BotaMAIN

Inteligjenca Artificiale është tashmë fushëbetejë e superfuqive

DeepSeek përmbysi gjithçka. Inteligjenca artificiale nuk është më thjesht një objekt i betejave mes kompanive gjigande në Silicon Valley. Asgjë nuk do të jetë më si më parë

DeepSeek duket se po sfidon besimin që zhvillimi i Inteligjencës Artificiale kërkon investime gjigante, fuqi të jashtëzakonshme llogaritëse të vendosura në qendra të mëdha të dhënash që konsumojnë shumë energji, dhe se është një garë që do të fitohet në Amerikë.

Sa inteligjente është AI në ditët e sotme? Mesa duket, jo aq sa duhet për të vënë re një konkurrent kinez që doli nga hiçi.

Asistenti i DeepSeek, i zhvilluar në Kinë nga sipërmarrësi i një fondi investimesh, Liang Wengfeng, si një projekt dytësor – me synim, sipas tij, vetëm për kërkime – ka shkaktuar tronditje në industrinë e teknologjisë.

Versioni i tij më i fundit, i cili u shfaq në App Store të Apple dhe në Google Play një javë më parë, ka demonstruar aftësi të barabarta me konkurrentët e tij të njohur dhe shumë më të kushtueshëm, si ChatGPT i OpenAI.

Sipas një punimi shkencor të publikuar vitin e kaluar, DeepSeek u zhvillua duke përdorur vetëm çipa Nvidia me “kapacitet të kufizuar”, pasi teknologjia më e avancuar është e ndaluar në Kinë nga SHBA-ja, që nga viti 2022, përmes kontrolleve të eksportit. Kostoja e zhvillimit të tij? Vetëm 5.6 milionë dollarë.

Suksesi i DeepSeek përbën një sfidë themelore ndaj idesë se zhvillimi i IA kërkon investime të mëdha dhe infrastrukturë të fuqishme llogaritëse.

Gara nuk është më vetëm mes kompanive teknologjike amerikane – por mes superfuqive.

Javën e kaluar, Donald Trump shpalli një projekt investimi prej 500 miliardë dollarësh, ku përfshihen 100 miliardë dollarë nga OpenAI. Google, Meta, Microsoft dhe Elon Musk janë gjithashtu në garë për të zbuluar “Graal-in e Shenjtë” të inteligjencës artificiale të përgjithshme – koncepti teorik i një makinerie që mund të mësojë dhe të kuptojë çdo detyrë intelektuale si të ishte njeri.

Por tani, kjo nuk është më vetëm një garë mes miliarderëve të Silicon Valley, por një betejë mes superfuqive.

Tregjet financiare e ndjenë menjëherë tronditjen.

Nasdaq, tregu i teknologjisë, ra me 3%, duke humbur 1 trilion dollarë.

Nvidia, e cila deri dje ishte kompania më e madhe në botë, pësoi një rënie prej 17%, duke humbur 600 miliardë dollarë nga vlera e saj.

Alphabet (Google) humbi 100 miliardë, ndërsa Microsoft, që zotëron një pjesë të OpenAI, ra me 7 miliardë.

Këto humbje masive nuk kanë të bëjnë vetëm me konkurrencën e DeepSeek, por edhe me ankthin e investitorëve për të qenë në anën e duhur të asaj që mund të jetë teknologjia më e rëndësishme, që nga shpikja e elektricitetit.

Dihet që IA do të ndryshojë botën, por askush nuk mund të thotë me saktësi si, kur apo në çfarë forme.

Dilemat mbi DeepSeek dhe ndikimi i teknologjisë kineze

Ende ka shumë gjëra që nuk i dimë për DeepSeek. Për shembull, a është realisht e besueshme kostoja e zhvillimit prej vetëm 5.6 milionë dollarësh?

Gjithashtu, ndërkohë që modelet amerikane të IA shpesh “haluçinojnë” – pra, shpikin informacione – DeepSeek duket se ka një kujtesë të “zgjedhur”. Nëse e pyet për Sheshin Tiananmen apo për çështje të tjera të ndaluara në Kinë, ai nuk mund të ndihmojë.

Kjo ngre shqetësime më të gjera për ndikimin e teknologjisë kineze, të cilat kanë bërë që autoritetet amerikane të kërkojnë ndalimin e TikTok dhe qeveria britanike të urdhërojë heqjen e teknologjisë Huawei nga rrjetet e komunikimit.

Për momentin, përdoruesit duket se nuk shqetësohen për këto dilema. DeepSeek është aplikacioni më i shkarkuar në App Store të Apple këtë javë.

A është ky fillimi i një epoke të re në Inteligjencën Artificiale? Një gjë është e sigurt: asgjë nuk do të jetë më si më parë. / bota.al

Back to top button