Bota

Intervista / Si mund të shmanget fillimi i një Luftë të re të Ftohtë

Screen Shot 2015-10-24 at 10.43.44

Nga Jeanne Park

Zv/Drejtore në “Council of Foreign Affairs”

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në luftën civile siriane, i ka shtuar një dimension të ri raportit NATO-Rusi, që tashmë është në pikën më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Për Dimitri Simes, president i qendrës “National Interest”, konfliktet e pashuara në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, kanë potencial të shkallëzohen në tej në rast se fuqitë perëndimore nuk arrijnë të rishikojnë strategjinë e tyre për të reaguar ndaj Rusisë. “Shumë njerëz e nënvlerësojnë se sa serioz është kërcënimi, por po ashtu nënvlerësojnë edhe fuqinë tonë për ta trajtuar situatën, pa cënuar interesat e vërteta amerikane në këtë proces”- thotë ai.

A po hyjnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia në një tjetër Luftë të Ftohtë mes tyre?

Historia nuk e përsërit asnjëherë tërësisht vetveten. Dhe natyrisht ju mund të shihni dallime të mëdha, ndërmjet asaj që po ndodh tani, dhe Luftës së Ftohtë në të shkuarën: Rusia nuk është më një superfuqi në shkallë të plotë, nuk drejton një aleancë si Pakti i Varshavës, dhe as aleatë të vërtetë në Evropë, sigurisht jo më Evropën Qëndrore apo Lindore (as Bjellorusia nuk është një aleate tërësisht e besueshme ndaj Rusisë).

Një tjetër ndryshim, është se gjatë Luftës së Ftohtë supozohej gjerësisht, se blloku sovjetik zotëronte forca konvencionale superiore, duke përfshirë edhe në Evropën Qëndrore, dhe për pasojë NATO mbështetej tek frikësimi me armët bërthamore. Sot situata është e kundërt:NATO mendohet se ka një epërsi të konsiderueshme konvencionale, dhe pretendimi i veçantë i Rusisë për statusin e superfuqisë, mbështetet tek arsenali bërthamor.

Thënë këto, është gjithashtu e qartë se një nivel mosbesimi i ndërsjellë midis Perëndimit dhe Rusisë, është po aq apo më i lartë sesa gjatë ditëve më të vështira të Luftës së Ftohtë. Është ndërkaq e qartë se ekziston një nivel i armiqësisë personale ndërmjet liderëve rusë dhe amerikanë, dhe në fakt edhe midis liderëve rusë dhe disa krerëve evropiane, diçka që nuk është hasur gjatë Luftës së Ftohtë.

Në vitet ‘80, kishte nga të gjitha llojet e lojrave të luftës në Uashington, dhe unë kam qenë pjesë e disa prej tyre. Asokohe ka pasur dyshime të forta mbi qëllimet e sovjetikëve, por shumica e pjesëmarrësve në ato lojëra, kishin një interes të fortë në menaxhimin e situatës, lokalizimin e saj, për të mos e lejuar të dilte jashtë kontrollit.

Këtë herë, Rusia po luan për shumë më tepër, pasi NATO është tekstualisht në pragun e derës. Këtë here, Moska nuk ka të luajë vetëm me anëtarët evropianë të NATO-s, të cilët dikur donin vetëm të mbronin veten, por nuk kishin pretendime të veçanta mbi Rusinë. 

Tashmë kemi shumë anëtarë të rinj të NATO-s, disa në kufi me Rusinë, dhe që ndihen shumë të fuqishëm në raport me Rusinë e për pasojë sillen shumë ndryshe nga sa vepronin dikur fqinjët e Rusisë, si për shembull Finlanda. Ne shohnim që anëtarët e rinj, po e aktivizojnë NATO-n kundër Rusisë. Dhe e gjitha kjo krijon një alkimi shumë shpërthyese, sidomos në anën e Rusisë.

Vendet e Balltikut, mbeten në gatishmëri të lartë pas aneksimit rus të Krimesë në vitin 2014. A është frika e tyre  ndaj një inkursion rus e kushtëzuar, nga armëpushimi aktual në Ukrainën lindore?

Para së gjithash, ka një armëpushim në Ukrainë, por pjesa politike e marrëveshjes së Minskut, është duke u injoruar gjerësisht nga të dyja palët. Ukrainasit nuk kanë treguar ndonjë gatishmëri të madhe për t’iu përmbajtur angazhimeve të marra, dhe SHBA-ja nuk është gati të ushtrojë presion ndaj ukrainasve.

Rusët janë duke e bërë shumë të qartë, se nuk do të bëjnë lëshime themelore, pa parë ndryshime të mëdha në qeverisjen ukrainase.

Ukraina po bllokon zonat separatiste, ndërsa këto të fundit po integrohen përditë e më tepër me Rusinë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Pra, nuk është një konflikt që duket të jetë në rrugën e çdo lloj zgjidhjeje politike. Unë mendoj se gjëra dot të përkeqësohem, para se të normalizohen.

Shtetet balltike, kanë absolutisht të drejtë të ndjehen të shqetësuara ndaj kërcënimit rus. Por ata duhet të ndjehen edhe të brengosur, për shkak se ata janë më të zëshëmit brenda NATO-s që kundështojnë veprimet e Rusisë. Dhe ky është një rol i shquar për fqinjët e vegjel të Moskës.

Duke e shfaqur hapur kaq armiqësorë ndaj Rusisë, ata po e ekspozojnë në mënyrë të pashmangshme veten ndaj hakmarrjes ruse. Dhe për shkak se mendojnë se janë të mbrojtur nga Neni 5 i statutit të NATO-s, 3 vendet e Balltikut veprojnë shpesh në një mënyrë të tillë, sikur të kishin ndjesinë e mosndëshkimit.

Kjo bën që disa eksponentë të lartë në qeverinë ruse, të joshen të sfidojnë Nenin 5 për të dëshmuar se sistemi i sigurisë së NATO-s është i brishtë, duke përzgjedhur një ose dy shtete balltike për t’i ndëshkuar.

Aktualisht kjo nuk është politika zyrtare e Rusisë. Qeveria ruse e ka mohuar vazhdimisht të ketë ndonjë interes për agresion kundër shteteve baltike. Por në rast se ju flisni me zyrtarët rusë, disa prej tyre besojnë se Rusia është duke u rrethuar, dhe kërcënohet me destabilizimin e brendshëm. Dhe ata thonë se e vetmja mënyrë që mund të mbrojnë veten e tyre, është të tregojnë forcën dhe vendosmërinë e tyre, në mënyrën më dramatike të mundshme.

Për më tepër, ndërsa shumë vetë në lidershipin rus mendojnë se Presidenti Obama ka qenë mjaft agresiv dhe i pandjeshëm ndaj shqetësimeve të tyre të ligjshme, ata nuk besojnë se ai do të guxojë të përdorë forcën bërthamore kundër Rusisë, për të mbrojtur Rigan apo Talinin.

A synon përfshirja e Rusisë në konfliktin sirian, të rrisë mbështetjen e presidentit Putin në vendin e tij? Apo ai ka objektiva reale strategjike në mendje?

Unë nuk e di se cilat janë objektivat strategjike të Putinit, apo nëse qeveria e tij ka një strategji të mirë-menduar. Shqetësimi im është se kemi dy fuqi të mëdha, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, të cilat po bëhen reaktive, taktike, dhe reaguese ndaj ndikimeve të brendshme.

Ndërkohë ka një element interesant në lojën e Putinit:qasjet e tij diplomatike ndaj Shteteve të Bashkuara, për të koordinuar objektivat e për të folur për një qeveri të mundshme të tranzicionit në Siri. Ata janë disi të zhgënjyer por dhe të befasuar, që pasi treguan forcën dhe vendosmërinë e tyre, nuk po ftohen ende në të njëjtën tryezë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Shpresa e Putinit ishte se pas kësaj lëvizjeje të guximshme, do të ftohej për një dialog diplomatik. Dhe tanimë që kjo nuk po ndodh, Moska ndihet disi e humbur. Unë perceptoj elementë të frustrimit dhe konfuzionit në Kremlin, se si duhet të merret me këtë situatë.

A ka marrë anë Putini në luftërat sunite-shiite në Lindjen e Mesme? Dhe a e bën përfshirja e tij në Siri më të ndjeshëm ndaj reagimeve të ashpra nga popullata myslimane e Rusisë?

Nuk mund të them nëse ai rrezikon një reagim të tillë nga popullata e tij myslimane, e cila duket të jetë kryesisht i kënaqur. Dhe Putini është duke bërë një përpjekje të madhe, për të kultivuar një klimë pozitive ndaj këtij komuniteti. Ai gjithashtu nuk ka më luksin për alienuar ndonjë vend tjetër, i cili është i gatshëm për të bashkëpunuar me Rusinë.

Dhe nëse ky perceptim që Moska ka për Teheranin funksionon, nuk do të ketë kosto të rënda jo vetëm në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por me fqinjët e Sirisë si Turqia dhe Jordania, apo dhe ndonjë vend tjetër, që kërkon të jetë mjaft miqësor me Rusinë si Egjipti. Ky i fundit është një konsumator i madh i armëve ruse. Humbja e marrëveshjes fitimprurëse të gazit me Turqisë dhe blerjeve ushtarake të Egjiptit, do të ishin shumë të kushtueshme për Rusinë. Pra, Putini do të duhet të bëjë disa zgjedhje të vështira.

Mendoni se ndërhyrja e tij në Siri është motivuar nga fakti, se në një periudhë afatshkurtër kaosi në Lindjen e Mesme do të shtynte edhe më shumë emigrantë drejt Evropës, duke destabilizuar kësisoj Bashkimin Europian?

Nuk shoh ndonjë dëshmi të tillë për momentin. Shumica e emigrimit po ndodhte gjithsesi. Por shqetësimi është legjitim, dhe gjithçka duhet mbajtur nën vëzhgim. Në lidhje me krizën e emigracionit në Evropës ne duhet të mos humbim vëmendjen edhe ndaj zhvillimeve në Ukrainë.

Sepse nëse flasim për një përshkallëzim të tensioneve NATO-Rusi, duhet të mendojmë për një shumëllojshmëri skenarësh. Le të imagjinojmë se ndërhyrja në Siri nuk funksionon veçanërisht mirë për Putinin. Nëse nuk ka lehtësim nga sanksionet, dhe ai mund të ndjejë nevojën për të bërë diçka në frontin ukrainas.

Në qeverinë ruse, ka njerëz që thonë se në qoftë se Shtetet e Bashkuara do të furnizojnë me armë qeverinë ukrainase, dhe nëse kjo e fundit përpiqet të zgjidhë me forcë konfliktin në rajonin e Donbasit në lindje të vendit, atëherë Rusia nuk ka zgjidhje tjetër veçse sulmit ndaj të gjithë Ukrainqës, çka do të dërgonte 3-5 milionë refugjatë drejt Evropës. Nuk ka asnjë plan të tillë në Moskë, të paktën për aq sa unë jam në dijeni. Por ka biseda dhe joshje drejt këtij skenari.

Çfarë e shtyn Putinin të rrisë shpenzimet e mbrojtjes gjatë një recesioni?

Në qoftë se ju flisni me rusët- dhe jo vetëm në nivel drejtuesish – do të vini re se ata kanë një dëshirë të fortë për t’u marrë seriozisht. Tani për tani, ekziston një ndjenjë në Moskë, se ata nuk po trajtohen kështu. Nuk është vetëm çështje e krenarisë së tyre të plagosur, por edhe e implikimeve praktike, për shkak se ata ndjejnë se nuk po trajtohen në mënyrë të drejtë. Dhe mendojnë se nëse nuk rezistojnë për një kohë të gjatë, mund të kenë pasoja shumë serioze dhe të rrezikshme.

Prandaj, ka një tundim nga ana e tyre për t’u dhënë përparësi shpenzimeve ushtarake, dhe ndërtuar një ushtri shumë të fuqishme, për të treguar se Rusia nuk mund të nëpërkëmbet. Dhe është shumë e qartë se Moska nuk ka ndonjë pretendim real për statusin e superfuqisë, pavarësisht nga forca e saj bërthamore. Për njerëzit rreth Putinit – dhe unë mendoj edhe vetë presidenti- tregimi i vendosmërisë për të bërë gjithçka që duhet për mbrojtjen e interesave ruse, nuk është vetëm një pjesë e një filozofie mbizotëruese, por nëse doni edhe një predispozicion emocional.

A mundet të ulë tensionet një traktat i ri për kontrollin e armëve?

Në këtë pikë nuk kanë lidhje traktatet e kontrollit të armëve, pasi kjo nuk është një çështje e të pasurit shumë armë, apo për të ditur kush zotëron çfarë. Përkundrazi, ne duhet të pyesim se çfarë lloj strategjie duam të kemi në përballjen me Rusinë. A kemi nevojë për një politikë, ku prioriteti ynë kryesor duhet të jetë moslejimi i Rusinë që të mbizotërojë në vende si Ukrainë apo Siria?

Apo duhet të kemi një strategji me një fushëpamje më të gjerë, ku të pyesim veten se për çfarë lloj marrëdhënie kemi nevojë të kemi me Rusinë, në kuadër të shumë prioriteteve tona të tjera, siç është Kina, dhe ndoshta një ndërhyrje më pak apokaliptike në një periudhë afatgjatë, për një problem shumë emergjent si terrorizmi ?

A duam të shqyrtojmë mundësinë e një marrëdhënie me Rusinë, e cila nuk do të bazohet në asnjë lloj aleance, por që nga ana tjetër do të krijonte kushte që do të na lejonin të mos përqëndrohemi tek  këmbëngulja e tepërt ruse, në kurriz të prioriteteve të tjera? Kjo janë disa nga çështjet më themelore për politikën e jashtme amerikane.

Pra si mund të ulim tensionin? A është shtimi i sanksioneve një presion shtesë?

Sanksionet qartazi do të funksionojnë, në drejtim të dëmtimit të ekonominë ruse. Është e vështirë të thuhet se sa, sepse ka shumë faktorë të tjerë të përfshirë, duke filluar me keqmenaxhimin ekonomik të vetë Rusisë, korrupsionin e shumëpërhapur, dhe natyrisht çmimet e ulëta të naftës. Por nuk ka dyshim se sanksionet, kanë  tashmë ndikim negativ në ekonominë ruse.

Pra, ne kemi dëmtuar ekonominë ruse, si dhe në disa aspekte të gjeopolitikës së saj. Nëse është ambicia jonë për të ndëshkuar Rusinë, në një farë mase jemi të sukseshshem. Nga ana tjetër, nëse objektivi ynë është zhvendosja e sjelljes së Moskës në drejtimin e dëshiruar, për ta bërë Rusinë më të moderuar dhe bashkëpunuese, atëherë ajo çfarë po shohim deri më tani, është mjaft kundërproduktive.

Ne po shohim që Putini është bërë shumë kërkues- disa thonë agresiv – duke vepruar në Siri, dhe bërë të qartë se është i përgatitur për të vepruar si një bandit global. Dhe shqetësimi im është kur kemi një situatë që përfshin fuqitë e mëdha, arsenalet bërthamore të jashtëzakonshme, dhe grupe me axhendat e tyre që nuk do ngurronin ta shfrytëzonin këtë konfrontim, atëhere shohim një përzierje shumë të rrezikshme. Shumë njerëz e nënvlerësojnë faktin se sa serioz është kërcënimi, por nënvlerësojnë ndërkaq edhe fuqinë tonë për të trajtuar situatën nga një kombinim i qëndrueshmërisë, kur është e nevojshme dhe diplomacisë kuptimplotë kur është e mundur, pa sakrifikuar ndonjë interes të vërtetë amerikan në këtë proces.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button