HistoriMAIN

Historia ka disa mësime, për të ardhmen që duam. Nëse nuk i injorojmë …

Imagjinoni sikur jeni duke qëndruar mbi urën e vjetër prej druri Nihonbashi në qytetin e lashtë japonez Edo, që sot njihet si Tokio. Do mësoni shumë për vetëmjaftueshmërinë dhe modelin e qëndrueshëm ekonomik… Imagjinoni të jeni në qytetin mesjetar mysliman spanjoll të Kordobës. Sa shumë do mësoni për bashkëjetesën mes të krishterëve, myslimanëve dhe hebrenjve. Dhe në fund, imagjinojeni veten në mesin e skllevërve të plantacionëve në Xhamajkë. Një revolucion që ndryshoi historinë…

Ne shpesh kërkojmë zgjidhje për problemet e sotme duke parë nga e ardhmja. Por, po sikur të gërmonim thellë në të kaluarën për përgjigje?

Historiani dhe politologu Roman Krznaric beson se kuptimi i historisë është thelbësor për mbijetesën e njerëzimit.

Një model i qëndrueshëm nga Japonia e shekullit XVIII

Imagjinoni sikur jeni duke qëndruar mbi urën e vjetër prej druri Nihonbashi në qytetin e lashtë japonez Edo, që sot njihet si Tokio. Jeni rreth vitit 1750, në epokën e shogunëve Tokugawa. Njerëzit bisedojnë. Punëtorët shtyjnë karroca me oriz. Tregtarët e peshkut po nxitojnë për në treg.

Por Edo nuk ishte thjesht një qytet i madh me mbi një milion banorë, shumë më i madh se Londra apo Parisi në atë kohë. Ai funksiononte si një ekonomi qarkore, ku pothuajse gjithçka ripërdorej, riparohej, rishfrytëzohej ose riciklohej.

Pse ishte Edo një ekonomi e qëndrueshme?

Për shkak se Japonia kishte një politikë izolacioniste, ajo nuk tregtonte me botën e jashtme, gjë që çoi në mungesa të burimeve si druri dhe pambuku. Si rezultat, u zhvillua një traditë e veçantë e qepjes së copave të vjetra së bashku, e quajtur Boro (që do të thotë lecka të shqyera). Një kimono përdorej derisa të konsumohej, pastaj shndërrohej në pizhame, pritej dhe përdorej për bebelina, kthehej në leckë për pastrim, dhe në fund digjej për të prodhuar energji.

Një model ekonomik i avancuar

Në Edo kishte mbi një mijë biznese të bazuara në ripërdorim, përfshirë mbledhjen e mbetjeve të dyllit të qirinjve për t’u shkrirë dhe ribërë. Ish-samurajet riparonin ombrella të vjetra. Tregtarë paguanin për mbetjet njerëzore për t’i shitur si pleh bujqësor.

Gjithashtu, u prezantuan rregulla të rrepta për kursimin e drurit, duke ndihmuar në restaurimin e pyjeve të shkatërruara të Japonisë. Ky ishte një nga shembujt e parë në shkallë të gjerë të një qytetërimi ekologjik me mbetje të vogla dhe nivel karboni të ulët.

Sigurisht, Edo nuk ishte një utopi, pasi shoqëria e saj kishte pabarazi feudale dhe patriarkale. Por 300 vjet më vonë, ajo jep shpresë se mund të krijojmë ekonomi që nuk janë të drejtuara nga konsumizmi i pakufishëm, por nga një kulturë e thellë e qëndrueshmërisë.

Nëse do të adoptonim mentalitetin qarkor të ekonomisë së Edo-s, do të eliminonim produkte si smartfonët aktualë, të cilët përmbajnë mbi gjysmën e elementeve të tabelës periodike dhe hidhen pas më pak se tre vitesh përdorim, do të lejonim vetëm produkte të ripërdorshme dhe të ndërtuara sipas standardeve rigjeneruese. Smartfonët do të duhej të ishin modularë, me ekrane dhe bateri të zëvendësueshme.

Shembuj të tjerë nga historia

Japonia nuk është i vetmi rast i një ekonomie qarkore. Havai para-kolonial kishte një sistem të tillë. Edo lindi edhe kultura të pasura, si arti i Hiroshiges, poezia e Bashos dhe mundja Sumo. Historia është një nga burimet më të nënvlerësuara për të menduar mbi të ardhmen.

Ne po jetojmë në një epokë krizash të shumëfishta, nga emergjenca klimatike te rreziqet e inteligjencës artificiale dhe kërcënimet ndaj demokracisë. Historia mund të na ndihmojë të navigojmë në këtë trazirë, duke vepruar si një këshilltar, dhe jo si një parashikues mistik.

Eshtë për të ardhur keq, se si politikanët tanë janë të mbërthyer në momentin e tanishëm, të prirë nga sondazhet e fundit të opinionit dhe shpresa se teknologjitë e reja do të na shpëtojnë. Dhe nuk arrijnë të kuptojnë se, për të ecur përpara, duhet të shikojmë pas.

Mësime nga historia e njerëzimit

Koncepti i të nxënit nga historia, i njohur si historia e aplikuar, nuk është diçka e re. 200 vjet më parë, shkrimtari gjerman Goethe thoshte: “Ai që nuk mund të mbështetet në 3,000 vite histori, po jeton thjesht ditë pas dite.” Zakonisht, njerëzit mësojnë nga historia përmes paralajmërimeve, siç thotë shprehja: ‘Ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë.’ Por historia nuk ofron vetëm paralajmërime, por edhe burime frymëzimi për të ardhmen.

Shembulli i Kordobës së Mesjetës

Roman Krznaric thotë se, “nëse do të kisha mundësi të kthehesha në kohë, do të zgjidhja qytetin spanjoll të Kordobës rreth vitit 1000, kur ishte pjesë e mbretërisë islamike të Al-Andalusit. Sepse në atë kohë, myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë jetonin së bashku në harmoni relative, në atë që quhej “convivencia” (bashkëjetesa). Edhe pse kishte tensione dhe episode dhune, përgjithësisht ishte një periudhë tolerance kulturore.

Historia na tregon se njerëzit kanë bashkëpunuar dhe kanë kapërcyer kriza edhe kur shanset dukeshin të vogla. Në vend që të përqendrohemi vetëm në dështimet e së kaluarës, duhet të shikojmë edhe historitë e suksesit, sepse ato mund të na ndihmojnë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

Ajo që e bënte Kordobën kaq të jashtëzakonshme ishte fakti se myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë arritën të jetonin krah për krah në harmoni relative gjatë një periudhe të njohur si convivencia, që do të thotë bashkëjetesë apo të jetuarit së bashku.

Dhe megjithëse kishte tensione të përditshme dhe shpërthime të herëpashershme të dhunës, në përgjithësi ishte një kohë tolerance kulturore. Myslimanët dhe të krishterët luanin muzikë së bashku. Hebrenjtë dhe myslimanët mund të luanin një lojë shahu. Njerëzit përziheshin në hamamet publike dhe tregjet, duke krijuar marrëdhënie të ndërlidhura ekonomike.

Një histori e famshme është ajo e Samuel Ha-Nagid, një poet hebre i cili, falë aftësive të tij si shkrues në arabisht, arriti të bëhej kryeministër i sundimtarit mysliman të Granadës, madje të udhëhiqte forcat e tij ushtarake.

Convivencia nuk u bazua vetëm në gjuhën e përbashkët arabe dhe lirinë e fesë të lejuar nga ligji islam, por u bë e mundur kryesisht falë ndërveprimeve të përditshme të jetës urbane. Një studim i fundit në mbi 29 vende tregoi se niveli i tolerancës ndërkulturore rritet ndjeshëm me çdo zgjerim të qyteteve, edhe me pak km – diçka që Kordoba, një qytet me afërsisht gjysmë milioni banorë, e dëshmoi më shumë se një mijë vjet më parë.

Mësim për kohën tonë

Ka një mesazh të rëndësishëm këtu për epokën tonë të ksenofobisë në rritje dhe të nacionalizmit të ekstremit të djathtë, që pritet të intensifikohet ndërsa kriza ekologjike detyron gjithnjë e më shumë njerëz të migrojnë nga vendet e tyre. Historia na ofron një antidot ndaj idesë së një përplasjeje të pashmangshme të qytetërimeve, duke treguar se është e mundur të bashkëjetojmë në komunitete multikulturore, duke ndërtuar atë që historiani islam i shekullit të XIV, Ibn Khaldun, e quajti As-Sabiya, një term arab që përfaqëson solidaritetin kolektiv ose ndjenjën e përkatësisë së grupit, të cilën ai e konsideronte thelbësore për parandalimin e shpërbërjes së qytetërimeve. Dhe secili prej nesh mund të ushqejë fijet e padukshme të As-Sabiya në jetën e përditshme.

Nuk është e nevojshme të bëjmë gjëra të mëdha. Mund të fillojë thjesht duke pasur një bisedë me një të panjohur një herë në javë ose duke iu bashkuar një ekipi sportiv me lojtarë nga kultura të ndryshme.

Nëse mund të mësojmë nga ekonomia e ndryshme e Japonisë së shekullit të XVIII dhe nga bashkëjetesa kulturore në Spanjën islame mesjetare, çfarë na pengon të detyrojmë qeveritë tona të marrin masa urgjente për të kapërcyer varësinë nga lëndët djegëse fosile, të cilat po na shtyjnë drejt një krize planetare të pakthyeshme?

Historia ofron shpresë radikale

Historia na ofron një arsye shumë të qartë për shpresë radikale: lëvizjet e forta mund të ndryshojnë sistemin. Le të kthehemi pas në vitet 1820, kur mbi 700,000 njerëz të skllavëruar punonin në plantacionet britanike të sheqerit në Inditë Perëndimore.

Në atë kohë, pronarët e plantacioneve dhe financuesit përdornin argumente të ngjashme me ato që sot përdorin ekzekutivët e industrisë së karburanteve fosile për të mbrojtur veprimet e tyre. Ata pranonin që skllavëria ishte moralisht e diskutueshme, ashtu siç janë sot nafta dhe gazi, por pretendonin se ndalja e saj e menjëhershme do të çonte në një kolaps ekonomik.

Prandaj, ata argumentonin se skllavëria duhej të hiqej gradualisht, për dekada me radhë. Ky është i njëjti justifikim që dëgjojmë sot nga industria e energjisë fosile, e cila po zvarrit qëllimisht tranzicionin energjetik. Në këtë kontekst, lëvizja britanike për shfuqizimin e skllavërisë u organizua në Shoqërinë për Zbutjen dhe Eliminimin Gradual të Skllavërisë.

Vetë emri i saj tregon gjithçka. Strategjia reformiste e lobimit të politikanëve dhe shpërndarjes së pamfleteve nuk po jepte rezultate të mëdha. Pika e kthesës erdhi në vitin 1831, me një akt rebelimi që tronditi Britaninë: Revolta e skllevërve në Xhamajkë.

Revolta që ndryshoi gjithçka

Më shumë se 20,000 punëtorë të skllavëruar u ngritën në kryengritje në Xhamajkë, duke i vënë zjarrin mbi 200 plantacioneve. Revolta u shtyp brutalisht, por përhapi panik në të gjithë establishmentin britanik, i cili kuptoi se nëse nuk ofronin emancipimin, mund të humbnin të gjithë koloninë. Studime të shumta kanë treguar se kjo kryengritje ndryshoi ekuilibrin në favor të shfuqizimit të skllavërisë, duke çuar në miratimin e Aktit për Abolimin e Skllavërisë në vitin 1833.

Nëse kjo lëvizje radikale nuk do të kishte ndodhur, shfuqizimi mund të ishte shtyrë me dekada, nëse do t’i lihej vetëm elitës reformiste dhe të moderuar.

Sot, shumë njerëz kritikojnë lëvizjet radikale të klimës, si Extinction Rebellion apo Just Stop Oil. Por duhet të kujtojmë se ato janë pjesë e një tradite të gjatë të lëvizjeve disruptive, duke filluar nga rebelët e Xhamajkës, e deri tek aktivistët e të drejtave civile në SHBA, të cilët ndihmuan në përshpejtimin e ndryshimeve dhe i futën ato në agjendën politike.

Tragjedia e madhe është se ndërsa figura si Emmeline Pankhurst dhe Martin Luther King Jr. lartësohen në tekstet shkollore të historisë, ekuivalentët e tyre modernë në lëvizjet ekologjike shpesh demonizohen nga shtypi dhe kriminalizohen nga policia. A kemi mësuar vërtet diçka nga historia?

A mund të jemi pararendës më të mirë?

Njerëzimi ndodhet në një rrugë drejt vetë-shkatërrimit ekologjik dhe teknologjik. Por historia jep një shpresë që nuk ka pse të jetë kështu. Ne nuk po fillojmë nga zeroja.

E kaluara është e mbushur me mundësi frymëzuese që duhet të na udhëheqin sot, kështu që duhet të veprojmë sikur ndryshimi është i mundur. Nëse qytetërimi ynë do të përkulet në vend që të thyhet përballë turbulencave të dekadave në vijim, atëherë duhet të zhvillojmë atë që quhet “inteligjencë temporale”, aftësinë për të menduar në shumë dimensione kohore, si përpara ashtu edhe pas.

Sigurisht, historia gjithmonë është përdorur dhe keqpërdorur nga ata që kanë pushtet, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj shtrembërimeve të rënda dhe romantizmit të tepruar. Por si mund ta zhvillojmë inteligjencën tonë temporale? Nëse shkollat do të mësonin historinë e aplikuar, atëherë fëmijët mund të mësonin se si praktikat e qëndrueshmërisë në Japoninë e lashtë mund të ndihmojnë në riformësimin e botës së sotme.

Po sikur qeveritë të krijonin jo vetëm njësi parashikimi, por edhe njësi retrospektive që mësojnë në mënyrë sistematike nga historia e politikave publike? Dhe a nuk do të ishte magjepsëse të vizitonim një Muze Historik për të Nesërmen, i cili do të eksploronte se si historia mund të na ndihmojë të përballemi me sfidat e shekullit të 21-të – nga kriza ekologjike te rreziqet e AI dhe inxhinierisë gjenetike?

Teksa udhëtojmë drejt së nesërmes, ndoshta duhet të udhëhiqemi nga proverbi Maori: “Ec mbrapsht drejt së ardhmes, me sytë ngulur në të kaluarën”. / Ted Talks – Bota.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Back to top button