Bota

INTERVISTA / Ja pse njerëzit votojnë Donald Trumpin

Shkrimtari Jonathan Safran Foer: “Kush voton Trump nuk është një popull fanatikësh apo injorantësh. Në pjesën më të madhe janë njerëz të frustruar, të dekurajuar, që kanë humbur mundësinë e daljes nga kufijtë e klasës shoqërore përkatëse”

screen-shot-2016-11-08-at-19-15-54

«Ka shumë gjëra që i kam gjetur të rënda dhe të shpifura në fushatën e Donald Trump: tallja e një hendikapati, duke i imituar difektet trupore, gjërat e tmerrshme që ka thënë për gratë, emigrantët hispanikë, myslimanët. Por ajo që ma ka fyer më shumë është përbuzja e tij konstante dhe e pafytyrë ndaj së vërtetës. Një raport totalisht rastësor me realitetin e fakteve, që sipas konveniencave mund edhe të injorohet totalisht. Një metodë që kandidati ia ka propozuar si model edhe popullit të tij: një helmim të vërtetë të ndërgjegjeve».

Jonathan Safran Foer, i impenjuar këto ditë në një tur amerikan për promovimin e romanit të tij të ri të titulluar «Here I am», rrëfen nga Detroit indinjatën e tij për mënyrën sesi është zhvilluar fushata elektorale dhe, duke takuar njerëz në çdo anë të vendit, rrëfen edhe frikërat e tij për pasojat që ulja e diskursit politik në nivele degradimi të papara ndonjëherë më parë mund të ketë në shoqërinë amerikane.

Trump ka përdorur një retorikë shkatërrimtare, por edhe Hillary, nga njëherë, ka dhënë versione jo të vërteta të fakteve, si për shembull lidhur me «Emailgate».

«Edhe ajo ka bërë gabimet e saj, sigurisht, por të dy janë në plane të ndryshme. Ajo ka kërkuar nganjëherë që ta paraqesë një fakt në mënyrë të favorshme, por në fushatë, në përballimin e problemeve të Amerikës dhe të botës, është ndeshur me realitetin. Ka treguar respekt për të vërtetën, trump jo. Nuk është kufizuar në gënjeshtrat e veçanta: ka dizajnuar një botë imagjinare dhe ka pretenduar që t’i bëjë amerikanët të besojnë se ky është realiteti: është kjo që më fyen më shumë».

Përçmimi juaj u shkon edhe votuesve të Trump apo mendoni se mëria e tyre është e kuptueshme?

«Nuk mendoj aspak se ata që votojnë janë një popull fanatikësh apo injorantësh. Në pjesën më të madhe janë njerëz të frustruar, të dekurajuar, që e kanë parë ëndrrën amerikane tu davaritet përpara syve. Unë e kuptoj fare mirë pasi familja ime është materializimi i kësaj ëndrre: nëna ime ka lindur në Europë, në një “displaced person camp” (kampet e krijuara pasLuftën e Dytë Botërore për të pritur përkohësisht refugjatët, sidomos të mbiejtuarit e kampeve të shfarosjes naziste). Erdhi në Amerikë e vogël, nuk dinte asnjë fjalë në anglisht. Pak e nga pak, ka arritur të ngrejë dyqanin e saj të artikujve ushqimorë, ka arritur një nivel sigurie ekonomike të caktuar, u ka dhënë fëmijëve të saj një arsim me cilësi të mirë në shkollat publike. Ja ëndrra amerikane: parimi i mundësive të barabarta, të gjithë njerëzit e krijuar njëlloj dhe e drejta e ndjekjes së lumturisë që gjejnë prova konkrete. Por sot për pjesën më të madhe e amerikanëve të rinj mundësia për t’u begatuar, për të dalë nga klasa sociale e vet, është zhdukur. Ëndrra amerikane ka vdekur, ka mbetur vetëm miti. Trump është personifikimi i frustrimit të kësaj Amerike. Ka qenë i aftë të bëhet referenti i të zhgënjyerve, por në vend që të propozojë zgjidhje, ka ushqyer vetëm më tej zemërimin».

Sido që të jetë, cili do të jetë efekt Trump mbi shoqërinë amerikane?

«Degradimi i diskursit politik, barabarizimi i debatit, zëvendësimi i arsyetimeve me thashethemnajën e pastër të finalizuar për të tërhequr do të prodhojnë dëme të përhershme. Nën goditjet e Trump, fjala ka humbur peshë, domethënie. Nuk ka vlerë ajo që thuhet, mjafton të ngrihet volumi. Dikur fushatat elektorale qenë një konfrontim midis projektesh, propozimesh për reforma, vizionesh të ndryshme të botës. Kush bënte politikë mund të kishte interesa, por mendonte edhe se mund ta bënte botën një vend më të mirë. Ekzistonte një komponente etike, detyrimesh civile, në politikë. Të gjitha gjërat që janë zbehur gjatë viteve të fundit, votim pas votimesh. Tani janë zhdukur deri në një fushatë që ka qenë vetëm një “popularity contest”, një garë popullariteti. Nuk ka rëndësi se çfarë u thuhet njerëzve, por sa njerëz shkojnë në mitingje dhe “kapen” përpara ekranit».

Do të ndryshojnë ndjeshmëria dhe sjellja e njerëzve? Për shembull, Trump e ka «zhdoganuar» evazionin fiskal, duke i quajtur brilante manovrat që ka përdorur për të mos paguar taksat.

«Po, por masa e ndryshimit do të varet nga vota: historinë e shkruajnë fitimtarët. Nëqoftëse fiton Hillary, dinakëritë e The Donald do të jenë ato të një njeriu që ka dështuar. Nëse fiton Trump, do të jetë ai që do të na përqeshë ne dhe rruga drejt fundit nuk do të ketë mbarim».

Ka që kanë frikën e trazirave në rast të një humbjeje të saj: vetë ai ka refuzuar që të impenjohet në njohjen e legjitimitetit të votës.

«Nëqoftëse Trump humb, nuk besoj se do të ushqejë trazirat. Gjithsesi, është një biznesmen me një brend për të mbojtur. Nëqoftëse bën thirrje për rebelim, gjithsesi nuk do të bëhet President dhe do ta dëmtojë brendin e tij, përveçse të rrezikojë përfundimin në burg. Nuk duhet harruar dhe unë e di mirë se rezultati i mirë i bizneseve të tij varet edhe nga një qëndrim disponibël ose të paktën tolerant ndaj tij të banorëve nga zonat e mëdha metropolitane».

 Si shkrimtar romanesh, si e interpretoni atë që po del nga FBI-ja?

«Një luftë e brendshme midis fraksionesh të policisë federale dhe midis qeverisë e FBI-së. Me shefin e kësaj të fundit, James Comey, që ka kryer një vetëvrasje profesionale në kuptimin e vërtetë të fjalës».

(Massimo Gaggi për “Corriere della Sera”)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button