Nga Rajan Kuper
Çfarë duhet fajësuar për ringjalljen e populizmit racist të ekstremit të djathtë? Që nga zgjedhja e Presidentit Trump, e majta amerikane është konsumuar me këtë pyetje, teksa majtistët fajësojnë dështimet e politikës ekonomike neoliberale dhe liberalët që anojnë më shumë nga shpjegimet kulturore.
Zack Beauchamp në “Vox” argumenton se politika ekonomike e krahut të majtë në fakt i shtyn njerëzit të jenë më racistë, kryesisht sepse shtetet sociale kanë prirjen që të përfitime për pakicat e varfëra dhe imigrantët, e si pasojë shtojnë pakënaqësinë mes të bardhëve. Por shpjegimi i tij për ekonominë është i paplotë – sidomos kur injoron pothuaj tërësisht kolapsin financiar të vitit 2008, problemet e mëpasshme me politikat e rrepta të kursimit, si dhe krizën në vazhdim që po ndodh në eurozonë. Dhe kjo është prova më e fortë e kauzës majtiste.
Të hedhim sytë pas. Në vitin 2008, e gjithë bota u trondit nga një krizë financiare, që shkaktoi papunësi masive në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Reagimi fillestar ishte i ngjashëm në të dy vendet, me paketa të mëdha shpëtimi publike, për bankat në telashe. Por pas kësaj, pati një divergjencë të fortë: Amerika përgjithësisht provoi paketa të mëdha stimuli, fiskale dhe monetare, ndërkohë që Europa bëri të kundërtën me shkurtime të shpenzimeve dhe rritje të taksave – me një fjalë, kursimi.
Ndonëse paketa e stimulit në SHBA ishte e pamjaftueshme, më e keqja u shmang, dhe kushtet ekonomike u përmirësuan dalëngadalë, duke kaluar që në vitin 2001, GDP-në e parakrizës. Në Europë rezultati ishte katastrofë. Kaq shumë rreptësi fiskale dhe politikë kursimi iu imponua vendeve në borxhe, saqë ata u zhytën në depresion të plotë. Ekonomia e Greqisë është më keq se ajo e Amerikës në vitet 1930 – dhe eurozona në tërësi e arriti GDP e parakrizës, vetëm në prill të vitit që kaloi.
Papunësia masive është helm elektoral, dhe pothuaj çdo parti që ndodhi të kishte pushtetin gjatë periudhës më të keqe të saj – përgjithësisht ose e qendrës së djathtë (Fianna Fáil në Irlandë, Populli i Lirisë në Itali) ose e qendrës së majtë (Partia Socialiste në Francë, Demokratët në Amerikë) – vuajtën goditje të rënda në zgjedhjet e radhës. Partitë radikale, si në të majtë, edhe në të djathtë, fituan terren teksa partitë kryesore u diskredituan. Parti të reja fashiste (Agimi i Artë në Greqi) dolën në pah, dhe parti të vjetra me prirje fashiste (Fronti Nacional në Francë) fituan forcë.
Por Beauchamp as nuk e përmend këtë histori, duke e kufizuar argumentin pothuaj të gjithin tek politika e mirëqenies sociale. Ai mbledh prova të arsyeshme e bindëse si dhe dëshmi ekspertësh, për të mbështetur idenë se shtetet e mirëqenies sociale rrisin pakënaqësitë raciste në SHBA dhe Europë. Por ai nuk përmend papunësinë masive, masat e kursimit, apo eurozonën. Këto janë mungesa të mëdha në një artikull që synon të gjykojë pasojat sociale të politikës ekonomike.
Shteti social është një kapitull i politikës ekonomike majtiste, por i pari dhe më i rëndësishmi është punësimi i plotë. Kjo është rruga kryesore, me të cilën politika ekonomike majtiste mund të shfryjë nativizmin e të djathtës. Partitë e qendrës së majtë shpesh pretendojnë se mbështesin punësimin e plotë, por ato kanë dështuar ta bëjnë këtë gjatë tetë viteve të fundit, dhe madje shumë kohë më përpara. Fashistët organizohen më mirë mes kaosit dhe mjerimit të depresionit, dhe njerëzit humbasin besimin në zgjidhjet tradicionale dhe kërkojnë koka turku. A mund të jetë koincidencë, që kulmi i dallgës së nazizmit erdhi kur papunësia ishte afro 30%.
Tani, politika është një proces kaotik. Duhet shumë punë ideologjike për të bindur njerëzit se problemi është plani i kursimit, si dhe shumë kohë e përpjekje për të ndërtuar një koalicion politik, të dedikuar për një platformë anti kursim. Dhe ndonjëherë nuk del mirë, si e tregojnë edhe vështirësitë e shumta të Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, që kur humbi zgjedhjet e 2015-ës. Por grindjet e brendshme janë po aq fajtore për kolapsin e laburistëve, sa edhe pikëpamjet majtiste të Jeremy Corbinit. Ndonjëherë, koalicionet politike pësojnë frakturë për shkak të personaliteteve dhe luftërave të brendshme për dominim.
Por ka edhe raste të tjera, ku organizimi ka qenë më i suksesshëm, si në Greqi apo Spanjë, ku parti që as nuk ekzistonin para krizës, kanë dalë në radhët e para të politikës. Në Greqi, PASOK e qendrës së majtë pothuaj ka pushuar së ekzistuari, ndërkohë që Syriza fitoi në 2015, qartësisht për shkak të programit të vet kundër platformës së kursimit (ndonëse më pas u penguan që ta vinin në zbatim). Tani fashistët janë e vetmja parti e besueshme kundër platformës së kursimit që ka mbetur në atë vend të zhytur në telashe.
Eshtë plotësisht e drejtë të thuash se imigrimi apo një program shteti social më i fortë mund të shkaktojë një kundër-reagim racist. Por, askush nuk mund të më thotë, se të arrish punësimin e plotë e t’i japësh fund kursimit në një kohë depresioni, është një garanci për humbje. / The Week – Përgatiti: bota.al