Motivuese

Historia se si Terry Fox i kaloi ditët e fundit të jetës, në përpjekje për të ndihmuar personat me kancer

“Ishte 12 nëntor 1976, kur në kushtet e një aksidenti rrugor, Terry Fox rezultoi me një traumë të lehtë në gjurin e djathtë. Nuk dukej asgjë e rëndë në atë moment. Ndërkohë, në muajt në vazhdim dhimbja filloi të shtohej dhe bezdia po i shndërrohej në diçka të padurueshme. Edhe pse mjekët mundoheshin t’ia zbusnin situatën, sërish diagnoza përfundimtare ishte e rëndë. Sipas analizave të kryera, rezultoi se vuante nga një tumor kockor që prekte kryesisht kockat e gjata, të këmbës dhe krahëve, e njohur në gjuhën mjekësore si osteosarkomë. Ky tumor avancon shpejt, për shkak të përhapjes në mushkëri dhe shtyllën kurrizore. Mjekët i thanë se duhet të amputohej këmba e djathtë dhe të zëvendësohej me një protezë mekanike. Me pak fjalë, do të mbetej me një këmbë të vetën.

3 vjet pas amputimit, në 12 prill të vitit 1980, ndërmerr një ndër nismat më të mëdha sportive që mund të merrte përsipër një person. Niset nga pjesa atlantike e Kanadasë, në këmbë, për të mbërritur në pjesën e lagur nga oqeani Paqësor. E lexuat mirë, në këmbë dhe vetëm me një këmbë të tijën. Ideja ishte që ai do të mblidhte 1 dollar për çdo qytetar kanadez që do të takonte rrugës, me objektivin e vetëm që të mblidhte sa më shumë të ardhura për t’i dhuruar në luftën kundër kanderit. Çdo ditë bënte rreth 42 kilometra. Çdo ditë për të ishte një maratonë. Me vetëm një këmbë!

Nisma e tij u vlerësua si “maratona eshpresës” dhe pse ai nuk mundi dot ta çonte deri në fund. Pasi përshkoi 5373 km në 143 ditë, e ndaloi vrapin e tij. Jo sepse nuk donte, por sepse tumori kishte nisur të përhapej në mushkëri duke e detyruar të ndalej. Rrugëtimi i tij përfundoi në 1 shtator 1980 dhe deri në atë moment kishte arritur të grumbullonte 24 milionë dollarë. Vitin tjetër ai hyri në koma dhe ndërroi jetë në 28 qershor 1981. Nuk kishte mbushur ende 23 vjeç.

Nisma e tij u përfundua disa vite më vonë nga Steve Fonyo, i mbijetuar nga kanceri. Ai kishte humbur këmbën e majtë, por që sërish ia doli ta përfundonte nismën me shumë vullnet. Kështu që “maratona e shpresës” u realizua deri në fund. Ky artikull është shkruar për të treguar vlerësimin e thellë për Terry Fox, por edhe inatin për rininë e sotme. Miliona të rinj, zgjedhin të blejnë bluza dhe të mbështesin shumë personazhe publikë, si Messin, Cristiano Ronaldon etj, ndërkohë që askush nuk ka blerë të paktën një bluzë me imazhin e këtij artikulli. Ndoshta askush nuk e njeh historinë e këtij djali kanadez që ka ndryshuar për mirë jetën e miliona njerëzve në vështirësi.

Ka heronj dhe superheronj, si Terry Fox. Ka mite dhe legjenda.”

Back to top button