Bota

Instikti perandorak i Rusisë

Nga Karl Bild

Uashington DC – Rusia gjendet edhe një herë në qendër të debateve politike në shumë kryeqytete perëndimore. Dhe për të tretën herë rradhazi, një president i ri i SHBA-së do ta fillojë administratën e tij, me ambicjen për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe. Për të kuptuar pse arritja e këtij synimi ka qenë kaq e vështirë, na ndihmon hedhja e një vështrimi pas në të shkuarën e gjatë historike të shtetit rus.

Ka kaluar tanimë çerek shekulli qëkur u shpërbë Bashkimi Sovjetik; dhe 2017-a do të shënojë 100-vjetorin e Revolucionit Rus, e cila rrëzoi perandorinë shekullore cariste që kishte kohë që po lëkundej. Sikurse ndodh, ekzistojnë ngjashmëri ndërmjet periudhave që pasuan secilën prej këtyre shpërbërjeve perandorake.

Historia e Rusisë, ka qenë e karakterizuar nga ekspansioni i vazhdueshëm mbi kontinentin Euroaziatik. Carët u shtynë drejt lindjes në Siberi, duke pasqyruar shtytjen e Amerikës drejt perëndimit gjatë shekullit XIX, dhe zgjerimi i Rusisë në Azinë Qëndrore përkoi me kolonizimin e Afrikës nga ana e fuqive evropiane.

Por teksa Rusia Perandorake u zgjerua në drejtim të perëndimit dhe jugut, ajo gjithmonë hasi në kundërshti, dhe kësisoj duhej të përdorte forcën për të mbajtur territoret e futuara rishtazi në domenin e saj. Pas revolucionit të vitit 1917, shumë nga këto rajone – nga Tashkenti në Tbilisi, dhe Kievi në Helsinki – kërkonin pavarësi nga zgjedha moskovite.

Në fillim, Vladimir Leninit u shfaq në favor të këtyre kërkesave; por shumë shpejt ai e përdori Ushtrinë e Kuqe për të imponuar pushtetin sovjetik në të gjithë ish-Perandorisë Ruse. Ajo pati sukses në Ukrainë, Kaukazin jugor dhe Azinë Qëndrore. Por dështoi në Finlandë dhe shtetet baltike, në një kohë që pësoi një humbje serioze në periferi të kryeqytetit polak Varshavë

në vitin 1920. Kjo mundësoi krijimin e një vargu shtetesh të pavarura në krahun perëndimor të ish-Perandorisë Ruse.

Por pastaj në pushtet erdhi Stalini. Me përdorimin e terrorit dhe industrializimit të detyruar, në  përpjekje për ta bërë Rusinë sërish të madhe, ai kërkoi rikthimin e kontrollit perandorak mbi territoret e saj të mëparshme. Stalini e gjeti një mundësi tek bisedimet e fshehta me Adolf Hitlerin, të cilit i kërkoi kthimin e asaj që Rusia kishte humbur pas vitit 1917, duke përfshirë edhe shtetet balltike, Finlandën, dhe pjesë të Polonisë.

Ai përfundimisht i mori ato. Pasi Rajhu i Hitlerit u shemb, edhe falë sakrificave të Ushtrisë së Kuqe, Stalini kishte pati ‘dorën e lirë’ për ta zgjeruar pushtetin sovjetik më thellë në zemër të Evropës. Vetëm Finlanda e ruajti pavarësinë e saj – mrekullisht, por edhe me forcën e armëve. Vendet baltike u rrikthyen brutalisht nën zgjedhën sovjetike, dhe Polonia dhe vendet e tjera u reduktuan në shtete satelite.

Në vitin 1976, një nga këshilltarët kryesorë të Henri Kisingerit në Departamentin Amerikan të Shtetit, argumentoi se në mënyrë konktradiktore Rusia kishte dështuar të krijonte një marrëdhënie “organike” me këto vende. Është mjafte e vërtetë, se pasi u shemb Bashkimi Sovjetik, shtetet satelitore nxituan të përshpejtojnë rënien e saj duke ripohuar sovranitetin e tyre; thuajse çdo republikë jo-ruse në ish-BRSS kërkoi dhe siguroi pavarësinë.

Me Ukrainën dhe vendet e Kaukazit Jugor që rifituan shtetësinë, Rusia kontrollonte edhe më pak territore se sa pas revolucionit të vitit 1917. Vladimir Putini, ashtu si Lenini një shekull më parë, synon ta ndryshojë këtë realitet. Që prej ardhjes në pushtet, pas përpjekjeve të trazuara të Rusisë për reforma liberale e demokratike në vitet 1990, është bërë gjithnjë e më e qartë se Putini aspiron ta bëjë sërish të madhe Rusinë, si ekonomikisht edhe gjeopolitikisht.

Pavarësisht disa dallimeve të dukshme ndërmjet kohës së themelimit të Bashkimit Sovjetik dhe momentit aktual, paralelja historike është shumë e qartë për t’u injoruar. Nën drejtimin e Putinit, Rusia ka pushtuar pjesë të Gjeorgjisë, aneksuar Krimenë nga Ukraina, dhe mbështetur ushtarakisht krijimin e dy “republikave” kukull në Ukrainën Lindore.

Moska ka provuar madje – deri më tani pa sukses – të krijojë një Novorossiya përgjatë gjithë Ukrainës Jugore. Hap pas hapi, dhe sa herë që paraqiten mundësitë, Kremlini është i gatshëm të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion, për të rifituar atë që e konsideron territorin të vetin. Putini mund të mos ketë një plan të dejatuar për restaurimin perandorak, por ai padyshim ka një prirje të qëndrueshme për të bërë përparime perandorake, sa herë që rreziku është i përballueshëm, si në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë në 2014-ën.

Pra, çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga e kaluara? Së pari, imperializmi rus ka lulëzuar vetëm kur Evropa dhe Perëndimi kanë qenë të ndarë. Ky qe rasti kur Hitleri dhe Stalini nënshkruan paktin e tyre të mossulmimit në vitin 1939, dhe kur Napoleoni dhe Cari Aleksandër bënë diçka të ngjashme në vitin 1807. Dhe sigurisht s’duhet të harrojmë Konferencën e Jaltës në vitin 1945.

Zgjerimi i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke përfshirë vendet evropiano-qëndrore dhe balltike, ka qenë thelbësor për sigurinë evropiane. Në çdo lloj skenari tjetër, ne ndoshta do të  qemë mbërthyer tashmë në një luftë thellësisht të rrezikshme për pushtet, me një Rusi revanshiste që pretendon të rimarrë atë që ka humbur.

Shembja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe Revolucioni Rus i 1917-ës, riformësoi politikën rajonale dhe globale. Menjëherë pas secilës ngjarjeje, Rusia ka dëshmuar paaftësinë e saj historike për të ndërtuar marrëdhënie të harmonishme me vendet përgjatë periferisë së vet; dhe në periudhat e ndërmjetme, ajo ka vepruar në bazë të ambicjeve të saj perandorake, në kurriz të këtyre vendeve.

Por Rusia do të ndryshojë qasje, vetëm nëse Perëndimi vijon të mbështesë me forcë pavarësinë e këtyre vendeve gjatë një periudhë të gjatë kohore. Përfundimisht, Rusia do të kuptojë se është në interesin e saj afatgjatë të shkëputet nga modeli i saj historik, të përqëndrohet në zhvillimin e saj të brendshëm, dhe të ndërtojë marrëdhënie paqësore dhe të respektuara me fqinjët e saj.

Ne sigurisht nuk jemi ende në atë pikë, por kjo nuk është një arsye për t’u dorëzuar, apo hedhur poshtë leksionet e historisë. Ne kemi nevojë për një Rusi të qëndrueshme, të begatë dhe paqësore. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes ndihmës së vendosur për pavarësinë dhe sovranitetin e të gjithë fqinjëve të saj.

Sjellë në shqip dhe botuar nga www.bota.al me miratimin e Project Syndicate. Ribotimi mund të bëhet vetëm me miratim nga Project Syndicate

Leave a Reply

Back to top button