Motivuese

I madhi Tom Hanks rrëfen sekretet e një martese të lumtur, 31-vjeçare

Teksa çiftet e Hollywood- it ndahen apo divorcohen dita-ditës, aktori amerikan Tom Hanks dhe aktorja Rita Wilson qëndrojnë lumturisht të martuar që prej 31 vitesh

Së bashku kanë kaluar shumë vështirësi e gëzime dhe siç vetë shprehen, dashuria e tyre është bërë për çdo herë e më e fortë.

Nisur nga intervistat e shumta të Tom Hanks- it, më poshtë do të gjeni disa rregulla të arta (sipas tij) rreth një martese të lumtur.

Mos u marto përpara se të jesh 30

Tom Hanks dhe Rita Wilson u njohën gjatë xhirimeve të “Volunteers’” në 1985- n, ku luajtën rolin e dy partnerëve të dashuruar. Ndonëse mes tyre pati një shkëndijë e më pas një marrëdhënie romantike, nuk mundën dot të ishin menjëherë bashkë pasi Hanks kishte grua dhe 2 fëmijë, e ndërsa Wilson ishte e fejuar. Vetëm pas 3 viteve fshehtësi, Hanks u divorcua nga e shoqja dhe i propozoi Wilson- it.

Sot, Hanks shprehet se u nxitua shumë me martesën e parë, se ishte i ri, impulsiv dhe punonte gjithë kohës. Ai mendon se një martesë e vërtetë duhet të jetë diçka e mirëmenduar dhe aspak impulsive.

“Mos u martoni para se të jeni 30.” deklaron artisti.

Bini dakord, bëni kompromise me partnerin/en edhe në momentet më kritike

Hanks ishte katolik e ndërsa Wilson ortodokse. Për vetë faktin se aktori e dinte fare mirë se sa e rëndësishëme ishte feja për gruan e tij, vendosi ta ndryshonte të vetën.

“Sakrifikova diçka për gruan time. Rita ka rrënjë greke dhe ata kanë besim ortodoks. Ndonëse isha katolik, para martesës e ktheva besimin tim, si shenjë respekti ndaj familjes së saj.”

Mbështeteni njëri- tjetrin

Në vitin 1994, kur Hanks fitoi Oscar- in e tij të parë, u ngjit në skenë dhe deklaroi:

“Jam këtu thjesht dhe vetëm sepse gruaja me të cilën jetoj më tregon çdo ditë se çfarë është dashuria!”

Në vitin 2015, Wilson u diagnostikua me një problem serioz, kancer në gji. Artistja tregoi se pati frikë se si do të reagonte bashkëshorti dhe se si do të ndikonte ky lajm në marrëdhënien e tyre. Në të vërtetë, Hanks u përpoq t’i ofronte kujdesin dhe mbështetjen maksimale.

“Gjithçka që mund të bëj është të përulem përpara guximit të gruas sime.”

Për fat të mirë, Wilson arriti ta tejkalonte këtë sfidë shëndetësore, madje pa nevojën e kimioterapisë.

Bëni gjëra të vogla, por të këndshme për partnerin tënd

“E shoh bashkëshorten si gjithë dashurinë time dhe kemi një lidhje që shkon përtej fjalëve “e dashur” apo “grua”. Nuk mund ta imagjinoj jetën time pa atë. Shpesh i lë pusulla pranë telefonit apo diku në kuzhinë. I uroj një ditë të bukur, gjëra të tilla. I shkruaj dedikime edhe me makinat e shtypit antike që kam aq shumë qejf t’i koleksionoj. Zotëroj 100 të tilla. Po kështu kam një zakon që i dërgoj Rita- s një raportim të gjithçkaje që kam bërë përmes fotografive. Kur ajo nuk është me mua shkrep çfarë ha për drekë, ku shkoj, kë takoj. Mendoj që asaj i pëlqen.”

Duajeni për atë që është

“Kjo grua më deshi kur isha i dobët, por edhe kur u shëndosha. Kur pata flokë, por dhe kur mbeta pa to. Kjo grua më do, e di fare mirë. Ja pse jam një burrë me fat.” /Telegrafi/

Leave a Reply

Back to top button