Parimet demokratike po vihen në pikëpyetje, nacionalizmi është kthyer dhe Bashkimi Europian është jofunksional. Por problemi më i madh i Europës është zhdukja e një partneri të barabartë për Gjermaninë, thotë Dominique Moïsi.
A është aq e izoluar sa raportohet Kancelarja Anxhela Merkel?
Thënë me një fjalë: po. Anxhela Merkel është e izoluar në Europë dhe kjo demonstron meskinitetin e Europës dhe mungesën e vizionit të saj. Merkel ka të drejtë, por ajo është e vetme në pasjen të drejtë. Ky është një problem për Europën.
Kancelarja Merkel po e menaxhon krizën e emigracionit në një mënyrë që është tipike për të dhe për Bashkimin Europian: nëpërmjet krjimit hap pas hapi të konsensusit. Do t’ia dalë me sukses?
Ekziston një shkëputje totale midis, si të thuash, “kalendarit refugjat” dhe kalendarit të Bashkimit Europian. Bota shikon mjerimin e refugjatëve ndërkohë që Europa vazhdon të lëvizë me ritmin e saj. Për të përdorur analogjinë e Kostandinopojës në vitin 1453, është një çikë si të diskutosh gjininë e engjëjve kur perandoria është duke rënë. Ky është një problem i madh. Një politikë e hapave të vogla dhe e gjetjes së konsensusit është mirë për të diskutuar kuotat bujqësore apo ndihmën financiare për Greqinë, por tani njerëzit po vdesin në të ftohtë. Ky është një nivel tërësisht ndryshe i urgjencës njerëzore.
Mos vallë po dëshmojmë limitet e të gjithë projektit europian? Nëqoftëse njeriu shikon në sjelljen e të ashtuquajturave shtete të Vishegradit, sidomos Hungarinë, ai mund të arrijë në konkluzionin se fuqitë transformuese të Bashkimit Europian ndoshta qenë mbivlerësuar. Apo dëshmojmë tërheqjen e ngadaltë e demokracisë liberale?
Mendoj se tri gjëra po bëhen bashkë këtu. E para është përhapja e demokracisë dhe, me të, vënia e pikëpyetjeve për to. Sot ka në botë më shumë demokraci sesa kurrë më parë dhe parimet demokratike po vihen në pikëpyetje më shumë se kurrë. Simptoma e parë e kësaj – rritja e populizmit – nuk prek vetëm Europën, por edhe Shtetet e Bashkuara. Elementi i dytë është rikthimi i kombeve dhe i nacionalizmit me një ndjenjë hakmarrjeje. Francezët ndjehen francezë kur sulmohen nga Daesh-i. Ata nuk ndjehen europianë dhe kjo ka mundësi që është e vërtetë për të gjitha vendet europiane. Britanikët ndoshta mund të jenë duke e lënë Bashkimin Europian, në fund të fundit nuk janë ndjerë kurrë europianë. Kjo të çon në elementin e tretë: natyrën dialektike të procesit. Sa më shuë Europa dështon që bëjë, aq më shumë njerëz kthehen tek kombet e tyre. Pse duhet të ndjehen të përfaqësuar nga ky entitet disfunksional? Sipas mendimit tim, ky është thelbi i problemit. Njerëzit nuk ndjehen më krenarë të jenë europianë.
Si do ta ndryshonit një gjë të tillë? Duke e bërë Europën më aktive apo edhe më proaktive?
Nuk jam i sigurtë nëse ky është një problem institucional, megjithëse lëvizja në një Europë me 28 shtete dukshëm që e ka bërë problemin më keq. Kjo i ka bërë njerëzit të kuptojnë se praktikat e vjetra nuk funksionojnë më. Në të njëjtën kohë kemi përçarjet midis veriut dhe jugut – midis vendeve me ekonomi të suksesshme dhe me ekonomi të dobëta. Gjithashtu, kemi përçarjen midis Europë perëndimore dhe lindore – midis vendeve me kultura demokratike të vendosura prej kohësh dhe atyre mbrujtja e të cilëve me parimet demokratike ndodhi vonë dhe ndoshta qenë deridiku sipërfaqësore. Por besoj se politika është përgjigja dhe kjo na kthen prapa tek demokracia. Një prej faktorëve kyç është se binomi franko – gjerman nuk është më funksional, jo vetëm pse Gjermania është bërë shumë e madhe, por sepse Franca është bërë shumë e vogël. Gjatë 20 viteve të fundit asnjë President francez nuk ka qenë rival i denjë për një Kancelar gjerman. A mundemi ne francezët të zgjedhim dikë që do të ishte i barabartë me një Kancelar gjerman, të rivendosim marrëdhënien franko – gjermane dhe të rikrijojmë ndonjë lloj dinamizmi me Europën? Pranvera e 2017 – kur francezët do të zgjedhin presidentin e tyre të ardhshëm – do të jetë një moment kyç për Europën.
Çfarë lloj kandidati keni në mendje?
Dikë me një personalitet të fuqishëm, dikë serioz, me peshë. Dikë që nuk e ka nevojën e rizgjedhjes për një mandat të dytë. Me pak fjalë: Alain Juppé. A mund ta bëjë ai? Shpresoj, por nuk jam i sigurtë. Kur shikon situatën europiane nga Parisi, unë shikoj boshllëk. Merkeli nuk duhet të jetë e vetmja që i del për zot moralitetit dhe parimeve të Europës. U ndjeva i turpëruar kur dëgjova Kryeministrin francez Manuel Valls që denonconte në Munih politikat e refugjatëve të Merkelit. Gjithashtu nuk jam krenar kur dëgjoj presidentin francez të thotë se Franca do të pranojë 30000 azilkërkues. Një gjë absolutisht qesharake kur mendon për numrin e njerëzve që shkuan në Gjermani vitin e fundit.
A është gjithashtu problem fakti që vendet europiane janë të zhytur në debatet e tyre kombëtare respektive? Franca është goditur shumë rëndë nga terrorizmi; Italia është akoma e traumatizuar nga gabimi i votimit tri herë të Berlusconi; Gjermania po ka aktualisht një debat thellësisht polarizues lidhur me krizën e refugjatëve …
Mendoj se keni të drejtë. Ne jemi të obsesionuar me debatet tona kombëtare dhe shikojmë nga Europa për të denoncuar paralizën e saj. Në një farë mënyre, kjo i shtohet imoralitetit të debatit kombëtar – një lloj procesi dialektik negativ, që qëndron mu në zemrën e asaj çka po diskutojmë. Ne nuk ndjehemi mirë si francezë dhe Europa na ofron një imazh, një pasqyrë reflektimi të dobësisë tonë. Ishte një kohë kur ishim të paktën relevantë, edhe pse jo mirë shumë, ama nuk jemi më të tillë. Kështu që ekziston një ndjesi se është Gjermania ajo që merr vendimet, ajo ndjesia se Gjermania vendos. Por sigurisht që nuk është Gjermania ajo që po vendos, është Franca ajo që po mungon.
… në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia po shikojnë gjithnjë e më shumë brenda vetes, në vend që të mendojnë sesi mund të funksiononte motori franko – britaniko – polako gjerman i Bashkimit Europian.
Kur Ministri i Jashtëm i atëhershëm polak Radek Sikorski mbajti fjalimin e tij në Humboldt University më 2011, ekzistonte shansi për “Klubin e Katërshes”, por erdhi e u zëvendësua nga “Klubi i Njërit”, që realisht nuk mund të funksionojë, dhe Berlini vetë nuk do të donte ta mbante i vetëm barrën e kësaj përgjegjësise.
Dikur Parisi ishte mjaft ambicioz, jo vetëm në termat e integrimit europian në përgjithësi, por edhe për aleancën franko – gjermane. Pse u humb ky momentum?
Lidershipi dhe mungesa e tij. Presidenti Nicolas Sarkozy ishte energjik, por dështoi që të kuptonte rëndësinë parësore e marrëdhënies franko – gjermane. Ai e nisi iniciativën e tij të Unionit për Mesdheut pa e konsultuar fare Berlinin. Kujtoj ish Presidentin gjerman Richard von Ëeizsäcker të vinte në Paris duke turfulluar: “Si mund ta bëjë një gjë të tillë? Kurrë nuk jemi ndjerë kaq të poshtëruar” etj. Dhe pastaj ne lëvizëm nga një president karizmatik, por problematik, në një president që shullëhet në mediokritetin e tij, një takticien i aftë, por pa vizion apo seriozitet. Për pasojë, reformat nuk u bënë dhe francezët janë të obsesionuar pas krahasimit me Gjermaninë. Duhet të dalim nga kjo spirale negative. Po, le të mos harrojmë për problemin e Polonisë, problemin e Mbretërisë së Bashkuar, problemin e Italisë, problemin e Spanjës e të tjera. Por pa dashur të dukem narcizist, për Europën, dimensioni franko – gjerman është jetik. Në të kaluarën, kur të dyja vendet binin dakord, ju mund të shpresonit se diçka do të ndodhte. Por tani ata nuk po luajnë më në të njëjtën kategori. Ekziston një probabilitet 50 me 50 që Mbretëria e Bashkuara ta lërë Bashkimin Europian dhe kjo do të ishte shumë eq për Bashkimin Europian dhe imazhin e tij në botë. Edhe Polonia mund të rrëshqasë në mënyrë permanente në populizëm, që edhe kjo nuk do të ishte aspak një gjë e mirë…
… atëhere edhe Marine Le Pen fiton presidencën franceze në 2017!
Ka pak të ngjarë, por po sikur një seri tjetër sulmesh terroriste godet Francën? Kështu siç janë gjërat sot, nuk mendoj se Le Pen mund të fitojë, por nëqoftëse shkon ndonjë gjë tmerrësisht keq nga tani në pranverën e 2017, nuk mund ta përjashtoni një gjë të tillë.
(Burimi: Berlin Policy Journal)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / www.bota.al