Speciale

Ja pse kemi nevojë t’u mësojmë fëmijëve, inteligjencën emocionale

emot

Dr. Lisa Firestone, PhD

Për shumë vite kam dhënë mësime psikologjie për nxënës 7-14 vjeç. I kam nxitur për vetëreflektimin, duke ukërkuar që të identifikojnë dhe shprehin atë që mendojnë dhe ndiejnë, si dhe të konsiderojnë mendimet dhe ndjenjat e te tjerëve. Rezultatet janë shpesh mbresëlënëse. Nga gojët e tyre dalin shpesh deklarata të forta, të vetëdijshme, që jo gjithmonë i pres. “Ndihem keq për veten ën klasë. Kam frikë se do të jem më i ngadaltë se gjithë të tjerët”.

“Zemërohem kur im atë nuk gjen kohë të merret me detyrat e mia. Më bën të mso dua të përpiqem më”.

“E urrej kur shoqet nuk duan të luajnë me mua. Kështu që bërtas, por kjo i përkeqëson gjërat”.

Shpesh herë, kemi prirjen t’i shohim fëmijët tanë si më pak të sofistikuar dhe jo në gjendje të përpunojnë apo kuptojmë kompleksitetin emocional të botës së tyre. Mendojmë se i mbrojmë kur nuk flasim për tema më të sikletshme e më pak të pëlqyeshme. Por po ju them se fëmijët përthithin shumë. Pak a shumë sapo mësojnë të flasin, fëmijëve mund t’u mësohet që të identifikojnë dhe komunikojnë ndjenjat e tyre. Në një mjedis të besuar ku flitet haptas për emocionet, shumica e fëmijëve do të flasin lirisht për ndjenjat e tyre, dhe do të mësojnë të simpatizojnë bashkëmoshatarët.

Me trurine  tyre që rritet me ritëm të shpejtë, të gjithë fëmijët vazhdimisht vërejnë, reagojnë dhe përshtaten, si dhe zhvillojnë ide bazuar në përjetimet e tyre emocionale. Kjo më bën të pyes veten përse edukojmë një fëmijë në kaq shumë tema, e mësojmë që të flasë fjalë dhe të lajë dhëmbët,e  megjithatë nuk arrijmë që ta pajisim me një edukim emocional që mund të përmirësojë dramatikisht cilësinë e jetës së tyre.

Kur u mëson fëmijëve inteligjencën emocionale, si të njohin ndjenjat e tyre, të kuptojnë nga vijnë dhe si t’i përballojnë ato ndjenja, në fakt ti u mëson aftësitë thelbësore për të patur sukses në jetë. Studimet kanë treguar se Inteligjenca Emocionale “parashikon mbi 54% të variacionit në sukses (marrëdhënie, efektshmëri, shëndet, cilësi jete)”. Të dhëna shtesë konkludojnë se “të rinjtë me inteligjencë emocionale më të lartë marrin nota më të mira, dhe bëjnë zgjedhje më të shëndetshme”.

Dr. Marc Brackett, Drejtor i Qendrës për Inteligjencën Emocionale në Yale University, flet gjatë për rëndësinë e të mësuarit të fëmijëve që të njohin emocionet etyre. Qendra ka zhvilluar programin RULER për shkollat. RULER është një akronim për “Recognising Emotions in self and others” (Njohja e emocioneve tek vetja dhe të tjerët, Kuptimi i shkaqeve dhe pasojave të emocioneve, Etiketimi i saktë i emocioneve, Shprehja e duhur e emocioneve dhe Rregullimi i efektshëm i emocioneve).

Këta pesë parime të RULER shkojnë paralelisht në shumë drejtime me pesë përbërësit e inteligjencës emocionale të Daniel Goleman. Shihet qartë se si këta pesë elementë mund të kontribuojnë për suksesin personal dhe mirëqenien e një njeriu.

Vetëdijësimi. Të njohësh emocionet e tu.

Vetërregullimi. Të jesh në gjendje të rregullosh dhe kontrollosh se si reagon ndaj emocioneve.

Motivimi i brendshëm. Të kesh një kuptim se çfarë është e rëndësishme në jetë.

Empatia. Të kuptosh emocionet e të tjerëve.

Aftësitë sociale. Të jesh në gjendje për ndërtim lidhjesh shoqërore.

Si prindër, kur nuk kemi një mënyrë të shëndetshme të kontrollit të emocioneve tona, ne kemi probleme edhe t’u mësojmë fëmijëve si të kontrollojnë të tyret. Prandaj ndryshimi nis me ne. Fatmirësisht, të pesë përbërësit e inteligjencës emocionale mund të mësohen në moshë të hershme. Ka shumë mjete dhe teknika që mund të na ndihmojnë ne dhe fëmijët tanë që të fillojnë të identifikojnë dhe kuptojnë emocionet e vetvetes dhe të tjerëve. Ky proces nis me njohjen, sepse vetëm kur vërejmë ku jemi, ne jemi në gjendje të zhvendosemi atje ku duhet të jemi.

Kur pranojmë ndikimin e thellë të emocioneve në jetën tonë, ne frymëzojmë një qasje të re ndaj vetëdijësimit dhe shëndetit mendor. Më pas mund të nisim të bëjmë pyetje më të gjera, si për shembull si mund të krijojmë një lëvizje për rritjen e inteligjencës emocionale të brezave të ardhshëm.

Një vend për t’ia nisur është vetëdijësimi. Studimet kanë treguar se praktimi i vetëdijësimit ndihmon për të ulur simptomat e stresit, depresionit dhe ankthit tek fëmijët. Mund të rrisë edhe dendësinë e materies gri në rajonet e trurit që kanë të bëjnë me rregullimin e emocioneve. Një tjetër studim tek adoleshentët zbuloi se joga, që mund të rrisë vetëdijësimin, ndihmon për të rritur aftësinë rregulluese të emocioneve tek fëmijët.

Në një nivel sistemik, ne mund të ndihmojmë për rritjen e inteligjencës emocionale të brezave të ardhshëm, duke punuar me shkolla për implementimin e programeve si RULER. Si prindër, mësues, miq dhe kujdestarë, ne mund të hapim një dialog dhe të nxisim fëmijët të shprehin atë që ndiejnë. Nëse i shprehin ndjenjat e tyre, fëmijët mësojnë si t’i kontrollojnë. Mund të flasim gjithashtu më shumë për ndjenjat tona, duke qenë të ndershëm e të drejtpërdrejtë për kohët kur jemi të trishtuar, të zemëruar, apo edhe të frikësuar. /Huffpost-www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button