HistoriPersonazhe

HISTORIA E SOKRATIT. Athina, një qytet përballë filozofit

* Mund të kishte shpëtuar, të arratisej i ndihmuar nga dishepujt e tij besnikë. Sokrati nuk e bëri sepse nuk do të donte kurrë t’u kundërvihej rregullave të qytetit të tij. Dhe ishte pikërisht qyteti i tij që e akuzoi: Athina demokratike kishte frikë nga ai njeri jo aq sepse kishte “shpikur” filozofinë, por sepse ishte ndërfutur në rregullat e demokracisë

* Në vitin 399, kish vdekur në burg edhe Sokrati. I detyruar të pinte kukutën, pas procesit ku ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë athinase mbi bazën e dy akuzave: mungesë besimi dhe korruptim i të rinjve. Ishte shtatëdhjetë vjec. Për shkak të atij dënimi si dhe falë dialogëve ku Platoni ka përjetësuar figurën e tij, Sokrati ka hyrë në histori si martiri par excellence i filozofisë, kampioni i mendimit të lirë, viktimë e pafajshme e intolerancës. Filozofia Hannah Arendt, në vitin 1956 do ta quante procesin ndaj Sokratit momentin kulmor të “konfliktit mes politikës dhe filozofisë”. Por gjërat janë më të thjeshta dhe më të ndërlikuara në të njëjtën kohë

sokrati 6Dera u hap papritur. Mysafiri u ndal, duke u lëkundur tek hyrja. Ishte i dehur dhe shoqërohej nga një flautist. Askush nuk e kishte ftuar. Por, i pacipë si gjithmonë, Alkibiadi ishte paraqitur në shtëpinë ku dramaturgu Agaton po festonte një fitore të tijën poetike. Ishte një festë mes miqsh, një strehë aristokratësh të rafinuar që, duke shijuar verërat më të mira, kishin kaluar disa orë duke dialoguar për temën e erosit. Tani ishte vonë, të ftuarit po përgatiteshin të largoheshin. Po kush mund t’ia përplaste derën në fytyrë Alkibiadit, udhëheqësi politik më karizmatik dhe tërheqës i kohës së tij?

Megjithatë, Alkibiadi mbeti i habitur kur zbuloi që, mes të ftuarve të tjerë, ishte edhe Sokrati. Njiheshin prej kohësh: pesëmbëdhjetë vjet më parë, duke e mbrojtur me mburojën e tij, Sokrati i kishte shpëtuar jetën nga një kundërsulm i armikut gjatë një beteje në koloninë korinthase të Potideas, në veri të Greqisë. Sokrati ishte mësuesi i tij, ishte njeriu që e donte shumë dhe ishte njëkohësisht i vetmi që dinte ta vinte në siklet. Ua rrëfeu vetë Alkibiadi të pranishmëve: “Nëse nuk mendoni se jam një i dehur i humbur, mund t’ju rrëfej efektin që më shkaktojnë diskutimet e këti burri. Kur e dëgjoj, zemra më kërcen në kraharor, dhe lotët më vërshojnë nga sytë. Sepse më detyron që të pranoj se mua më mungojnë një mijë gjëra por, në vend që të mendoj për veten time, shkoj dhe merrem me politikën e Athinës. Eshtë i vetmi njeri përpara të cilit unë kam ndier turpin, unë, që injoroj vetë kuptimin e turpit”.

Prologu i procesit

Jemi në Athinë, në vitin 416 p.e.s. Kjo skenë është rrëfyer nga një tjetër dishepull i madh i Sokratit, Platoni, në dialogun e tij Simpoziumi. Por, kur Platoni e shkruajti dialogun, disa dekada më vonë, protagonistët e festës në shtëpinë e Agatonit kishin vdekur të gjithë. Alkibiadi ishte vrarë në moshën 46 vjec, në vitin 404 p.e.s. duke dhënë frymë në krahët e një prej grave të shumta që e kishin dashuruar, Timandra. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet kush ka qenë porositësi i vrasjes. Dihet vetëm që disa vrasës e ekzekutuan me nj shi shigjetash ndërkohë që ndodhej në mërgim në Frigia, mysafir i Mbretit të Madh të Persisë. 5 vjet më vonë, në vitin 399, kish vdekur në burg edhe Sokrati. I detyruar të pinte kukutën, pas procesit ku ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë athinase mbi bazën e dy akuzave: mungesë besimi dhe korruptim i të rinjve. Ishte shtatëdhjetë vjec. Për shkak të atij dënimi si dhe falë dialogëve ku Platoni ka përjetësuar figurën e tij, Sokrati ka hyrë në histori si martiri par excellence i filozofisë, kampioni i mendimit të lirë, viktimë e pafajshme e intolerancës. Filozofia Hannah Arendt, në vitin 1956 do ta quante procesin ndaj Sokratit momentin kulmor të “konfliktit mes politikës dhe filozofisë”. Por gjërat janë më të thjeshta dhe më të ndërlikuara në të njëjtën kohë. Ndoshta celësi i vërtetë i vdekjes së Sokratit qëndron pikërisht në atë festë në shtëpinë e Agatonit, në atë takim aristokratësh të rafinuar. Sepse procesi ndaj Sokratit ishte edhe, dhe mbi të gjitha, një proces politik.

Athina e Sokratit

Sokrati lindi në vitin 469, nga një baba skulptor, Sofronisku dhe një nënë mami, Fenarete. Sokrati ishte një autodidakt, u aftësua dhe u ngrit në nivelin e një filozofi të famshëm falë punës së tij.

Sokrati nuk shkroi asnjë vepër sepse siç thoshte ai, librat janë të vdekur dhe nuk mund t’iu përgjigjen pyetjeve. Për të mjeti kryesorë i komunikimit ishin bisedat e gjalla, dialogu me gjithkënd dhe kudo, në rrugë, në shesh, në gosti etj. Shumica e atyre, që ne dimë për të, ka qenë ruajtur nga tre bashkëkohësit e tij të shquar, Aristofani, Platoni dhe Ksenofoni.

Nga këto burime del se Sokrati ka qenë një gjeni, i cili përveç një arsyetimi të jashtëzakonshëm dhe rigoroz, zotëronte edhe një ngrohtësi personale dhe një ndjenjë humori. Ai ka pasur një trup të fortë dhe zotëronte një fuqi të madhe fizike. Në komedinë e tij “Retë”, Aristofani e përshkruan Sokratin si një shpezë shtëpiake, që të bën për të qeshur me zakonin e tij të rrotullimit të syve, duke u referuar me çapkënllëk “nxënësve” të tij dhe “dyqanit të mendimit”.

Ndërsa nga Ksenofani na vjen portreti i një ushtari besnik, i cili kishte një pasion për diskutime rreth bazave të moralit dhe, i cili në mënyrë të paevitueshme tërhiqte të rinjtë të kërkonin këshillën e tij.

Platoni e konfirmoi portretin e Ksenofanit dhe shtoi se Sokrati ishte një njeri me një ndjenjë të lartë detyre dhe me një pastërti morale absolute. Megjithatë Sokrati u rrit në një periudhë të artë, në vitet e tij të fundit atij iu desh të shihte mundjen e Athinës në luftë dhe të mbyllte jetën e tij në burg në vitin 399 p.e.s, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç.

Sokrati i shërbeu me nder atdheut të tij në këmbësorinë e rëndë. Por vokacioni i tij nuk ishte ai i ushtarit. Në një Athinë që, nën udhëheqjen e Perikliut po rritej në madhështi dhe shkëlqim, ndërkohë që arkitektë dhe punëtorë po ngrinin kolonat e Partenonit, Sokrati iu dedikua zanatit të filozofit. Madje, më saktësisht, e shpiku. Nuk është një shpikje pa dhimbje. Dialogët që Sokrati mban me athinasit nuk janë aspak bashkëbisedime xhentëlmenësh: përkudnrazi, sic rrëfen biografi Diogjen Laercio, “bashkëbiseduesit e tij shpesh herë e merrnin me grushta ose i shkulnin flokët”.

Ishin vite dramatikë. Nuk është rastësi që Platoni e vendosi dialogun e tij pikërisht në vitin 416 p.e.s. Menjëherë pas këtij viti, në fakt, pati një kthesë radikale dhe të trazuar në historinë e Athinës. Qyteti kishte hyrë në luftë në vitin 431 p.e.s. kundër rivales së tij, Spartës. Në vitin 421 p.e.s. ishte arritur një armëpushim. Alkibiadi, ndonëse vinte nga një familje shumë fisnike, paraqitej atëherë si udhëheqësi i fraksionit demokratik ekstrem, i paduruar për të rrëmbyer sërish armët dhe për t’i dhënë frymëmarrje imperializmit athinas. Gjatë një mbledhjeje dramatike të ansamblesë, Alkibiadi kërkoi votimin e një ekspedite ushtarake kundër Sicilisë. Ajo do të përfundonte me katastrofën më të rëndë ushtarake të historisë së Athinës. Por Alkibiadi atëherë nuk e dinte. Nuk dinte as që në atë ekspeditë ai nuk do të merrte kurrë pjesë. Në fakt në vitin 415, ndërkohë që anijet triremëshe athinase përgatiteshin të lundronin drejt Sicilisë, Alkibiadi u përfshi në një skandal që e detyroi të largohet nga polis-i, fillimisht në Spartë dhe më pas në Persi.

Edhe në këtë rast, ashtu si do të ndodhte me Sokratin, cështjet fetare qëndronin prapa përplasjeve politike: thuhej se Alkibiadi kishte organizuar në shtëpinë e tij një parodi të të shumënderuarve Mistere të Eleusit; u akuzua se kishte marrë pjesë në dëmtimin e busteve të perëndisë Hermes (Hermet, e vendosur në kryqëzimet e rrugëve kryesore), të gjymtuara të gjithë në një natë të vetme të nëntorit 415, në atë që supozohej se ishte prova gjenerale e një komploti oligarkik kundër demokracisë. Dëbimi i Alkibiadit dhe humbja në Sicili e futën në krizë Athinën. Klikat oligarkike arritën që për disa kohë të drejtonin institucionet demokratike duke i nënshtruar ata për pak kohë nën kontrollin e organizmave të ngushtë. Lufta kundër Spartës u rindez. Në një moment të caktuar, në kaosin e përgjithshëm, vetë Alkibiadi u thirr prej popullit si shpëtimtar i atdheut. Por situata ishte kompromentuar tashmë. Ndërkohë që Alkibiadi rimerrte rrugën e mërgimit, trupat spartane po e shtrëngonin Athinën në një morsë gjithnjë em ë të ngushtë. Flota, burimi i fundit i athinasve, arriti të sigurojë një fitore ekstreme, të papritur në ishujt Arginuse, sot ishujt Alibej, në rripin detar mes Lesbos dhe Turqisë së sotme. Por gjykata në Athinë në mënyrë të pabesueshme vendosi që të dënonte me vdekje admiralët fitimtarë, me akuzën se nuk kishin shpëtuar marinarët e mbytur. Një akuzë që ishte parashtruar për të kënaqur në mënyrë demagogjike popullin (marinarët i përkisnin shtresave më të ulëta të shoqërisë). Një prej të paktëve që iu kundërvu me kurajë dënimit, i mbështetur në mënyrë histerike nga një pjesë e madhe e opinionit publik, ishte pikërisht Sokrati.

Dhe në atë moment, ndoshta, filozofi i shtoi ndoshta edhe një gradë shkallës që do ta conte në dënimin me vdekje. Athina nuk kishte më shpresa. Në vitin 404 p.e.s. spartanët hynë në qytet duke i dhënë fund një konflikti pothuajse tridhjetë vjecar. Vendosën aty një qeveri kukull, të ashtuquajturit Tridhjetë Tiranët. E udhëhiqte një tjetër aristokrat antikonformist, poet shumë i rafinuar dhe autor tragjedish. Quhej Kricia dhe ishte edhe ai një dishepull i Sokratit, gjë kjo që me siguri nuk do të shpëtonte po e vënë re athinasit. Qeveria e Kricias ra vetëm pas pak muajsh, në vitin 403, prej vetë mizorisë së saj. Të dëbuarit u rikthyen në qytet dhe u rivendos demokracia. U dekretua një amnisti, e para e llojit të vet, që garantoi pandëshkueshmërinë për krimet e kryer gjatë luftës civile.

Por, sidoqoftë mbeti një farë pakënaqësie për atë që shihej tashmë si mësuesi i keq i shumë udhëheqësve pa skrupuj që kishin shkaktuar zemërim gjatë viteve të fundit. Sokrati, padyshim, e ndiente këtë gjë. Që në vitin 424 Aristofani (që ndonëse duhej të ishte një miku i tij, duke qenë se Platoni shkruan se ishte edhe ai pjesëmarrës në festën e famshme), e kishte paraqitur, në komedinë “Retë” si një sharlatan grotesk që mat këmbët e pleshtave dhe rri ulur në një kosh plehërash të kthyer përmbys, në ajër, për të vëzhguar më nga afër qiejt. Finalja e ligë e komedisë është me një zjarr të madh ku Sokrati dhe dishepujt e tij vdesin të shkrumbuar.

Akuza

Procesi, që u zhvillua në vitin 399 p.e.s. ishte pra vetëm rezultati përfundimtar i një sfide të gjatë mes Sokratit dhe Athinës. Akuza u paraqit nga tre persona: Aniti, Meleti dhe oratori Likon. Nga këta tre personazhe, njohim pak Anitin: dimë që ishte një udhëheqës i moderuar i palës demokratike, që kishte marrë pjesë në rezistencën kundër Tridhjetë Tiranëve dhe kishte qenë një prej promotorëve të amnistisë së vitit 403 p.e.s.

Akuza, sic na është përcjellë nga një tjetër dishepull i Sokratit, shkrimtari Ksenofon (një oligark ekstremist, armik i deklaruar i demokracisë) dhe nga Diogjen Laercio ishte kjo: “Sokrati është përgjegjës se nuk beson tek perënditë në të cilët beson qyteti (polis-i) dhe prezanton hyjno të tjera dhe të reja. Vec kësaj, është fajtor për korruptim të të rinjve. Dënimi i kërkuar: vdekja”.

Bëhet fjalë pra për dy akuza që bëjnë dallim mes tyre. E para i referohet një krimi të paraqitur së fundmi në Athinë, krimi i “asebeias” që përgjithësisht përkthehet me “mungesë besimi”, por që ka një spektër më të gjerë të domethënies së tij: tregon në fakt, n përgjithësi, mungesën e respektit kundrejt normave dhe zakoneve, jo vetëm atyre ngushtësisht fetare, të pranuara nga qyteti. Akuza e dytë ishte shumë transparente. Ata të rinj që Sokrati kishte “korruptuar” ishin Alkibiadët dhe Kriciat. Ksenofoni, një tjetër i ri “i korruptuar” thotë se akuzuesit thoshin në mënyrë eksplicite se Sokrati kishte edukuar në të njëjtën kohë “më të papërmbajturin, më arrogantin dhe më të dhunshmin ndër ata që militonte në anën e demokracisë” (Alkibiadin) dhe “më hajdutin dhe më gjakatarin mes oligarkëve” (Krician). Procesi u zhvillua në Agorën e Athinës, zgjati vetëm një ditë, gjithcka në dhjetë orë.

Mbrojtja e filozofit

Strategjia e mbrojtjes është e njohur për ne, përvecse nëpërmjet Ksenofonit, edhe nga e famshmja Apologji e Sokratit me autor Platonin. I akuzuari sfidoi në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzuesit e tij duke mohuar cdo akuzë. Tha se kishte respektuar gjithmonë perënditë e qytetit dhe u përpoq të dallohej nga dishepujt e tij të pamatur. I kujtoi gjykatës edhe përplasjen e tij të fortë me Krician: kur tirani i kishte kërkuar që të arrestonte një kundërshtar politik, gjeneralin Leone të Salaminës, ky kishte refuzuar, duke shkuar në shtëpi në pritje të ndëshkimit të pashmangshëm. “Dhe do të kisha vdekur pa dyshim”, tha Sokrati, “nëse qeveria e Tridhjetë Tiranëve nuk do të kishte rënë pak kohë më pas”. Përpjekja për të ndarë përgjegjësitë e tij nga Kricia nuk është se shndërrohet në pranim të ortodoksisë demokratike: përkundrazi, kur u drejtohet gjykatësve, Sokrati përdor shprehje si “partia juaj popullore”, duke lënë të kuptohet pra që ai militon në një tjetër front.

Trupi që po gjykonte filozofin ishte një gjykatë popullore e formuar nga 501 vetë të tërhequr me short nga një listë mrej 6000 vetësh. Shorti ishte një prej elementëve thelbësorë të sistemit demokratik athinas në formimin jo vetëm të gjykatave, por edhe të gjithë organeve të qeverisjes. Megjithatë, në situatën në të cilën ndodhet Sokrati vendos që të kundërshtojë pikërisht mekanizmin e shortit: sepse, argumenton ai, duhet që të zgjedhim me short një qeverisës kur nuk zgjedhim me short, por në bazë të zotësisë, një flautist apo një arkitekt, profesione në vetvete më pak të rëndësishëm se si i qeverisësit? Këta sulme frontalë ndaj logjikës së demokracisë së Athnës nuk mund të mos irritonin jurinë. Kjo, sic dëshmojnë Platoni dhe Ksenofoni reagoi ndaj vetëmbrojtjes së Sokratit me britma të përsëritura. Më shumë se një herë strategjia mbrojtëse e Sokratit ishte provokuese, pothuajse tallëse.

Praktika gjyqësore athinase parashikonte që në fillim të kishte një sentencë të dënimit dhe më pas një vendim të mëtejshëm ku përcaktohej dënimi. I akuzuari kishte të drejtën e fjalës para të dy sentencave. Dënimi erdhi. Ishte i sigurtë e madje Sokrati u befasua kur pa sa njerëz kishin votuar në favor të tij. Nga 501 gjykatësit, plot 220 ishin shprehur për faljen e tij: “Mjaftonte që tridhjetë vetë të ndryshonin mendim, dhe unë do të isha liruar”. Në këtë pikë, megjithatë, duhej të shprehej për ndëshkimin. “Ndëshkimi im?”, tha Sokrati gjatë fjalimit të tij të dytë. “Unë, përgjatë të gjithë jetës sime, jam përpjekur të mësoj cdo njeri që të jetë vërtetë me virtute dhe i ditur. Pra, duhet të më jepni një cmim si mirëbërës i këtij qyteti. Propozoj pra që për mua të ofrohet qëndrimi i përjetshëm në Pritaneo”. Në Pritaneo, ushqeheshin me shpenzime të qytetit qytetarët e mirë, për shembull fituesit e Lojërave Olimpike. Sokrati pra, sfidon edhe një herë jurinë. Vetëm prej këmbënguljes së dishepujve të tij, ai heq dorë nga këshilla të tjera dhe deklaron në fund se është i gatshëm të paguajë një gjobë të majme, që vetë dishepujt e tij me Platonin në krye do ta mblidhnin. Por tashmë durimi i jurisë kish arritur fundin: sipas kërkesës së akuzës, Sokrati u dënua me vdekje.

Dënimi

Kishte mundësi të arratisej, dhe të gjithë prisnin që ta bënte një gjë të tillë. Ishte praktikë jo e rrallë që një i dënuar me vdekje merrte rrugën e mërgimit përpara ekzekutimit. Edhe akuzatorët e tij do të ishin të kënaqur. Dishepujt kishin organizuar tashmë largimin, por Sokrati, sipas rrëfimit të Platonit, vendosi të qëndrojë në burg. Ligji i qytetit, tha ai, duhej të respektohej, edhe pse ishte i padrejtë. Ishte kjo zgjedhje që dekretoi triumfin e tij të pasvdekjes dhe që bëri të lindë legjenda e tij. Mbeten ende shumë pika të errëta. Vetë rrëfimet e Platonit dhe Ksenofonit kanë divergjenca në shumë pika. Ndoshta shpërtheu, në procesin e vitit 399, një përzierje ankesash dhe ndjenjash që shumë shpejt do të davaritej vetë. Një historian i shquar, Moses Finley, ka vënë në dukje se si Platoni, i cili ishte një antidemokratik shumë më i tërbuar se sa mësuesi i tij dhe ishte njëkohësisht një njeri i afërt i Kricias, qëndroi më pas në Athinë i pashqetësuar, duke hapur madje në vijim edhe një shkollë filozofie.

Sigurisht, në rastin e Sokratit nuk ishte problemi a konflikt ideal mes politikës dhe filozofisë, i cmuar nga Hannah Arendt, në gjurmët e personaliteteve të mëdhenj si Voltaire apo John Stuart Mill. Prapa procesit ndaj Sokratit ishte më tepër ashpërsia gjakatare e luftës politike në Athinë në fundin e shekullit V p.e.s. Dhe ndoshta, ato festa elitare mes aristokratëve, që përcmonin demokracinë dhe rregullat e saj, si takimi në shtëpinë e Agatonit, do të kenë peshuar shumë më tepër se cfarëdolloj spekulimi filozofik.

… Apo faji i arrogancës?

Gjyqi famëkeq i filozofit të madh grek, Sokratit, konsiderohet prej kohësh si një prej rasteve të para dhe dramatike të gabimeve gjyqësore, duke çuar drejt vdekjes atin e filozofisë perëndimore. Sokrati u akuzua për “fyerje” dhe “korruptim të rinisë” në vitin 399 Para Krishtit – akuza të cilat nga historianët konsiderohen si të sajuara prej bashkëqytetarëve që e paragjykonin – dhe u detyrua të vetekzekutohej duke gëlltitur lule kukute (një lloj bime helmuese). Por një profesor i Universitetit Kembrixh ka mbërritur në përfundimin se gjyqi i Sokratit ishte i drejtë nga pikëpamja ligjore dhe se akuzat ndaj tij qëndronin. Për më tepër, profesor Pol Kartlidxh mbështet idenë se Sokrati praktikisht e provokoi vetë dënimin me vdekje.

Në librin e tij, “Mendimi politik i Greqisë së Lashtë në praktikë”, profesor Pol Kartlidxh hedh poshtë idenë e atyre politikanëve e historianëve që e konsiderojnë prej kohësh gjyqin si faktin e pakundërshtueshëm që demokracia mund të degjenerojë në vullnetin e gabuar të masave. Për të shembulli i Sokratit nuk është i tillë. “Të gjithë e dinë se ishin grekët ata që e sajuan demokracinë, por nuk bëhej fjalë për atë demokraci që njohim ne sot, dhe si rezultat i kësaj ne e kemi lexuar keq historinë”, thotë profesori. “Akuzat që u ngritën ndaj Sokratit mund të na duken neve qesharake, por në Athinën e lashtë i shihnin si qëndrime në të mirën e të gjithëve”.

Në libër profesor Pol Kartlidxh vë pikëpyetje mbi opinionin tradicional, sipas të cilit Sokrati ishte viktimë e betejave të brendshme politike. Historianët e ndikuar nga mendjet e lashta, përfshi këtu Platonin, i qëndrojnë idesë se kritikat e hapura që Sokrati u drejtonte politikanëve të lartë grekë i kishin krijuar shumë armiq, të cilët për ta bërë të heshtte ngritën më këmbë atë farsë gjyqësore ku u akuzua për fyerje e korruptim. Historianë të tjerë mendojnë se mësimet e Sokratit nxisnin rebelime politike dhe se përmes atij gjyqi filozofi u bë shembull për të shuar mendimet disidente në shoqërinë e Athinës së lashtë.

Për profesor Pol Kartlidxh, Sokrati vuri në dyshim autoritetin e shumë zotave të shoqërisë athinase, duke deklaruar se udhëhiqej nga “dimononi” i tij i brendshëm, një term me të cilin mund të ketë dashur të përkufizojë “intuitën”, por që mund të interpretohet njëherësh si një ndikim i errët e i mbinatyrshëm, gjë që mund të ketë shkaktuar zemërimin e bashkëqytetarëve të tij.

Akuza për “fyerje”, sipas profesorit të Kembrixhit, mund të jetë krejtësisht e pranueshme në një demokraci të varur thellësisht te besimi ndaj zotave përkatës. Akuzat paraqiteshin nga prokurorët amatorë përpara një jurie të përbërë prej 501 qytetarësh të zakonshëm “me emër të mirë”, të cilët vepronin në emër të asaj që e konsideronin të vlefshme për interesin publik. Nëse prokurorët mund të sillnin prova të mjaftueshme për të vërtetuar se i akuzuari ishte përgjegjës për cenimin e asaj që konsiderohej si e mira e përgjithshme, kishte shumë shanse që të gjykohej fajtor.

Autori gjithashtu beson se Sokrati “e kërkoi” vetë dënimin me vdekje. Nën sistemin e Athinës së lashtë, në gjykime të këtij lloji, i akuzuari gëzonte të drejtën të zgjidhte formën e ndëshkimit. Fillimisht Sokrati tha se duhej shpërblyer nga juria e jo dënuar dhe sugjeroi një ndëshkim tepër të lehtë.

Ndërkaq, anëtarët e jurisë nuk e shihnin aspak çështjen me shaka si ai dhe kaluan te dënimi me vdekje. Në vend që të merrte arratinë, Sokrati pranoi verdiktin, duke deklaruar se “i detyrohej për këtë qytetit, nën ligjet e të cilit ishte edukuar me atë frymë që e detyronte t‘u nënshtrohej atyre ligjeve deri më një”.

Profesor Pol Kartlidxh më tej shpjegon: “Nuk ke si e mohon trimërinë dhe ndjenjën e tij qytetare, madje mund të konsiderohet si një hero intelektual. Por ideja se vetë Sokrati ishte i pafajshëm dhe u dënua nga lajthitja e masave, është e gabuar. Në sytë e athinasve, duke e nxjerrë jashtë skene, shoqëria ishte pastruar dhe forcuar”.

Profesoresha Enxhi Hobs, filozofe në Universitetin Uaruik, është e mendimit se gjithsesi çështja e Sokratit duhet parë e lidhur ngushtë me interesat politike. Dhe vëren: “Nëse dikush vendos pikëpyetje mbi çështjen e tij gjyqësore, apo mbi faktin që ai ishte apo jo plangprishës, kjo është e gjitha për t‘u debatuar. Sokrati kishte tërhequr mbi vete zemërimin e njerëzve të fuqishëm e me pushtet. Ishte i ashpër dhe i patakt. Filozofët shiheshin si të rrezikshëm në atë kohë dhe Sokrati nuk ishte i vetmi që u gjet në telashe. Athinasit kishin të drejtë të ndiheshin disi të shqetësuar nga tezat e tij, që i shtynin të rinjtë të mendonin me kokën e tyre”.

Ndërkaq bie dakord në pikën që Sokrati nuk “kishte pse të vdiste” dhe se ia bëri jurisë thuajse të pamundur çdo përpjekje për të shmangur dënimin me vdekje. Kur rojet e burgut i lanë të kuptonte se qenë të gatshëm ta lejonin të arratisej, ai refuzoi. “Sokrati donte të kthehej në një lloj martiri të filozofisë”, vazhdon profesoresha Hobs. “Sipas Platonit, ai mbajti një fjalim tepër arrogant përpara trupit gjykues, duke thënë ‘jo të më dënojnë, por duhet të më jenë mirënjohës për sa i kam ndihmuar të pastrojnë shpirtrat, duhet të më sigurojnë ushqimin për sa kohë të jem gjallë‘”.

Profesoresha Meri Bërd, eksperte e epokës klasike në Universitetin e Kembrixhit, shton: “Ne kemi investuar tek ai, e kemi ngritur Sokratin në piedestalin e mendimtarit të lirë që u qëndron ideve të veta deri në vdekje. Këtë e kemi bërë sigurisht në masën më të madhe falë Platonit. Por po t‘i përmbahemi asaj që ishte Athina në atë kohë, dënimi mund të konsiderohet i drejtë”. /Focus Storia/

PERGATITI: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button