Bota

Intervista / Falcones: U godit qyteti i të gjithëve, nga xhihadistët s’ka mbrojtje

Barcelona e tij, qyteti ku jeton dhe që rrëfen prej dhjetë vitesh në librat e tij bestseller, është shpesh një vend mizor, i padrejtë, i pamëshirshëm, siç mund të ketë qenë në epokën mesjetare apo në kohën e Inkuizicionit, mes hakmarrjeve mizore dhe dhunës çnjerëzore, por për të folur mbi terroristët që dje vunë në shënjestër turistët në Ramblas, Illdefonso Falcones, shkrimtar me miliona libra të shitur, nuk arrin të gjejë fjalë që i ngjajnë mjaftueshëm të forta. “Vrasës pa shpirt, mal nacidos”, që pak a shumë përkthehet “bij kurvash”. Autori i “Katedralja e detit”, një sukses i menjëhershëm, i pasuar nga “Trashëgimtarët e Tokës” nuk duket gjithësesi i befasuar nga atentati që rikthehet të përgjakë Spanjën, 13 vjet pas sulmit terrorist në stacionin e Atochas në Madrid.

“Anglia, Franca, Belgjika, Gjermania: përse të mos sulmojnë edhe Spanjën përsëri? – përgjigjet ai nga Sitges, një vend pranë detit në jug të barcelonës. Duhej ta prisnim. Barcelona nuk është vetëm vendlindja ime, është qyteti i të gjithëve. Këta palo njerëz kanë zgjedhur qytetin më të njohur të botës, më të frekuentuar nga turistët. Eshtë pika më turistike: Ramblas, një simbol brenda simbolit. Më i njohuri, si Tour Eiffel në Paris”.

Në Francë, pak ditë më parë, u vunë në shënjestër ushtarakë: në Ramblas dje kishte vetëm familje, të rinj dhe fëmijë.

“Këtyre vrasësve, pak u bëhet vonë për fëmijët. Në të vërtetë, ata ndoshta ndihen më të kënaqur nëse ka fëmijë mes viktimave. Edhe në Nisë, a nuk kishte familje në shëtitje që u vunë në shënjestër? Këta xhihadistë nuk kanë shpirt, për ta është njësoj. Terrorizmi islamik kështu funksionon: vret gratë, të moshuarit, fëmijët”.

Si i bëhet për t’i mbrojtur? Si mund të kontrollohet hyrja në një shëtitore të mbushur me njerëz që shëtisin?

“Nuk mundesh, padyshim. Nuk mund të blindosh rrugët, nuk mund të mbyllësh Parisin, Londrën, Milanon ose Barcelonën. Eshtë problemi i Perëndimit: vetëm pak, një kamion, mjafton për të bërë një masakër. Nuk ka zgjidhje. Në Spanjë kemi pasur vite të tëra terrorizëm me ETA-n, por ishte ndryshe. Terroristët e ETA-s vepronin kur ishin të sigurt se kishin një rrugëdalje dhe shanse të mira për të ikur. Xhihadistët duan të vdesin. Ata nuk janë të frikësuar. Prandaj, kundër këtij lloj sulmi, i cili nuk kërkon ndonjë lloj logjistike apo përgatitjeje, pak mund të bësh dhe vetë policia është e pafuqishme”.

E megjithatë, Spanja është më pak e angazhuar ushtarakisht në territore si Siria dhe Iraku, në krahasim me Francën apo SHBA.

“Edhe këtu ka shumë fundamentalistë dhe shumë arrestime janë bërë kohët e fundit. Spanja nuk është e lirë nga xhihadizmi. Përshtypja ime, megjithatë, është se këtyre bij kurvash, pak u intereson se ku e mbjellin terrorin: në Finlandë, në Norvegji, në Spanjë apo në Itali. Ata nuk kanë preferenca. Barcelona është sigurisht një simbol i llojit të jetës perëndimore që ata e urrejnë, pasi urrejnë për të njëjtat arsye Parisin apo Londrën. Për fat të keq, unë nuk shoh një zgjidhje. Tani është goditur Barcelona, nesër mund të ndodhë diku tjetër. Në çdo qytet tjetër. Dhe nëse Barcelona krijon një emocion të veçantë në opinionin publik botëror, le të mos harrojmë se vdekja është një tragjedi kudo dhe të vdekurit janë të gjithë njësoj”. / Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button