Donald Trump thyen brutalisht ëndrrën amerikane të Dreamers, emigrantë që fëmijë dhe për këtë arsye, “fajtorë” edhe për shkelje të ligjit. Barak Obama del nga heshtja e tij për të dënuar këtë vendim “në kundërshtim me frymën e Amerikës dhe bonsensin”. Por Trump mban një premtim që është zemra e kontratës së tij me votuesit. Vala e gjatë e anti-globalizimit nuk ndalet, pavarësisht nga aksidentet e përsëritura të kësaj presidence anormale dhe madje groteske. Bota e Mureve, kërkimi për një kokë turku përballë shqetësimeve sociale: gjithçka vazhdon të jetë aty mes nesh, më aktuale se kurrë. Nga Brexit deri tek rezistenca italiane ndaj Ius soli, një fije e fortë mban këto ngjarje të lidhura bashkë. Ndokush pati iluzionin se fitorja e Macron në Francë, solidariteti i Merkel në Gjermani ishin shenja të fundit të një cikli, një përmbysja e një tendence që të përparimit të populizmit. Por Gjermania e sotme është më e mbyllur se ajo e vitit 2015, Merkel është forcuar duke mirëpritur disa mendime të kundërshtarëve të saj, që janë armiq të kufijve të hapur.
Çështja Dreamers godet për shkak të absurditetit të saj, natyrisht. Janë 800.000 të rinj pa leje banimi dhe pune, por ata erdhën në Amerikë që të vegjël dhe ky është atdheu i tyre i vetëm. Kur Obama i ofroi atyre një procedurë për legalizim, ai bëri një gjë me bonsens, pikërisht: e miratuan edhe disa republikanë të moderuar. Është e komplikuar përveçse jonjerëzore, t’i dëbosh: ata kanë humbur lidhjet me vendin e origjinës së prindërve të tyre. Shumë prej tyre janë integruar, jo më kot eksponentë të ekonomisë si Tim Cook (Apple) dhe Mark Zuckerberg (Facebook) i mbrojnë, të ndjekur nga shumë të tjerë, sidomos në shtetet progresiste, nga Kalifornia në Nju Jork, ku ka patur amnisti prej vitesh. Jo më pak absurde ishte vota anti-emigrant në Britani (arsyeja e vërtetë për suksesin e Brexit), fushata kundër “pushtimit të punëtorëve polakë dhe rumunaë”, në një vend ekonomia e të cilit ka lulëzuar falë injektimit të forcës së dhe të talentuar punëtore nga jashtë. Sa i përket debatit mbi lus soli në Itali, është bërë bashkë marrëzisht me çështjen e refugjatëve, për të cilët nuk gjen zbatim një eformë e synuar për ata që kanë lindur në vend. Pra, si të shpërndash hendekun midis mospërputhjeve, papajtuehsmërive dhe kontradiktave? Drama e Dreamers-ave të rihedhur në ilegalitet, ndihmon për të kuptuar.
Në elektoratin nacionalist dhe popullor të së djathtës amerikane, frika e vërtetë ishte shumë e qartë para Trumpit. Me 11 milionë emigrantë pa karta të gjelbërta ose viza, gjithmonë ka pasur frikë nga një amnisti e përgjithshme. Nuk ishte kjo reforma e Obamës. Por ajo u pa si goditja e parë ndaj parimit të ligjshmërisë. Temë nga e cila çdo folës republikan rrëmben ovacione: nëse e kanë shkelur ligjin dhe i falin, ku përfundon sundimi i ligjit? Dhe përsëri: ne bëjmë një gabim për shumë të huaj të tjerë, që kanë ndjekur rrugët e rregullta. Dhe në fund: ne humbim kontrollin mbi kufijtë tanë, çfarë shteti jemi, pa autoritetin për të vendosur se kush mund të hyjë dhe kush nuk munda? Kësaj i mbivendoset tema e sigurisë, e ushqyer nga terrorizmi islamik, por jo vetëm: së bashku me të dëshpëruarit që vijnë nga vendet e Amerikës Qendrore ku dominon dhuna, ka edhe një fenomen bandash të pamëshirshme nga Long Island (Nju Jork) në Oakland (San Françisko). Çdo gjë lidhet me çështjen e identitetit. “Kush jemi ne?”, pyeste Samuel Huntington, teoricieni i përplasjes së qytetërimeve, që meditonte për një model etike dhe vlerash me origjinë anglo-saksone dhe protestante, i cili dobësohej nga të sapoardhurit. Simbol i kësaj është bërë ndërprerësi automatik i telefonatave, që u kërkon përdoruesve: “shtypni butonin 1 për gjuhën angleze, 2 për spanjishten”.
Muret, flakët e armiqësisë ndaj Tjetrit, nuk janë një përgjigje dhe ekonomia amerikane do të futet në krizë nëse 11 milion imigrantët e paligjshëm zhduken, duke privuar nga krahu i punës në bujqësi dhe ndërtim, turizëm dhe ndihmën për të sëmurët. Por nëse vala e gjatë nuk ngurron të sprapset, kjo ndodh edhe për shkak se fronti globalist – e majta politike dhe establishmenti ekonomik – nënvlerësuan probleme të vërteta, ose nuk dhanë përgjigje të duhura. Një çerek shekulli globalizim dallon nga varfërimi i klasës punëtore dhe klasës së mesme. Konkurrenca e emigrantëve në tregun e punës ekziston dhe ushtron një presion që ul pagat e popullatës lokale (nga Karl Marksi e këtej, kjo ka qenë një temë e të majtës).
Ata më të dobëtit që kanë zanate më pak të kualifikuar dhe që konkurrojnë me të huajt janë gjithashtu ata që jetojnë në të njëjtat lagje, në të njëjtat shtëpi popullore. Ata vuajnë më shumë krimin ose një ndjenjë të përhapur të mungesës së rendit. Ata ndjehen “të huaj në shtëpinë e tyre ose të huaj në atdhe” (titulli i një libri iluminues për të bardhët e varfër që kanë zgjedhur Trumpin), sepse atyre u kërkohet të durojnë përpjekjet maksimale të integrimit, ndjenjën e pasigurisë. Ishte një kryevepër negative e fushatës elektorale të Hillari Klintonit që u foli të gjitha pakicave, me përjashtim të punëtorit të bardhë.
Ajo fushatë krijoi një Amerikë të qeverisur nga një koalicion “i gjithë të tjerëve”; dhe të bardhët u hakmorrën duke zgjedhur një ekstremist. Shumë republikanë i njohin Dreamers-at, i kanë parë ata të luajnë me fëmijët e tyre dhe disa do të vënë një dorë në ndërgjegje. Por e majta duhet të gjejë një gjuhë në lidhje me emigracionin, që nuk përqesh frikërat legjitime. / Federico Rampini, La Repubblica – Bota.al