Për aferën që e çoi Nikola Sarkozinë në polici këtë të martë, në Francë debatohet që kur zhvilloheshin zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.
Skandali u zbulua nga një portal investigativ në Francë, Mediapart, gjatë fushatës së Sarkozi për një mandat të dytë si president. Nikola Sarkozi u akuzua se kishte financuar fushatën e vitit 2007 me financime okulte nga Libia.
Në atë kohë, media investigative publikoi dokumenta që dëshmonin për modalitetet e financimit të fushatës, pas një udhëtimi që Sarkozi kishte bërë në vitin 2005 në Libi. Dokumentave të Mediapart iu shtuan edhe deklaratat e Saïf al-Islam, njërit prej djemve të Gadafit. Në kulmin e luftës në Libi, Saïf al-Islam i kujtoi Sarkozisë miliardat që i kishte dhuruar babai i tij.
Mbrëmjen kur Mediapart publikoi dokumentat kompromentuese, kandidati për president ishte i ftuar në një emision në televizionin francez TF1. Sarkozi doli për herë të parë me alibinë e tij për akuzat.
1) Goditja e besueshmërisë së akuzuesve
Kur gazetari i përmendi djalin e Gadafit dhe babain e tij, Nikola Sarkozi vuri në dyshim personalitetin e tyre. “Zoti Gadafi është i njohur për deklaratat e tij pa vlerë. Është groteske. Gadafi tani ka vdekur dhe i biri i ka duart me gjak, ka zero kredibilitet” u shpreh Sarkozi pasi kishte qeshur fillimisht me pyetjen që iu bë në emision. “Nuk duhet t’i jem dukur shumë mirënjohës” ironizoi ai duke sjellë si argument, luftën e mbështetur nga Franca në Libi në vitin 2011, që çoi në ekzekutimin e liderit libian.
2) Sulmi ndaj gazetarëve
Pjesa e dytë e përgjigjes ishte sulmi ndaj gazetarëve që guxuan ta prekin këtë temë. “Ju dija më të mirë sesa, zëdhënësat e Gadafit” iu drejtua gazetares Lorens Ferrari gjatë emisionit. “Jam i keqardhur që në një television si TF1 më duhet të përgjigjem për deklaratat e Gadafit dhe të të birit. Kur e citoni, ose kur i ngrini edhe ju çështjet e tyre, e ulni nivelin e debatit politik.”
Dy javë më vonë, Sarkozi nisi fazën e dytë të mbrojtjes: Kundërsulmin.
I ftuar në një emision tjetër në France 2, kandidati për president tha se Mediapart kishte falsifikuar të dhënat për këtë çështje dhe ai do të bënte kallëzim në prokurori. Por në 28 Prill të vitit 2012, Mediapart publikoi një dokument tjetër që vinte nga Libia. Alibia e Sarkozisë pas kësaj, u bë akoma më e egër.
1) Goditja e besueshmërisë së akuzuesve
“Ai dokument është një falsifikim i madh, thjesht dhe vetëm sepse dy personat, që duhej ta kenë dërguar dhe ta kenë marrë atë dokument e kanë përgënjeshtruar” pohoi Sarkozi që iu rikthye argumentit të luftës në Libi. “Ju besoni vërtet që me atë që i bëra unë Gadafit, ai do të më bënte një transfertë parash? Pse jo të më dërgonte edhe një çek? Kjo është groteske” ishte denoncimi i tij.
2) Sulmi ndaj gazetarëve
Në pjesën e dytë të reagimit, kandidati për president iu sul mediave për mënyrën sesi ato e trajtonin këtë çështje. “Turp për AFP që ka vënë alarmin për një dokument të falsifikuar” komentoi Sarkozi, para se të kalonte tek Mediapart dhe Liberation, të cilat sipas tij kishin “abuzuar” me këto dokumenta. “Fushata zgjedhore nuk mund të justifikojë gjithçka” vazhdoi duke u viktimizuar.
Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, çështja kaloi nga politika tek gjyqësori. Një hetim penal nisi në vitin 2013 dhe pas kësaj dolën detaje të tjera. Bëhet fjalë për një intervistë të Mouammar Gadafit të realizuar në vitin 2011, disa javë para vdekjes së tij. Intervista u publikua në France 2. Diktatori pohonte financimin për Sarkozinë.
Pas kësaj, një biznesmen pranë Nikola Sarkozisë pranoi në një intervistë për Mediapart se kishte transportuar miliona euro nga Tripoli në Paris, në fund të 2006 dhe në fillim të 2007. Bëhej fjalë për Ziad Takkiedine, një biznesmen franko-libian që me dëshminë e tij, rëndoi pozitat e Sarkozisë.
Disa orë pas daljes së intervistës së biznesmenit, reagoi Sarkozi. Në debatin mes kandidatëve për president, reagimi ishte i njëjtë si 4 vite më parë.
1) Goditja e besueshmërisë së akuzuesve
Nikola Sarkozi fillimisht sulmoi njeriun qe e akuzonte, Ziad Takkiedine. “Ai ka qenë në burg dhe ka qenë i dënuar për shpifje. Është një gënjeshtar” tha Sarkozi.
2) Kritika mbi gazetarët
Në përgjigjen e shkurtër dhe që nuk e prek thelbin e pyetjes, kandidati për president përdori sërish të njëjtën formulë që do të mbahet mend gjatë për kundërsulmin që iu bë publikisht gazetarit. “Çfarë paturpësie, ne jemi këtu në një television publik, ju nuk keni pikë turpi. Nuk prisja këtë nga një shërbim publik. Ky është një turp.”
Një ditë më parë, ai kishte thënë se nuk kishte veçse “mospërfillje për këtë ndërmarrje që përpiqet gjithë kohës më bëjë pis”. “Do t’i përgjigjem me mospërfillje këtyre përpjekjeve dhe këtyre manipulimeve. Drejtësia do të bëhet” kishte thënë Sarkozi. Deri sa u shoqërua në polici, asnjëherë nuk kishte dhënë një shpjegim. Kjo po ndodh për herë të parë këtë të Martë, 20 Mars 2018. / Huffington Post – Përktheu Lapsi.al