Çdo kamarier ecën me parimin: “Porosi e majme, bakshish i majmë”. Kjo gjë ishte dhe në mendjen e një kamarieri, i cili ishte duke kaluar një periudhë tepër të vështirë në jetën e tij, por që duhet të punonte për të siguruar disa të ardhura për familjen. Një ditë prej ditësh, në restorantin ku punonte, hyri një i moshuar që dukej tepër i pasur dhe kamarieri u përpoq t’i bënte përshtypje që i moshuari të zgjidhte gjërat më të shtrenjta të menusë.
Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Ai porosi vetëm një sandwich dhe një limonadë. Kamarieri u largua i zhgënjyer nga një porosi e tillë. Ishin gjërat më të lira në menu. Kjo do të thoshte që i moshuari, ose do t’i linte një bakshish minimal, ose nuk do t’i linte aspak bakshish, sepse kështu ndodhte përherë. Kamarieri e kishte mësuar këtë parim nga gjithë koha që kishte kaluar në atë punë.
Kur i moshuari i kërkoi faturën, djali i ri shkoi për t’ia çuar dhe u habit nga pyetja e tij. “Ka diçka që po të mundon? Shoh trishtim në sytë e tu”, e pyeti i moshuari pasanik. “Po kaloj një kohë të vështirë. Kam probleme shumë të mëdha personale”, ia ktheu kamarieri dhe u largua, pasi i dorëzoi faturën.
Kur i moshuari kishte lënë në tavolinë pagesën e asaj që kishte porositur, u çua dhe shkoi drejt makinës së tij. Kamarieri shkoi të merrte pagesën në tavolinë dhe sheh aty një valixhe me mijëra dollarë. I habitur shkon dhe e ndjek të moshuarin nga pas, duke u përpjekur që t’ia kthente valixhen që ai kishte harruar.
“Unë nuk e harrova valixhen. E lashë atë me qëllim, si një bakshish për shërbimin tënd. Dikur dhe unë kisha probleme të mëdha dhe një i moshuar erdhi në lokalin ku unë punoja si kamarier, e më la një bakshish po kaq të majmë që më shërbeu për të paguar gjithë shkollimin tim. Të njëjtën gjë po e bëj edhe unë me ty”, i tha i moshuari. Kamarieri mbeti pa fjalë. Ajo që ai mundi të thoshte, ishte vetëm: “Të falenderoj pamasë. Këto para do të shkojnë për kurimin e nënës sime që vuan nga kanceri”.
Kjo histori, ndoshta e trilluar, na tregon më së miri se nuk duhet asnjëherë ta gjykojmë dikë që po kalon në vështirësi, por t’i gjendemi atij sa më pranë, me çdo gjë që ne e kemi mundësi ta bëjmë. Jeta jonë merr vlerë në sajë të shërbimit tonë ndaj të tjerëve, ndaj mundohuni të shpërndani dashuri e mirësi kudo ku shkoni. Gjithçka është në dorën tuaj…