Motivuese

Historia e trishtë e Katy Perry-t dhe mesazhi frymëzues që marrim prej suksesit të saj

Prindërit nuk e lejonin të shihte televizor dhe e ndaluan të shihte edhe filmat e Harry Potter në fëmijëri. Katy Perry u rrit në një mjedis shumë strikt, ndaj dhe e përmend shumë rrallë nëpër intervista familjen e saj. Karriera e saj muzikore filloi në një kishë, në të cilën ajo këndonte këngët e adhurimit çdo të dielë. Ishte talenti i saj për muzikë dhe të kënduarit e vazhduar që i jepnin asaj njëfarë lirie në mjedisin konservator, në të cilin jetonte. “Unë nuk kam kaluar një fëmijëri si gjithë të tjerët. Vij nga një familje jo liberale, as në mendime, por unë jam shumë mendjehapur” , është shprehur ajo në një intervistë, teksa u pyet për fëmijërinë e saj.

Në moshën 13 vjeçare, Katy Perry siguroi një kitarë të sajën dhe doli kundër prindërve të saj, duke vendosur një pirs në hundë. Me pasionin e madh që kishte për muzikën, ajo u zhvendos në Nashville për të regjistruar albumin e saj të parë. Albumi i saj nuk korri sukses. Pati rreth 100 shitje e madje, shtëpia diskografike ku ajo regjistroi albumin, shumë shpejt u mbyll.

E zhgënjyer dhe me zemrën të thyer, Katy u kthye sërish në shtëpinë e prindërve, por kjo gjë nuk e ndali atë nga muzika dhe pasioni i saj. Në atë kohë, ajo dëgjoi artisten e muzikës pop, Alanis Morissette dhe më pas Queen, të cilët e ndryshuan tërësisht konceptin që ajo kishte mbi muzikën që donte të përcillte tek publiku. E frymëzuar edhe nga stili i Freddie Mercury, ajo donte të ishte ashtu edhe vetë në të ardhmen.

Në mënyrë që të ndiqte ëndrrën e saj, ajo u largua sërish nga shtëpia e prindërve në moshën 17 vjeçare në drejtim të Los Angelos për të regjistruar një album të ri, i cili nuk u publikua asnjëherë… Katy i kaloi pesë vitet e ardhshme pa të ardhura të mjaftueshme. U detyrua të bënte punë të çfarëdoshme, madje edhe shitëse në butiqe, vetëm që të siguronte të ardhura për të paguar qeranë.

Pas gjithë punës së saj të madhe, Katy më në fund u kontaktua nga shtëpia diskografike Columbia Records, me të cilën nënshkroi edhe një kontratë të rregullt pune, por ata e pushuan disa muaj më vonë. Gjithçka po shkonte në një mënyrë të tillë që po e detyronte artisten e sotme të hiqte dorë nga pasioni i saj për muzikën. E vetmja gjë që e nxiste të përpiqej, ishte fakti që po të hiqte dorë nga pasioni i saj, ajo njëkohësisht do të hiqte dorë edhe nga liria e saj duke u kthyer sërish të jetonte me prindërit.

Në vitin 2007, Katy Perry nënshkroi një kontratë me Capitol Records dhe që nga ai moment filloi të siguronte vendin e merituar në muzikën amerikane dhe atë botërore. Në vitin 2014, ajo u konsiderua si artisja me shitjet më të mëdha online, me rreth 72 milione kopje të shitura të këngëve të saj. Sot, Katy Perry është një nga këngëtaret më të paguara në botë me rreth 135 milionë dollarë të ardhura në vit. Është e vetmja këngëtare amerikane që është klasifikuar në pesë vëndet e para të klasifikimit amerikan me pesë këngë të ndryshme të albumit të saj.

Historia e Katy Perryt është një nga dëshmitë më të mira se suksesi ndjek përherë ata që përpiqen dhe nuk heqin dorë nga ëndrrat e tyre. “Ji vetvetja dhe ti mund t’ia dalësh të jesh kushdo që do të jesh”, është shprehur ajo.

Leave a Reply

Back to top button