HistoriKulture

HOLLYWOOD / “Arat” që u bënë perandori e filmit

 

Screen Shot 2015-08-13 at 11.35.53

“Hollywood origjinal ishte tokë bujqësore. Më pas, filluan të ndërtoheshin banesa. Kështu që kur industria e filmit filloi të zhvillohej në vende si “Whitley Heights”, zona ishte e gatshme për t’u bërë shtëpi e yjeve të kinemasë. Kjo madje ndodhi para themelimit të zonës Beverly Hills, e cila ishte ende fushë me bathë në atë kohë. Prandaj Hollywoodi ishte vendi më i mirë për të qëndruar. Në vitin 1922, kur romani The Great Gatsby ishte duke u shkruar, Hollywoodi po kalonte epokën e tij të artë të filmave pa zë”

Gjatë periudhës dinamike të viteve 1920 dhe epokës së Gatsby-it të Madh, Hollywoodi ishte ende duke u transformuar nga të qenit një tokë bujqësore. Shumë dekada më vonë, tani ai është kryeqyteti i botës së filmave. Ndërsa vitet 1920 ishin plot gjallëri në Nju Jork, komuniteti i parë i njerëzve të famshëm ishte duke u zhvilluar në Kaliforni, në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1918, kanadezi H. J. Whitley i kërkoi një arkitekti të hartonte një projekt për njërën prej faqeve ende të pazhvilluara të kodrave sipër Hollywood-it, për ta kthyer në një zonë me stil mesdhetar.

Në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, aty nuk kishte gjë tjetër veçse toka bujqësore me agrume, elb dhe bathë, pranë disa shtëpive dhe stallave. Disa nga ato hambare më vonë do të shndërroheshin në disa nga studiot e hershme. Zona e Whitley-it ndryshoi pamje me mbjelljen e pemëve tropikale, për të krijuar ndjesinë e pushimeve. Ai ishte fillimi për Hollivudin siç e njohim sot. Njerëzit e famshëm filluan të dynden aty, ndërsa prestigji i zonës rritej. Filmat po transformonin shoqërinë amerikane dhe vendosnin prirjet argëtuese në mbarë botën.

Gregory Paul Williams, është autor i librit “Historia e Hollivudit”, i cili e paraqet Hollivudin që nga origjina e tij modeste drejt rritjes së lavdishme.

“Hollywood origjinal ishte tokë bujqësore. Më pas, filluan të ndërtoheshin banesa. Kështu që kur industria e filmit filloi të zhvillohej në vende si “Whitley Heights”, zona ishte e gatshme për t’u bërë shtëpi e yjeve të kinemasë. Kjo madje ndodhi para themelimit të zonës Beverly Hills, e cila ishte ende fushë me bathë në atë kohë. Prandaj Hollywoodi ishte vendi më i mirë për të qëndruar. Në vitin 1922, kur romani The Great Gatsby ishte duke shkuar, Hollywoodi po kalonte epokën e tij të artë të filmave pa zë. Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar. Studiot po zhvilloheshin dhe mund të fillonin prodhimin. Ishte vërtet një epokë e artë për filmat”.

Në vitin 1912, në Hollywood u hap studioja e parë e madhe e filmave – The Nestor Motion Picture Company, në kryqëzimin midis bulevardeve Sunset dhe Gower. Një vit më vonë, kompania Nestor u bashkua me studion Universal Film Company.

Brenda pak viteve, studiot e zonës filluan të nxirrnin komedi, filma western dhe melodrama.

Në vitin 1913, u ndërtua studioja që më pas do të quhej Paramount. Kjo studio u zhvendos më vonë në mjediset e tanishme, në Melrose Avenue.Marc Wanamaker është historian, autor dhe konsulent për regjisorët dhe studiot e Hollivudit.

“Studioja e parë në histori u krijua në Hollivud, Nestor Film Company, dhe më pas këtu pasuan dhe studio të tjera, që u vendosën këtu për shkak të diellit, vendit, tokës së lirë dhe avantazheve të tjera, si prania e shumë njerëzve që mund të punonin për pak para. Më pas, rreth vitit 1915, këtu kishte të paktën 10 studio të transferuara nga bregu lindor, që deri atëherë kishte qenë Meka e botës së filmave”.

John’s Cafe, i hapur në vitin 1917, ishte restoranti i parë ku njerëz të famshëm shkonin shpesh në Hollywood. Pesë vjet më vonë, Sid Grauman ndërtoi kinemanë e parë shumëkatëshe të quajtur “The Egyptian”. Aty filluan të organizoheshin premierat e para në Hollywood, me shfaqje ekstravagante të menduara si prologë të filmave. Në vitin 1924, shenja “Hollywoodland” – tani vetëm “Hollywood” – u ndërtua me një kosto prej 21 mijë dollarësh amerikanë. Shkronja 15 metra të larta me 4 mijë llamba ndriçimi njoftonin zhvillimin e zonës së re të banimit në atë kohë.

Sot, Hollywood-i është një përzierje e së vjetrës dhe të resë, ndërkohë që studiot janë zhvendosur në hapësira më të gjera. Por pas shumë dekadash, ajo mbetet një nga zonat më emblematike të botës.

Hollywood dhe dhuna

Sulmet me armë apo akte te tjere dhune si ata ne Sandy Hook të shtetit Konektikat kane ngritur shpesh here pyetje mbi lidhjen që mund të ekzistojë midis dhunës në media me rastet e sulmeve në jetën reale. Edhe në Hollivud janë duke u shtruar të njëjtat pyetje. Por atje njerëzit thonë se filmat me aksion e të dhunshëm janë një element kryesor i industrisë dhe se të paktën për momentin nuk ka të ngjarë që ata të zhduken nga qarkullimi. “G.I. Joe: Retaliation” i përket asaj kategorie filmash që nxjerrin fitime të mëdha për Hollivudin duke tërhequr djemtë adoleshentë përmes aksionit, luftimeve dhe shpërthimeve.

Tim Gray është redaktor i revistës Variety që mbulon industrinë e argëtimit. Ai thotë se debati rreth dhunës ka ekzistuar që në kohën që u krijuqa revista para 100 vjetësh, e madje edhe më herët. “Në fakt, fillon 2000 vjet më parë, nëse shohim tragjeditë greke. Po të kemi parasysh gladiatorët e Koloseut, kuptojmë se dhuna dhe argëtimi kanë qëndruar gjithmonë përkrah njëra-tjetrës, por tani është tepër e përhapur.”

Kjo skenë e filmit “Psycho”, i regjizorit Alfred Hitchcock, ishte një segment i shkurtër i një filmi të krijuar me shumë kujdes, i cili mbështetej tek dialogu për të treguar historinë. Megjithatë, në vitin 1960, skenat ishin mjaft tronditëse për publikun. Filmi i ardhshëm i regjizorit Silvester Stallone, “Bullet to the Head” përdor aksionin për të tërhequr vëmendjen e shikuesit. “Pacific Rim”, një film fantastiko-shkencor mbi një pushtim prej jashtëtokësorëve, pritet gjithashtu të pëlqehet prej adoleshentëve.

Një producent, krijimet e të cilit përfshijnë edhe “Mean Streets” – një nga filmat e parë të regjizorit Martin Scorsese – tani punon si analist i mediave. Jonathan Taplin thotë se armët, shpërthimet dhe ndjekjet emocionuese ndonjëherë zëvendësojnë historitë e ndërtuara me kujdes. “Filmat me aksion janë një nga gjërat që Hollywoodi bën mjaft mirë. Dhe nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin në gjendje të tërhiqnin publikun adoleshent pa përdorimin e gjerë të dhunës në krijimet e tyre.”

Wayne LaPierre, i Shoqatës Kombëtare të Armëve, fajëson videolojërat dhe filmat, si nxitëse të dhunës së vazhdueshme në botën reale. Ai kundërshton thirrjet për kontrolle më të rrepta të armëve.

Por shumë njerëz në botë shohin filmat e Hollywoodit pa shkaktuar probleme, thotë zoti Taplin. “Në shumë vende të botës ku filmat e Hollivudit janë burim kryesor argëtimi nuk ndodhin vrasje masive të fëmijëve.”

Megjithatë, zoti Taplin është i shqetësuar nga dhuna që gjendet në filmat amerikanë, sidomos ata të regjizorit Quentin Tarantino. Filmi i ri i tij, “Django Unchained”, tregon një histori rreth skllavërisë dhe ndëshkimeve në jugun amerikan para Luftës Civile.

Sulmi i kohëve të fundit në shkollën Sandy Hook ka bërë që shumë njerëz në Hollywood të ngrejnë pyetjen nëse autorët duhet të ulin përmbajtjen e dhunës në filma, thotë redaktori Tim Gray. “Njerëzit janë duke folur për masakrën e Njutaunit, duke e konsideruar si pikë kthese që mund të sjellë ndryshime.” Por publiku i moshave të reja nuk po shfaq asnjë shenjë që të shprehë humbje të interesit ndaj filmave të dhunshëm.

Hreporter – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button