriut u shndërrua në një pëshpëritje të zbehtë. Bashkëpunimi i vendeve anëtare të BE-së, mbi baza të dyshimta ligjore, në dorëzimin tek SHBA-ja të të dyshuarve si terroristë ishte një njollë tjetër.

Po ashtu, një “viktimë” tjetër e Luftës së Irakut ishte internacionalizmi liberal, që kishte hedhur bazat ideologjike për një sërë nismash ndërkombëtare, nga “përgjegjësia për të mbrojtur” deri tek drejtësia ndërkombëtare. Ndërkaq dhe BE-ja e kishte projektuar

imazhin e saj ndërkombëtar rreth këtyre parimeve optimiste për të udhëhequr marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndërhyrja ushtarake evropiane e pafat apo indiferenca ndaj krizave që shpërthyen në Lindjen e Mesme i vendosi në fund të listës qëllimet e larta të përgjegjësisë për të mbrojtur. Duke lënë mënjanë hendekun e dukshëm midis retorikës dhe realitetit, të gjithë anëtarët e saj ia kanë nënshtruar veprimet e tyre juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila javën e kaluar paditi presidentin rus Vladimir Putin për krime lufte të kryera kundër fëmijëve ukrainas.

Mungesa e përgjegjshmërisë për veprimet e SHBA-së në Irak, po përndjek tani si hije ndjekjen e përgjegjësisë për krimet e luftës ruse në Ukrainë. Në fakt, këtu shtrihet ndoshta hija më e gjatë Luftës së Irakut: ajo shënon fillimin e epokës së mosndëshkimit, siç e përkufizon ish-sekretari i jashtëm britanik, David Miliband, kohët tona, në të cilat “pushteti ushtrohet pa përgjegjësi”.

Ndërhyrja ushtarak e pamatur, shtrembërimi i ligjit ndërkombëtar, manipulimi i institucioneve ndërkombëtare dhe pandëshkueshmëria janë mësimet që kanë nxjerrë nga pushtimi i Irakut liderët autoritarë në mbarë botën.

Sot, kur evropianët flasin me partnerët e tyre në Jugun Global, dëgjojnë shumë arsye se pse pjesa tjetër e botës nuk po rreshtohet me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën kundër pushtimit e Ukrainës nga Rusia. Për disa, lufta në Irak është moralisht ekuivalente me luftën në Ukrainë.

Është e vështirë t’i shpëtohet akuzave për hipokrizi. Nevoja për të kuptuar se si pjesa tjetër e botës i sheh veprimet e Evropës është ndoshta një mësim që ka nisur të mësohet vetëm tani.

Natyrisht, është e gabuar t’i atribuosh në mënyrë retroaktive një mori pasojash komplekse një ngjarjeje të vetme.

Për ata prej nesh që e vëzhguan përmbysjen e parimeve dhe zhvillimeve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, Iraku ishte ndoshta një pikë kthese simbolike pas së cilës u bë naive të imagjinohej një botë më e mirë. Ai i dha Putinit një mësim për mosndëshkimin. Dhe i dha Perëndimit leksionin se me fqinjësinë vijnë përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Back to top button