Kinema & TV

Hollywoodi në arkën e Noes

Russell Crowe as NoahKolossal-i biblik që ka kushtuar 200 milionë dollarë, mes polemikave, efekteve specialë dhe një serie yjesh të kinemasë

Eshtë një histori që na vjen qysh prej kohërave të Mesopotamisë, dhe që për herë të parë përmendet që 2500 vite para Krishtit: historia e Arkës së Noes, ku xhirafat dhe gomerët dhe të gjithë speciet e tjera të kafshëve gjetën strehë kur Zoti, i penduar për krijesën e tij, na ndëshkoi me Përmbytjen Universale. Një legjendë e fuqishme, me pëllumba dhe ylberë dhe njerëz që jetojnë deri një mijë vite, një histori biblike që ka brenda besimin, kurajën, terrorin, shkatërrimin, shpresën, shpagimin. Me një fjalë, e përsosur për Hollywoodin.

Një histori që, pas një filmi të parë epik të xhiruar në 1928-ën e largët, është ofruar vetëm në mënyrë sporadike me filma të animuar dhe komedi. Një boshllëk që Darren Aronofsky ka vendosur ta mbulojë me një film që pritet të dalë në kinematë e të gjithë botës. Noe-ja i tij është Russell Crowe. Naama, bashkëshortja, është Jennifer Connelly. Anthony Hopkins është Matuzalemi, gjyshi i Noes, ndërkohë që Emma Watson është Ila, një jetime e adoptuar. Eshtë edhe i keqi, që luhet prej Ray Winstone, në rolin e Tubalkainit.

Anthony Hopkins

“Jam një plak aspak i mencur”

Kur themi “plak si Matuzalemi” i referohemi një personazhi historik. Ose më mirë, një personazhi të librit të dytë të Gjenezës ku matuzalemi prezantohet si pasardhësi i shtatë i drejtpërdrejtë i Adamit, dhe gjysh i Noes, i cili gjen vdekjen në vitin e përmbytjes universale në moshën 969-vjecare. Për Sir Anthony Hopkins është një sfidë e bukur.

Si ka qenë të punuarit me Aronofskyn?

Darreni është arsyeja kryesore përse pranova. Kisha parë “Black Swan” dhe “The Wrestler” dhe mendoj që është një regjisor i madh. Dhe gjithmonë shumë i përgatitur.

Russell Crowe dhe Jennifer Connolly?

Shumë të zotë. Me Russell kisha punuar tashmë.

E njihnit mirë historinë e Noes?

E kam dëgjuar për herë të parë kur kam qenë katër vjec kështu që po, e njihja.

Përse mendoni që është ende aktuale?

Që të vegjël ngremë pikëpyetje mbi domethënien e ekzistencës sonë dhe mbi gjendjen njerëzore dhe Darreni ka gërmuar pikërisht mbi këtë.

Ju keni reflektuar?

Nuk e kam idenë kush jemi dhe përse jemi këtu. Jetoj për të sotmen. Një ditë do të marrë fund dhe ndoshta do të përthithemi në Univers. Jam vetëm një qenie e vogël njerëzore.

Filmi është shoqëruar me polemika, që pa dalë: i kritikuar nga evangjelistët e krishterë, i ndaluar në disa vende myslimanë. Cfarë mendoni?

Nuk i lexoj gazetat. Nuk më intereson. Pyes vetëm nëse e kanë parë filmin të paktën.

Teksa plakeni, a ndiheni më i mencur?

Nuk jam aspak i mencur. Nuk di asgjë. Sa më shumë plakesh, aq më pak di.

Zakonisht mendojmë të kundërtën.

Kur je i ri, mendon që di gjithcka. Pastaj plakesh dhe zbulon që në fakt asgjë nuk di.

 

Russell Crowe

“Sot pyes veten cfarë do të kisha bërë në vendin e tij”

Russell Crowe është mësuar të luajë role personazhesh legjendarë. Në fund të fundit, ka qenë Gladiatori. Dhe Robin Hoodi. Ka dicka ai, që Darren Aronofsky e ka pikasur menjëherë kur i duhej që të zgjidhte aktorin që do të luante Noenë. Dakord, i është përgjigjur menjëherë aktori, por nuk dua të jem ai plaku i zakonshëm me dy xhirafa pas shpatullave.

Russell, fillojmë nga kjo historia e takimit me Papën. Pati takim apo jo?

Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Nuk jam katolik, nuk jam pagëzuar asnjëherë dhe nuk kam ndier asnjëherë një shtytje drejt Papës. Por ky Ati i Shenjtë, me pozicionet që ka marrë, ka demonstruar që është i hapur. U tregua shumë i sjellshëm që na priti në ditën e babait. Na foli se cfarë do të thotë të jesh baba dhe përgjegjësitë që vijnë në edukimin e fëmijëve të tu.

“Noe” është një film që ka hapur që tani shumë polemika…

Shumëkush ka vendosur të kritikojë filmin, pa e parë ende dhe kjo më duket qesharake. Me sa duket kritikët as Biblën nuk kanë lexuar.

Përse ajo e Noesë është një histori që ka kuptim edhe sot?

Sepse Noe nga njëra anë mbron të pafajshmit dhe shpëton kafshët, nga ana tjetër është edhe dikush që rri e vështron, teksa e gjithë popullsia e Tokës zhduket. Dhe kjo na shtyn të ngremë shumë pikëpyetje, të pyesim se cfarë do të bënim në vendin e tij, pikërisht në një kohë kur bëjmë ndërhyrje që janë shumë të dëmshme për mbijetesën e planetit.

Tani ju pret filmi i ri me regjisor Gabriele Muccinon. Përse regjisorin italian?

Sepse më dërgoi skenarin, e lexova dhe pata një reagim të pabesueshëm. Eshtë një histori shumë e bukur, por tani që është momenti të filloj, për mua po bëhet gjithcka pakëz problematike.

Arsyeja?

Të shtunën që kaloi përfundova në Turqi xhirimet e filmit “The Water Diviner”, që është edhe debutimi im si regjisor. Pastaj shkova në Moskë, më pas erdha në Romë, pastaj në Rio. Kam ende shumë qytete për të vizituar dhe sapo të përfundoj më duhet të jem në Pittsburgh për filmin e Muccinos, ku kam një pjesë shumë impenjuese nga pikëpamja emotive. Pastaj, kur të mbaroj me Muccinon do të kem një muaj kohë për të montuar filmin tim. Pra jam vërtetë nën një presion të madh për gjithë pjesën tjetër të vitit.

 

Jennifer Connelly

“E frymëzuar nga të qënurit bashkëshorte dhe nënë”

Jennifer Connelly është bërë e famshme me filmin “A beautifuk mind”, me të cilin ka fituar një cmim Oscar duke aktruar në krah të Russell Crowe. Ishte viti 2001. Trembëdhjetë vjet më vonë, ja tek janë sërish bashkë: ajo është Naama, gruaja e Noesë, një grua që tek libri i Gjenezës nuk është e përshkruar shumë qartë dhe që mban bashkë një familje e cila ndodhet nën një presion të madh.

Si ishte rikthimi me Russell Crowe?

Rrethanat e jetëve tona kanë ndryshuar shumë dhe filmi ka krejt tjetër ton, por ka dicka tek Russell që e rinjoha menjëherë. Fakti që kemi punuar një herë bashkë na lejoi që t’i hyjmë skenarit pa shumë prezantime. Filluam të investigojmë dhe diskutojmë materialin: personalisht adhuroj të punoj me të. Russell është një aktor që studion gjithcka me seriozitet. Dhe është gjithmonë shumë bujar me aktorët e tjerë.

Na flisni për Naaman tuaj.

Për t’i dhënë jetë personazhit tim jam përpjekur të përfaqësoj jo një legjendë, por një grua të vërtetë. Dhe duke qenë që, nga Gjeneza nuk dimë shumë gjëra për të, përvec faktit që është gruaja e Noesë, u përpoqa të informohem dhe ta vendos në kontekstin e asaj që dimë nga historianët dhe arkeologët për gratë e atyre kohëve. Kam lexuar libra, kam parë në internet dhe kam kuptuar për shembull se si e përgatisnin ushqimin. Por këto janë në të vërtetë histori të pakoha, me tema si mëmësia dhe frika, besnikëria dhe emocione të tjerë primarë. Kështu që padyshim më kanë shërbyer dhe eksperiencat e mia si nënë dhe bashkëshorte.

Në film Emma Watson është një bijë e adoptuar.

Dy personazhet tona kanë skena të një intimiteti të madh dhe pa dashur të zbuloj shumë për filmin, ka një detaj që mendoj treson se si gratë janë në gjendje që të mbështesin njëra-tjetrën. Emma ka qenë vërtetë e zonja. Dhe shumë kurajoze.

 

Regjisori Darren Aronofky

“Një paralajmërim pa kohë për njeriun modern”

Hera e parë që Darren Aronofsky ka marrë cmim i takon vitit 1996, kur fitoi një “Independent Spirit Aëard” për skenarin më të mirë të një debutuesi me filmin “Teorema e Delirit”. Më pas erdhën filmat popullorë “The Wrestler”, filmi që rigjallëroi karrierën e Mickey Rourke, “Black Swan”, me të cilin Natalie Portman fitoi një Oscar. Por që kur ishte 13 vjec dhe fitoi një cmim për një poezi mbi Noen, Aronofsky është i obsesionuar nga ajo legjendë.

Aoronofsky, përse vazhdojmë flasim për Noen?

E tija është bërë një histori e kopshtit të fëmijërisë, por prapa ka dicka shumë më të thellë. Noe dëgjon Zotin, i cili ndien aq shumë dhimbje saqë detyrohet të shkatërrojë krijesën e tij. Eshtë një paralajmërim, Apokalipsi i parë që mund të ketë ndodhur në një Galaksi të largët shumë kohë më parë dhe që ndoshta është e ardhmja jonë. Dhe sot ka ende kuptim jo vetëm sepse mendojmë për ngrohjen globale, por edhe për armët kimike, bërthamore dhe shkatërrimin që po rrezikojmë të shkaktojmë. Kemi dominimin e planetit, por kemi edhe përgjegjësi.

Legjenda e Noes është plot me referime që përkojnë me shkencën moderne.

5 mijë vjet më parë nuk e dinim që Toka ishte e rrumbullakët dhe që jemi një pikë e vogël në një Univers shumë të madh, por kjo nuk ua heq fuqinë disa metaforave. Ciklopët nuk kanë kuptim, por pa ta nuk ekziston legjenda e Uliksit. Nuk kanë kuptim as Ikari apo Sizifi, por legjenda e tyre reziston. E njëjta gjë vlen për përmbytjen, e zbulojmë tek Gjeneza dhe tradita hebraike dhe kristiane, por edhe mes babilonianëve, majave dhe banorëve vendas australianë. Dikush mund të thotë: si mund të fus gjithë këta kafshë në një varkë? Nuk ka rëndësi, historia që nëse shkatërrohesh do ndëshkohesh reziton, dhe në këtë moment jemi nën ndëshkim.

Kalojmë tek takimi me Papa Franceskun javën që kaloi. Cfarë ndodhi?

Para se të vinim në Romë i kishim thënë zyrës së Paramount që do të ishte e jashtëzakonshme nëse do të mundnim ta takonim. Dhe ishte e pabesueshme, sepse pikërisht ditën që mbërritëm në Shën Pjetër ai mbajti një predikim për atë se cfarë do të thotë të jesh një prind i mirë. Jo, nuk e takuam personalisht por prania e tij ishte për të gjithë ne një bekim.

Leave a Reply

Back to top button