Your Life

Histori personale: Preja e një martese të dështuar

Sot jam 16 vjeçe dhe jo më larg se dy vite më parë, në një ditë të bukur të pranverës së vitit 2015, u zgjova pas dy orëve gjumë në spitalin e traumës në kryeqytet. Ishte një kontrast i vërtetë. Nga njëra anë, jashtë dhomës së spitalit koha dukej kaq e lumtur, ndërkohë që brenda mbizotëronte dhimbja dhe heshtja. Një natë më parë kishte ndodhur po e njëjta histori. Babi donte lekë për të pirë raki me disa “miq” të tij, të dehej me ta dhe pastaj të vinte totalisht i dehur në shtëpi për të dhunuar mamin dhe për ta ofenduar atë. Ne ishim mësuar me atë skenë të përditshme. Edhe lagjia jonë po ashtu, por mami ndihej shumë në turp kur ai dilte jashtë shtëpisë dhe çfarë nuk thoshte për të.

Ajo ishte e vetmja që punonte për ta çuar përpara familjen tonë dhe në atë ditë ajo kishte marrë rrogën. Babi e dinte këtë fakt. Kur ai ishte i kthjellët, askush s’ia hidhte dot dhe sidomos për lekët. Në atë kohë unë kisha nevojë për veshje të reja dhe mami më kishte premtuar të më blinte disa rroba, por gjithmonë me kusht që ato të mos kushtonin shumë. Kufizimi i vetëm ishte ekonomia. S’duhet të shpenzonim shumë. S’duhet të shihnim gjërat e shtrenjta dhe përherë të merrnim gjërat e lira. Të ardhurat e familjes sonë nuk mund të na siguronin lukse të tepërta, edhe pse për shumë adoleshentë të tjerë një palë atleta 2 mijë lekë të reja nuk konsideroheshin luks. Për ne ishin të tilla.

Kur mami erdhi nga puna, gatoi si zakonisht dhe unë po mësoja. Babi doli rreth orës nëntë të mbrëmjes dhe i kërkoi lekë për të pirë në lokal. Kërkesa e tij nuk ishte thjesht për një pije të vetën. Donte lekë të qeraste edhe “miqtë” e tij që kurrë nuk e kishin qerasur. Mami kundërshtoi ashpër. Ia ktheu të bërtiturat me të bërtitura dhe ai u acarua keq. Mori shishen e birrës në tavolinë dhe me të e qëlloi disa herë mamin dhe kur ajo nisi të humbte ndjenjat, ai e shtyu tutje duke bërë që koka e saj të përplasej në tavolinën ku pak minuta më parë kishte bërë petët e byrekut për darkë. Unë nuk dija çfarë të bëja. Po qëndroja e shtangur dhe nga sytë më dilnin vetëm lotë. Shkova drejt saj dhe u përpoqa ta përmendja, por asgjë. Ajo nuk po reagonte. Pashë që babi doli dhe përplasi derën ndërkohë që unë bërtita për ndihmë tek fqinjët.

Një fqinj yni erdhi dhe na çoi me makinë në spitalin e traumës. Erdhëm vonë, por fatmirësisht mami nuk kishte pësuar dëmtime serioze. Pasi gjithë shqetësimit të kaluar, arrita vetëm të flija dy orë dhe më pas u zgjova e hutuar. Doja të dija se si ishte mami dhe ajo ishte ende duke fjetur. Dukej aq njeri i mirë sa edhe ishte, por me sa duket fjalët se njeriu i mirë nuk kishte fat, dukeshin të vërtetoheshin tek ajo.

Pasditen e ditës që ishim në spital, erdhën dajet, tezja dhe nëna. Të gjithë ishin në një mendim që mami duhet të ndahej nga babi. Edhe pse isha preja e asaj martese të dështuar, unë e kisha të vendosur se doja të rrija me mamin. Ishte e kotë të shpresoje se babi do të ndryshonte një ditë. Mami i kishte dhënë përherë mundësi për të ndryshuar dhe ai kishte mbetur i njëjti.

Ata u ndanë vjet dhe tri muaj pas divorcit, dëgjuam se babi u diagnostikua me kancer në mëlci. Shkaku ishte pija e tepërt. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë këtë vit dhe vdekja e tij na preku të gjithëve, por ajo që më bëri të ndihesha çuditshëm, ishte se gjatë varrimit të tij unë nuk arrija dot të kujtoja momentet më të bukura me të, por përherë fytyrën plot shenja dhe gjak të mamit pas dhunës së ushtruar prej tij. Është e tmerrshme që për prindin tënd të kesh kujtimet më të trishta, por ja që secili krijon në këtë botë gjurmët që dëshiron të ketë. Edhe pse nga ai kam kujtime të trishta, unë sërish e dua, por nga ai nuk kam atë shembullin ideal se si unë do doja të ishte babai i fëmijëve që mund të kem në të ardhmen. Kjo është plaga më e madhe, që fëmija të mos rritet me modelin e duhur të prindërve dhe mua më dhemb kjo gjë, me dhemb thellë në shpirt… / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button