Motivuese

Histori motivuese për çdo femër: “Një karrierë e suksesshme nuk do të thotë familje e shkatërruar”

“Vendimi për t’u bërë drejtuese apo menaxhere në një kompani është një sfidë që e prek gjithë jetën. Nuk ka lidhje vetëm puna që do të bësh, atë mund ta menaxhosh më së miri. Mirëpo drejtimi apo menaxhimi prek gjithë rolet si nënë për fëmijët e tu, bashkëshorte për burrin tënd, apo bijë për prindërit e tu. Njësoj si vendimi që merr për t’u bërë mama, edhe vendimi për të drejtuar diçka prek çdo sferë të jetës.

Ka pasur shumë persona që më kanë frymëzuar, si nëna dhe babai im. Në faza të ndryshme të jetës sime jam frymëzuar dhe kam marrë këshilla nga njerëz të ndryshëm. Si psh nga Jose Augusto Figueiredo, shefi i kompanisë ku punoj. Kam punuar me të për më shumë se 20 vite. Në fillim të karrierës sime, kishim një projekt tepër sfidues dhe nuk e dija nëse isha personi i duhur për atë punë. Ai më ndihmoi pamasë për ta bindur veten se isha personi i duhur dhe më mbështeti për të ndërtuar një ekip të suksesshëm. Ai më mësoi se si duhet të bashkoj njerëzit më të mirë në momentin e duhur.

Më vonë, kur ai më tha se dëshironte të bëhesha lidere, më frymëzoi shumë për ta pranuar dhe pëlqyer këtë pozicion. Më pyeste, më fliste, më tregonte aspekte të ndryshme të jetës, si dhe më motivonte kur ndihesha e lodhur nga gjithë detyrat që kisha në rutinën time përveç punës. Mbaj mend që i ankohesha shpesh për lodhjen time si nënë, për bashkëshortin që nuk po i kushtoja shumë vëmendje, për prindërit që nuk po i vizitoja si më parë. Ai gjithmonë gjente një mesazh motivues për të më komunikuar.

Nga gjithë çfarë kam kaluar, mund të them se asnjë femër nuk duhet të ketë frikë të bëhet një lidere. Dhe nuk duhet që asnjë femër të presë të trajtohet ndryshe, thjesht sepse është një femër. Si femër, nuk ka asnjë ndryshim në drejtimin e diçkaje. Madje ndonjëherë mendoj se jemi më mirëkuptuese ndaj problemeve që mund të kenë punonjësit, se sa liderat meshkuj. Jemi më të organizuara, më fleksible dhe më elastike në komunikim. Ky është një përfitim për gjithë punonjësit, pasi ambient i punës nuk ka pse të jetë ambient stresues.

Gjithashtu mësova se, nuk ke pse e shmang krijimin e një familjeje për të bërë një karrierë të suksesshme. Shumë femra mendojnë se po të vendosin të bëjnë karrierë, apo të korrin sukses, duhet të heqin dorë nga krijimi i familjes. Nuk është e vërtetë. Një karrierë e suksesshme nuk do të thotë familje e shkatërruar. Unë ia kam dalë në të dyja fushat e jetës. Madje mendoj se këto dy aspekte, puna dhe familja, nuk ka pse të shihen si dy fusha të ndara. Ato mund të integrohen mjaft mirë së bashku dhe të ndihmojnë njëra tjetrën”. – Monica Ramos, Brazil.

Back to top button