Organizata për të Drejtat e Njeriut, “Human Rights Watch” në publikimin e raportit vjetor në New York shpjegoni pse është me rëndësi vitale për perëndimin, pra SHBA-në dhe Europën, lufta kundër populizmit të djathtë
“Me rritjen e populistëve të djathtë në pjesën perëndimore të botës kemi një problem shumë, shumë serioz” u shpreh Kenneth Roth, drejtori ekzekutiv i Human Rights Watch të enjten (12.01) në New York. Ai shpjegon edhe arsyen, pse raporti vjetor i Human Rights Watch këtë herë është fokusuar tek populizmi i djathtë. “Arsyeja, pse e drejtojmë vëmendjen kaq shumë tek populistët e djathtë është, se në perëndim po marrin hov shumë të shpejtë populistët e djathtë.” Roth përmend disa arsye, pse ky zhvillim është i rrezikshëm e sipas qëndrimit të organizatës së tij “të çon në tirani”.
– Perëndimi, pra qeveritarë në SHBA dhe Europë kanë qenë për dekada bastioni më i rëndësishëm dhe mbrojtësi i të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
– Nëse qeveritarët përgjegjës tani bëjnë të tyret argumentet e populistëve dhe demagogëve apo nëse ata zëvendësohen nga populistët e djathtë atëherë shuhet ky angazhim për të drejtat e njeriut.
-Populistët e djathtë dinë vetëm zgjidhje sempliste, të thjeshtëzuara. Ata rekomandojnë për luftën kundër terrorit, imigracionit dhe papunësisë për shkak të globalizimit kufizimin e këtyre të drejtave apo shfuqizimin e tyre.
Drejtori për seksionin gjerman të Human Rights Watch, Wenzel Michalski në bisedë me Deutsche Wellen sqaron se, pse zgjedhja e Donald Trumpit është një sinjal për forcimin e populistëve. “Që tani njerëzit si Viktor Orban bazohen tek Trumpi.” Orban vepronte prej vitesh si Trump. Nëse presidenti i zgjedhur amerikan e bën realitet atë që ka pohuar, njerëz si Orban ndjehen të forcuar në qëndrimet e tyre. “Ka rrezik që lëvizjet populiste dhe parti të tilla që nuk kanë ardhur në pushtet në Europë, të vijnë përmes zgjedhjeve në pushtet, sepse asgjë nuk është më e suksesshme se suksesi.”
Rreziqe për të drejtat e njeriut në Europë
Sipas vlerësimit të Human Rights Watch votimi në Francë do të jetë veçanërisht i rrezikshëm. Nëse në prill në raundin e dytë vërtet fiton Marine Le Pen kundrejt Francois Fillon atëherë ky është një sinjal fatal, që do të gjejë jehonë në Europë. Në Holandë zgjedhja e Geert Wilders përbën më pak rrezik, sepse aty nuk ka tradita koalicionesh, ndërsa në Gjermani varet se çfarë koalicionesh të mundshme do të kemi pas zgjedhjeve të shtatorit. Suksesi i AfD do të dobësojë Angela Merkelin.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Human Rights Watch, Roth zhvillimet e tanishme nuk kanë ardhur si një virus i importuar, ato janë pasojë e gabimeve të qeverive perëndimore. “Shumë qeveritarë perëndimorë duket se janë dorëzuar para populistëve të djathtë. Ky është një gabim i rrezikshëm.” Ndërsa drejtori për Gjermaninë i organizatës, Michalski rekomandon që “qeveritarët që kanë ngrirë tani si lepuri nga frika e gjarprit e nuk dinë si të veprojnë, duhet të mësojnë që të mos bëjnë ujdi pas dyerve të mbyllura. Politika duhet të heqë dorë njëherë e mirë nga intraspranca dhe punët që politikanët bëjnë gjithmonë paralelisht. “Kjo nuk bëhet me fjalime, por duhet një kundërpërgjigje e fortë si sinjal ndaj populistëve.” Politikanët përgjegjës në Europë duhet të provojnë tani se e marrin seriozisht popullin, e shpejt do të kuptohet, se populistët nuk janë përfaqësuesit e popullit. /DW