I lindur më 15 prill 1452, Leonardo da Vinci arriti të ishte kaq shumë gjëra në një jetë të vetme – piktor, inxhinier, arkitekt dhe shkencëtar. Piktura e tij, Mona Lisa, është një nga veprat më të famshme të botës. Dhe ajo është vetëm maja e ajsbergut. Me studimet e tij intensive të natyrës dhe anatomisë, Da Vinçi e përdori shkencën si një mënyrë për të revolucionarizuar artin e tij.
Ky njeri vizionar, gjithashtu imagjinoi shumë nga mrekullitë tona moderne. Ai skicoi idetë për një kostum zhytjeje nënujore, një automjet vetëlëvizës dhe një makinë fluturuese që ishte një pararendëse e helikopterit.
Da Vinci kishte një jetë të komplikuar familjare. Ai ishte djali i paligjshëm i Ser Piero da Vinçit dhe një gruaje vendase të quajtur Caterina. Ndërsa Leonardo ishte fëmija i tyre i vetëm së bashku, prindërit e tij do të bënin edhe 17 fëmijë të tjerë. Nëna e tij u martua me dikë tjetër dhe babai i tij, avokat dhe noter, u martua katër herë gjatë jetës së tij. Ai vetë u rrit në shtëpinë e gjyshit të tij. Da Vinci gjithashtu zhvilloi një lidhje të ngushtë me xhaxhain e tij Francesco da Vinçi.
Gjithësesi, babai i da Vinçit u kujdes për të, duke e regjistruar si nxënës me artistin Andrea Verrocchio në Firence, kur ishte 15 vjeç. Më vonë babai i tij ka gjasa ta ketë ndihmuar në sigurimin e disa pagesave. Kur babai i tij vdiq, da Vinçi nuk trashëgoi asgjë, për shkak të gjysmë-vëllezërve të tij.
Da Vincit nuk i pëlqente gjithmonë të përfundonte atë që kish nisur. Ai kishte një zakon të pranonte pagesa, pa i përfunduar ato. Kur ishte 25-vjeçar Da Vinçi ishte punësuar për të krijuar altarin për një kishë në Palazzo della Signoria, një ndërtesë qeveritare. Pas marrjes së disa parave për këtë punë, megjithatë, ai kurrë nuk e dorëzoi. Pagesa e tij e ardhshme e madhe erdhi në vitin 1481 për një altar për murgjit e San Donato në Scopeto. Në këtë rast, da Vinçi bëri disa përparime. Kjo pikturë, e cila do të njihet si Adhurimi i Magjishëm, përshkruan një moment midis fëmijës së Krishtit dhe Marisë, si dhe tre mbretërve. Në vend të përfundonte veprën, da Vinci vendosi të ndjekë mundësi më të mira në Milano. Pavarësisht se është e papërfunduar, kjo vepër arti tregon talentet e tij dhe ajo ndodhet në galerinë e famshme të Uffizi në Firence.
Megjithatë projekti i tij më i trazuar ishte “Virgjëresha e shkëmbinjve”. Vëllazëria Milaneze e pagoi Da Vincin që të krijonte veprën për ta vendosur në San Francesco Grande në Milano, në vitin 1483. grindjet mes dy palëve për pagesën dhe artin e përshkrimit të Virgjëreshës vazhduan për dy dekada, dhe Da Vinci më në fund e dorëzoi pikturën në vitin 1508. Në fund ka dy versione të Virgjëreshës së Shkëmbinjve – njëri në Galerinë Kombëtare të Londrës, tjetri në Luvër, në Paris.
Për pjesën më të madhe të karrierës së tij, da Vinçi varej nga mirësia e klientëve. Ai kaloi vite të tëra, duke kaluar nga një oborr mbretëror në një tjetër. Rreth vitit 1482, da Vinçi shkoi të punojë për Ludovico Sforzën, sundimtarin e Milanos. Ai u paraqit më së shumti si një inxhinier ushtarak i Sforzës, duke premtuar se do t’i jepte të gjitha llojet e armëve. Sforza veproi si mbrojtës i tij për shumë vite, dhe ai porositi Da Vinçin të punonte në shumë projekte për të, duke përfshirë portretet e dy dashnoreve të tij. Një nga ato gra besohet të jetë subjekt i Zonja me hermelinë. Da Vinci gjithashtu krijoi plane arkitekturore për kishat dhe krijoi një kompleks teatral mekanik, për një festival në nder të një martese familjare.
Në vitet e fundit të jetës së tij, da Vinçi gëzonte mbështetjen e mbretit francez, Francesku I. Ai u transferua në Francë në 1516 për t’u bërë “KryePiktor dhe KryeInxhinier dhe Arkitekt i Mbretit” dhe jetonte në një shtëpi të quajtur Château de Cloux (tani e njohur si Château du Clos Lucé) në Amboise.
Për një njeri që njihej si pacifist, da Vinçi ka punuar në shumë projekte ushtarake. Ai bëri skica armësh, duke përfshirë një hark madhështor për sundimtarin e Milanos. Por, siç thekson Stefan Klein në “Trashëgimia e Leonardos”, këto projekte ishin më shumë një përpjekje “për t’u bërë përshtypje mbrojtësve të tij” sesa për të krijuar “armë të dobishme”.
Në vitin 1502, da Vinçi u përzie me Cesare Borgian, një fisnik i pamëshirshëm dhe djali i paligjshëm i Papa Aleksandrit VI, i cili komandonte ushtrinë papale. Borgia donte të krijonte një perandori nëpërmjet pushtimeve, dhe ai i kërkoi da Vinçit që të krijonte mënyra për të mbrojtur tokat e pushtuara rishtazi. Da Vinci bëri skica dhe harta, duke sugjeruar qasje të ndryshme mbrojtëse. Pas kalimit të dimrit me Borgian dhe ushtrinë e tij, megjithatë, da Vinçi u largua në shkurt të vitit 1503. Ai mund të jetë larguar edhe para se merrte pagesën për punën e tij. Fritjof Capra spekulon tek “Shkenca e Leonardo që da Vinçi”, duke thënë se “ai duhet të ketë dëgjuar tregime të masakrave dhe vrasjeve të shumta të Cesares” dhe “i tmerruar prej tyre ka vendosur të ikë”.
Da Vinci la pas mijëra faqe me shkrime. Biografi i Leonardos Martin Kemp vlerëson se rreth 6,000 faqe janë të njohura si vepra e Da Vinçit dhe këto mund të jenë vetëm një pjesë e asaj që ai prodhoi gjatë jetës së tij. Ai shkruante nga e djathta në të majtë. Nuk dihet me siguri se pse e bënte këtë, por disa teori thonë që ai po përpiqej të mos lejonte që të tjerët të zbulonin dhe ndoshta të merrnin idetë e tij, por ndoshta edhe sepse e kishte më të lehtë që të shkruante në këtë mënyrë. Sidoqoftë, thellësia dhe gjerësia e punës së tij është e jashtëzakonshme.
Shumë nga këto shënime dhe vëzhgime mblidhen në libra të quajtura kodikë. Më i madhi prej tyre është Codex Atlantik, i cili përmban disa nga vizatimet e hershme mekanike në më shumë se 1.100 faqe. Në pronësi të familjes mbretërore britanike, Codex ëindsor përfshin një sërë studimesh anatomike të ndërmarra nga da Vinci. Kodiku Leicester bëri bujë në vitin 1994, kur bashkë-themeluesi i Microsoft, Bill Gates, e bleu atë nga pasuria e biznesmenit Armand Hammer për 31 milionë dollarë. Kjo vepër nxjerr në pah magjepsjen e da Vinçit me ujin – cilësitë e tij, si dhe ide të ndryshme për përdorimin dhe menaxhimin e ujit. / “Bio” – Bota.al